Flash

Protestat/ Qeveria tërhiqet nga ligji që i hapi rrugë projektit të Zvërnecit

Në konferencën ku mbylli 3 kapitujt për negociatat, Rama pranoi se do të bëjë një hap pas për ligjin e zonave të mbrojtura, të cilin e ndryshoi mes debatesh në vitin 2024 duke i hapur rrugë projektit të vilave në Zvërnec.

Lapsi.al 14 July 2026

Edi Rama kremtoi në Bruksel fitoren për mbylljen e tre kapitujve të parë për negociatat me Bashkimin Europian, por në konferencën në Bruksel u detyrua të pranojë humbjen e parë përballë dhjetëra mijëra qytetarëve që kërkuan trajtimin e lagunës së Zvërnecit si zonë të mbrojtur.

Në konferencën ku Rama mori përgëzimet për mbylljen e kapitujve të negociatave, komisionerja për zgjerimin Marta Kos njoftoi marrëveshjen që qeveria shqiptare deri e ka mbajtur në hije: ligji i miratuar në vitin 2024 për zonat e mbrojtura duhet të ndryshojë brenda këtij viti.

Vetë Kos, u kujdes ta servirë këtë disfatë të Edi Ramës si një përpjekje e vullnetit të tij të mirë për të qene pranë Brukselit, jo nga presioni i protestave në Shqipëri.

“Edhe përpara sesa të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura” u shpreh Marta Kos, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Por kjo marrëveshje me Bashkimin Europian ndryshon rrënjësisht pozicionin publik të qeverisë shqiptare, që deri më tani u është përgjigjur me arrogancë, me fyerje dhe me dhunë protestuesve që e nisën protestën për Zvërnecin, për ta përshkallëzuar atë me dorëheqjen e tij.

Deri vonë, Edi Rama ka këmbëngulur se ndryshimet e vitit 2024 ishin në përputhje me standardet europiane, se ligji ishte ndër më të mirët që kishte Shqipëria dhe se kundërshtimet ndaj tij ishin produkt i keqinformimit, histerisë, interesave politike apo fushatave të organizuara në internet nga qarqe greke, serbe, iraniane apo të tjera interesa armiqësore.

Tani rezulton se, ndërsa kryeministri u hakërrehej shqiptarëve me fyerje dhe kërcënime personale, në tryezën me Komisionin Europian kishte pranuar ta ndryshonte këtë ligj që përbën edhe bazën ligjore për projektin e financuar nga dy vëllezërit arabë, miq të Jared Kushner.

Në konferencë, Edi Rama u përpoq menjëherë të shmangte fjalën “shfuqizim”. Sipas tij, i vetmi ligj që do të anulohet plotësisht është ai për investimet strategjike, ndërsa ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet.

“Për ligjin e Zonave të Mbrojtura, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar, edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Europian që e ka kërkuar këtë, por në fakt këtë ligj do ta rishikojmë mbështetur në të gjitha standardet europiane dhe do të ndryshojmë brenda këtij ligji gjithçka që nuk është në përputhje me standardet europiane”, tha Rama.

Por ky sqarim gjuhësor nuk ndryshon thelbin. Nëse qeveria ka pranuar të heqë ose ndryshojë “gjithçka që nuk është në përputhje me standardet europiane”, atëherë ka pranuar njëkohësisht se ligji i mbrojtur deri dje si model europian përmban dispozita që nuk i përmbushin këto standarde.

Akoma më i qartë ishte afati i vendosur nga Marta Kos: ndryshimet duhet të bëhen gjatë këtij viti dhe “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Këto ndryshime do duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin e ndryshimin e klimës”, tha komisionerja.

Projekti nuk është anuluar, por ka humbur sigurinë ligjore

A do të thotë kjo se projekti i Zvërnecit është anuluar? Jo, të paktën jo ende. Rama deklaroi në Bruksel se vazhdon të besojë tek investimi dhe se synon ta çojë përpara.

“Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë e për Europën. Kjo është ambicia ime”, tha kryeministri.

Ai shtoi se projekti nuk është finalizuar dhe se vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces:

“Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund deri më tash sepse nuk është finalizuar dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër” u shpreh Rama në konferencë.

Por pikërisht kjo fazë e papërfunduar e bën investimin më të cenueshëm nga ndryshimi i ligjit.

Projekti ka marrë leje zhvillimi dhe një leje për rrethimin e pronës e rrugët e brendshme të aksesit, por nuk ka ende lejen përfundimtare të ndërtimit. Investitori duhet të paraqesë projektin e detajuar dhe t’i nënshtrohet Vlerësimit të Thelluar të Ndikimit në Mjedis. Pra, pjesa më e rëndësishme e procesit ligjor dhe administrativ është ende përpara.

Në këtë kuptim, nuk mund të thuhet se projekti ka humbur çdo bazë ligjore. Pronësia, leja e zhvillimit dhe procedurat e nisura vazhdojnë të ekzistojnë. Por ai ka humbur diçka thelbësore: sigurinë se do të mund të zhvillohet sipas kuadrit favorizues juridik të krijuar në vitin 2024.

Si e ndryshuan ligjin socialistët në vitin 2024

Ndryshimet e atij viti e transformuan mënyrën se si ligji i trajtonte peizazhet e mbrojtura siç është rasti në Zvërnec. Territoret nuk përshkruheshin më vetëm si zona ku aktivitetet e papërshtatshme duheshin kufizuar, parandaluar apo eliminuar, por edhe si hapësira ku mund të lejoheshin zhvillime turistike, ekonomike dhe ndërhyrje urbane.

Po në vitin 2024, me kartonat e socialistëve, ligji krijoi mundësi për struktura akomoduese të kategorisë së lartë dhe infrastrukturën përkatëse brenda zonave të mbrojtura.

Parlamenti Europian e ka interpretuar këtë ndryshim si hapje të zonave të mbrojtura ndaj infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë dhe si transferim të kompetencave të rëndësishme te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kontrollin mjedisor. 

Fitorja e parë konkrete e protestës

Rama dhe Kos këmbëngulën se marrëveshja për ndryshimin e ligjit ishte arritur përpara nisjes së protestave, por një rikthim në kronologji tregon se kjo nuk është e saktë. Komisioni Europian kishte prej kohësh rezerva për ligjin dhe harmonizimi i legjislacionit mjedisor ishte pjesë e negociatave, por duhet thënë se reagimet e para të zëshme nga Bashkimi Europian erdhën pas protestave masive në Tiranë.

Protestat për Zvërnecin u shndërruan në demonstratat më të mëdha që Shqipëria kishte parë prej dekadash. Ato nisën nga mbrojtja e një zone natyrore dhe e pronave të pretenduara nga banorët, por shumë shpejt u kthyen në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës se si merret vendimi politik, si përdoret prona publike dhe private dhe si ligjet ndryshohen për t’u përshtatur me interesat e investitorëve të fuqishëm.

Mediat më prestigjioze të botës i përshkruan ato si protestat më të mëdha deri në atë fazë kundër projektit. Reuters provokoi pakënaqësinë e qeverisë shqiptare me transmetimet direkte, me pamjet e mijëra qytetarëve që protestonin në rrugët e Tiranës. Financial Times e paraqiti projektin e lidhur me Jared Kushner si shkëndijën e një revolte të gjerë, ndërsa The Guardian e trajtoi “Revolucionin e Flamingove” si një lëvizje jo vetëm për natyrën, por edhe për të drejtat, llogaridhënien dhe mënyrën e qeverisjes në Shqipëri.

Edhe New York Times dhe media të tjera amerikane e europiane e lidhën protestën me projektin e financuar nga njerëz pranë familjes së presidentit amerikan, me konfliktet e pronësisë, me ndryshimin e ligjit dhe me shqetësimet për korrupsionin dhe transparencën. Reuters raportoi veçmas edhe pretendimet e familjeve vendase se toka ku synohet të zhvillohet projekti është shitur mbi bazën e një pronësie të kontestuar.

Asnjë protestë tjetër shqiptare e viteve të fundit nuk kishte marrë një jehonë të tillë në mediat kryesore europiane dhe amerikane. Jehona e flamingove në sytë e të gjithë botës e nxori konfliktin nga kontrolli i komunikimit të qeverisë shqiptare. Rama mund të dominonte ekranet e Tiranës, por nuk mund të përcaktonte më mënyrën se si çështja lexohej në Bruksel, Londër, Paris, Vjenë apo Uashington.

Brukseli i kërkon Ramës të dëgjojë qytetarët

Mesazhi tjetër i rëndësishëm i konferencës nuk lidhej vetëm me ligjin, por me protestat dhe mënyrën se si qeveria i ka trajtuar ato.

Gjatë javëve të protestës, Rama i ka sulmuar qytetarët e thjeshtë me një gjuhë gjithnjë e më agresive. I ka krahasuar me fashistë dhe nazistë, i ka paraqitur si instrumente të ndërhyrjeve të huaja, i ka akuzuar si pjesë të një histerie kundër zhvillimit dhe i ka quajtur edhe “hajvanë”.

Marta Kos dha një standard krejt tjetër. “Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyrës se si vendet i trajtojnë këto protesta janë pjesë thelbësore e proceseve pluraliste demokratike”, tha ajo.

“Inkurajoj që qeveria shqiptare të marrë hapa përpara, të trajtojë shqetësimet e qytetarëve” u shpreh Kos.

Ndërsa është ende herët për të thënë që protestat e kanë shpëtuar ndërhyrjen abuzive në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duhet pranuar se kanë arritur diçka që vetëm pak javë më parë dukej e pamundur: e kanë detyruar qeverinë e Ramës të pranojë publikisht se kuadri ligjor që i hapi rrugë investimit duhet ndryshuar.

Kjo është fitorja e parë konkrete e “Revolucionit të Flamingove” që erdhi pasi dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë, pasi protesta mori një jehonë ndërkombëtare të paprecedentë, pasi eurodeputetët e çuan çështjen në Parlamentin Europian dhe pasi ligji u kthye në pengesë për kapitullin 27 të negociatave.

Me pak fjalë, kjo është hera e parë që nga nisja e konfliktit, që nuk është më qeveria ajo që vendos e vetme rregullat e lojës./Lapsi.al

Të këshilluara

LE MONDE: Vendi më i varfër në Evropë, 4 milion euro për koncertin e Kanye West

Kanye West, i ndaluar në shumicën e vendeve të Evropës, do të marrë një subvencion prej 4 milionë eurosh për të mbajtur një koncert në Shqipëri. I ndaluar të qëndrojë ose të ngjitet në skenë për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe neonaziste, reperi amerikan pritet të performojë më 11 korrik, në Tiranë. Shumë protestues e akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po e përdor këtë aktivitet për t'u shërbyer interesave të tij.

12:46

Financimi i Kanye West/ NYTimes vë në dyshim qëndrimet e Ramës për antisemitizmin

New York Times ka publikuar një artikull ku vë përballë qëndrimet e Edi Ramës kundër antisemitizmit me vendimin e tij për të financuar me 4.5 milionë dollarë koncertin e Ye në Tiranë, duke theksuar kontrastin mes retorikës së kryeministrit dhe mbështetjes për një artist të njohur për deklaratat e tij në mbështetje të Hitlerit dhe nazizmit.

01:06

Investigimi me satelitë/ New York Times nxjerr zbuluar kantierin në Zvërnec

Si për të përgënjështruar Edi Ramën, që premtoi se nuk do punohet në Zvërnec derisa të përfundojë analiza mjedisore, New York Times analizoi pamjet me satelit dhe tregoi sot dëmin që resorti luksoz i Kushner&Co, mund t’u shkaktojë habitateve natyrore të brishta. Lapsi.al e sjell në shqip më poshtë videon dhe tekstin e New York Times.

15:04

ide

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

93.73

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI