
Lulzim Caka është emri i personazhit misterioz të arrestuar nga policia greke si kreu i grupit kriminal shqiptar pas trafikut të 84 kg kokainë nga Kolumbia përmes kërcejve plastikë të trëndafilave. Caka i njohur ndryshe si “i tmerrshmi i Beratit”, është arrestuar bashkë me të birin, në një vilë ku janë zbuluar 2 kg kokainë, kimikate e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.
Lulzim Caka rezulton person i shpallur në kërkim në Shqipëri, pasi është liruar në mënyrë të paligjshme nga burgu në vitin 2019, ku vuante dënim me 25 vjet burg për disa vrasje. Caka, i cili në Greqi njihet edhe me emrin e dytë John Franco, prej largimit nga Shqipëria jetonte në shtetin helen. Pikërisht në vitin 2022, Greqia ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës në Shqipëri.
Kush është Lulzim Caka
Lulzim Caka, është një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, i akuzuar për disa vrasje dhe i dënuar me 25-vite burg i është drejtuar për “prishje të vendimeve” Gjykatës Kushtetuese në dt. 19.12.2012, Gjykatës së Apelit në Vlorë në dt.28.04.2015 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në vitin 2017.
Gjykata e Apelit Vlorë, në 19 Dhjetor të vitit 2012, e dënoi Cakën me 25 vjet heqje lirie për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ngjarja për të cilën u dënua Caka ka ndodhur në muajin Mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë.
Ai u arrestua në Berat. Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Xhevahir Çela, mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, Lulzim Caka akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se Lulzim Caka i njohur ndryshe si “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij. Lulzim Caka do të mbahet mend për sfidat e tij ndaj drejtësisë shqiptare. Ai u arrestua dhe më pas u lirua për mungesë provash disa herë.
Si arriti të fitonte lirinë Lulzim Caka?
Lulzim Caka i shpëtoi qëndrimit në qeli falë një mbrojtje të mirë që i është ofruar por edhe “ping-pongut” që bënë një sërë gjykatash, mes të cilave rrugën e lirisë ia hapi Gjykata e Lartë për rishikim vendimi, më tej Gjykata Kushtetuese dhe për “t’i vënë vulën” edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Caka u soll në Shqipëri me një marrëveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003 dhe pas 16 viteve burgim atij iu konsideruan të shlyera 25 vitet e dënimit. Lirimi i Lulzim Cakës në korrik të vitit 2019 solli shkarkimin e drejtorit të burgut në Kosovë të Lushnjës dhe juristit të institucionit, ndërsa nisi një hetim për gjyqtarin që dha vendimin e lirimit të Lul Cakës. Ky i fundit u shpall sërish në kërkim policor me arsyen se lirimi i tij ishte bërë padrejtësisht dhe se duhet të kthehej në qeli për të shlyer vitet e dënimit.