
Policia ka avancuar me ndërhyrjen për shpërndarjen e protestuesve të mbetur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas përdorimit të autobotëve me ujë. Mjetet ujëhedhëse janë zhvendosur në drejtim të Ministrisë së Brendshme, ndërsa një pjesë e protestuesve është tërhequr në rrugët përreth qendrës së Tiranës.
Paralelisht, efektivët kanë nisur edhe shoqërimet. Disa protestues po merren nga policia dhe futen në automjete, edhe në momente kur në zonën ku ndodheshin nuk kishte përplasje të drejtpërdrejta. Ndërhyrja vjen pas tensioneve të mëparshme para Kryeministrisë, ku u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës dhe autobotëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë me presion.