Flash

Lubonja për Mediapart: Largimi i Ramës kushti fillestar për një Shqipëri të re

Publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja që ka qenë prezent çdo ditë të protestave e ka shpjeguar këtë ngjarje, në vështrim aktual dhe historik, për një nga mediat më të rëndësishme të së majtës franceze

Lapsi.al 11 July 2026

Në pamje të parë duket një libër i bukur, disi si për specialistë. Në këtë volum të madh të titulluar Albanian Files (Dosjet Shqiptare) (Lars Müller Publishers, 2026) gjashtëdhjetë firma arkitekture përshkruajnë se si kanë kapur “mundësinë e veçantë” që u ka ofruar “rilindërtimi” i Shqipërisë pas  rënies së komunizmit. Libri paraprihet nga editoriali i Edi Ramës, kryeministri i vendit, i cili, pasi siguroi mandatin e katërt në maj 2025, është në pushtet prej gati trembëdhjetë vjetësh. 

Por në 1 korrik, ky libër iu dorëzua Gjykatës Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Spak) nga një grup qytetarësh që e shohin atë si “një përmbledhje të krimeve të kryera” nga kreu i qeverisë shqiptare. Projektet e ndërtimeve të kryera në kundërshtim me rregullat dhe interesin publik konsioderohen si mishërimi i një modeli të gabuar zhvillimi i bazuar në shpronësimin e njerëzve të zakonshëm, në përqendrimin e pasurisë në pak duar dhe në pastrimin e parave të pista.

Pikërisht një projekt i tillë turizmi luksoz, i një kompanie të lidhur me dhëndërin dhe vajzën e Donald Trump. (Jared Kushner dhe Ivanka Trump), shkaktoi "Revolucionin Flamingo", një lëvizje protestuese, e pashembullt për nga shkalla dhe kohëzgjatja e saj. Është quajtur kështu për shkak se këta zogj shtegtarë ndalojnë në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, ku është dhënë leja e ndërtimit të resortit turistik. 

Pas një muaji e më shumë mobilizim, kulmi  i protestës arriti të shtunën, më 4 korrik, ku me dhjetëra mijëra njerëz që marshuan në kryeqytetin Tiranë. Tubime të mëdha priten edhe të shtunën më datë 11. Për të kuptuar forcat që qëndrojnë pas kësaj lëvizjeje historike, Mediapart foli me shkrimtarin Fatos Lubonja. Ish-i burgosur politik nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës midis viteve 1974 dhe 1991, ai ka qenë një zë i rëndësishëm në jetën intelektuale shqiptare dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut që nga vendosja e pluralizmit politik  në Shqipëri.

Mediapart: Më 4 korrik, demonstrata e 35-të e "Revolucionit Flamingo" shënoi mobilizimin më të madh se kurrë kundër qeverisë. Si arriti kjo lëvizje një karakter kaq masiv?

Fatos Lubonja: Fillimisht projekti, që mori emrin Kushner-Trump, shkaktoi protestat e ambientalistëve dhe banorëve vendas. Teksa ata po protestonin në zonën e mbrojtur, disa roje të private rrahën dhe tërhoqën zhag një demonstrues në sy të njerëzve të policisë që nuk ndërhynë. Pamjet, që u bënë virale në mediat sociale, shkaktuan zemërim në të gjithë vendin. Të nesërmen, më 31 maj, filluan demonstratat në Tiranë. Aty pjesëmarrësit nuk protestuan vetëm kundër projektit të Zvërnecit, por edhe kundër dhunës që u përdor. Si rezultat ndryshoi edhe sociologjia e lëvizjes. Bërthamës fillestare të protestuesve iu shtuan segmente të tjera të shoqërisë si: të rinj, shumë prej të cilëve studentë; njerëz të shtresës së mesme, të shqetësuar nga shpopullimi i vendit dhe pamundësia e ndërtimit të një jete të ndershme; apo edhe njerëz të zemëruar nga mungesa e solidaritetit ndaj Palestinës nga qeveria socialiste, dhe që nuk i shohin me sy të mirë lidhjet e saj të ngushta me administratën Trump. 

Ky zgjerim i masës së protestuesve shpjegohet me atë se projekti në fjalë është emblematik përsa i përket faktit se t’i kundërvihesh atij do të thotë të godasësh katër shtyllat e pushtetit që sundon në Shqipëri: 1%-shin   e oligarkëve që e gjen edhe në vendet e tjera kapitaliste; mediat, shumica e të cilave janë në pronësi të tyre; krimin e organizuar, i cili është investitori më i madh në Shqipëri; dhe së fundmi, metodat që përdor regjimi për tu legjitimuar përmes mbështetjes së të huajve. Në fakt, njerëzit e identifikuan veten me flamingot, pasi ndihen viktima të një zhvillimi që, nëpërmjet privatizimit të hapësirave publike, u ka penguar jetën normale duke i privuar nga qasja në burimet e jetës, duke u shkatërruar peizazhet, parqet, këndet e lojërave e kështu me radhë.

M: Ku e ka burimin kjo mënyrë (keq)zhvillimi?

F L: Është e rëndësishme të kujtojmë se komunizmi shqiptar ka qenë shumë i izoluar nga bota si dhe thuajse krejtësisht pa pronë private, kështu që "terapia e shokut" neoliberale e viteve 1990 u krye mbi një fushë të zbrazur, pa burime prodhuese ose kapital vendas. Gjatë dy dekadave të para dolën biznemenë ndërtues që filluan të përdorin paratë e emigrantëve për të investuar në projekte banimi. Edi Rama, atëherë kryetar bashkie i Tiranës, u ngrit në pushtet falë lidhjeve të tij me industrinë e betonit. Por nga mesi i viteve 2000 nevoja e strehimit e kaloi pikun e saj. Kjo edhe  pasi Shqipëria ishte zbrazur nga banorët. Gjysma e popullsisë kishte emigruar. Në mungesë të aftësisë për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, paratë e drogës filluan të marrin gjithnjë e më shumë kontrollin e vendit. Kështu lindën projektet e ndërtimit të rrokaqiejve të cilët jo vetëm nuk i përgjigjen ndonjë nevoje reale, por kanë kontribuar edhe në rritjen e çmimeve të pronave. Flitet për resorte luksoze turistike, por këto nuk janë projekte vërtet turistike; më së shumti janë vila, blerja e të cilave i lejon krimit të organizuar të pastrojë paratë. Hetime të shumta policore dhe gjyqësore në Evropë kanë treguar se ky pastrim parash është masiv dhe se në të janë përfshirë edhe përfaqësues të shtetit shqiptar. Kjo është arsyeja pse libri “Dosjet Shqiptare” u prit kaq keq. Sepse ne e dimë që firmat ndërkombëtare arkitekturore sillen këtu për të legjitimuar këto projekte ekonomike që bien ndesh me interesin publik. Futja e tyre është pjesë e metodës së legjitimimit nga të huajt që përmenda, sipas të cilës metodë Edi Rama i ofroi edhe Giorgia Melonit [Presidente e Këshillit të Ministrave në Itali – red] një copë Shqipëri për të ngritur kampin e paraburgimit të emigrantëve azilkërkues. Dhe jo pa sukses po të kemi parasysh se Meloni kohët e fundit mohoi punën e televizionit publik italian, duke u shprehur se ndjehej e ofenduar që Shqipëria ishte portretizuar nga Rai si një narko-shtet dhe se i duhej kërkuar falje Edi Ramës për këtë.

M: Në një artikull opinion të kohëve të fundit, ju keni ngulmuar në rolin e modelit, të përsëritur në historinë e Shqipërisë, të kërkimit me çdo mjet të mbështetjes nga jashtë, model ky që tani provokon zemërim…

F.L. Fati i Shqipërisë është ndikuar fuqimisht nga dy faktorë: vasaliteti dhe vendndodhja e saj periferike. Udhëheqësit shqiptarë i kanë ndërtuar mënyrat për të qeverisur dhe legjitimuar veten, më një anë duke i ofruar shërbime "qendrës" dhe më anë tjetër duke qenë larg mbikqyrjes së saj. Sundimin e tyre e kanë siguruar duke u bazuar në kulturat më të prapambetura lokale, në dëm të shumicës së popullsisë, ndërkohë që mbrojtësit ose kujdestarët e tyre të jashtëm kanë mbyllur sytë. Kështu ka ndodhur edhe gjatë Perandorisë Osmane. I njëjti mekanizëm u rishfaq gjatë periudhës sovjetike. Në këtë rast udhëheqësit komunistë shqiptarë ishin zhytur aq thellë në stalinizëm saqë, kur Stalini u dënua brenda Bllokut Lindor, Enver Hoxha u nda nga Bashkimi Sovjetik.

Paradigma vasalitet - periferi u përditësua edhe me rivendosjen e lidhjeve me Perëndimin në fillim të viteve 1990. Ja pse e shohim kryeministri tonë, Edi Rama, ta paguajë shtrenjtë edhe një fotografim me Trumpin, të vihet në shërbim të Melonit, të kërkojë aktivisht mbështetjen e Macronit e kështu me radhë.

M: Krahas sloganit "Shqipëria nuk është në shitje", ka mbizotëruar edhe thirrja për një "Shqipëri të re". Çfarë do të thotë kjo, duke pasur parasysh përbërjen shumë heterogjene të lëvizjes "flamingo rozë"? 

F L: Përmes kësaj shprehjeje njerëzit po ngrihen kundër një sistemi grabitqar që i ka përjashtuar nga vendimmarrja. Nuk kemi të bëjmë me një slogan kundër kapitalizmit si të tillë, por me refuzimin e shpronësimit të hapësirave publike dhe private në dobi të investitorëve të fuqishëm. Kemi të bëjmë me manifestimin e dëshirës që drejtësia të mos lejojë të ndodhë më një gjë e tillë në Shqipëri, që ligjin të mos e bëjnë më të fortit.

Dorëheqja e Ramës, e kërkuar nga protestuesit, do të ishte vetëm fillimi i ndërtimit të një Shqipëria të re, një detyrë kjo mjaft e vështirë, pasi shtresat shoqërore të lëvizjes janë shumë të larmishme. Ndërkaq në këtë lëvizje nuk ka një përfaqësim të organizuar të punëtorëve çka do të ishte një dimension thelbësor për një Shqipëri të re. Madje nuk ka as edhe një alternativë të gatshme politike të ofruar nga opozita. Por, që një alternativë e tillë të shfaqet gradualisht, mbetet si kusht i domosdoshëm fundi i "regjimit të Ramës".

M: Në fakt opozita tradicionale, e mishëruar nga Sali Berisha, refuzohet po aq sa qeveria e Edi Ramës. Cili është peizazhi politik shqiptar?

F.l. Që nga fillimi i ndryshimit të regjimit të gjitha partitë shqiptare u ndërtuan sipas të njëjtës strukturë: si organizata oligarkësh të lidhura me kompani të pasurish kryesisht ndërtimi që zotëronin edhe media të mëdha. Edhe Partia Socialiste e Edi Ramës u ka shërbyer interesave të tyre. Për një farë kohë, ka pasur një alternim pushteti midis dy partive kryesore të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, pa shumë ndryshime, pasi të gjitha ishin të lidhura me të njëjtin sistem. Kështu njerëzit e humbën shpresën se opozita mund të arrinte diçka, dhe denoncimet e asaj aktuale nuk kanë besueshmëri për shkak të së kaluarës së saj.

Ndërkaq çprej disa vitesh Edi Rama ka arritur të mbledhë rreth vetes të gjithë oligarkët, që ishin të ndarë midis dy-tre partive, veprim ky që të kujton paktin e bërë nga Vladimir Putin në fillim të ngritjes së tij në pushtet në Rusi. 

Ekzistojnë edhe dy-tre parti që kanë dalë jashtë duopolit të kontrolluar nga Rama dhe Berisha, por, në një sistem politik kaq të mbyllur, atyre u mungojnë burimet. Ndër to vetëm një është parti vërtet e majtë, lëvizja Bashkë, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë urgjente për një parti të krahut të majtë që të përfaqësojë shtresat e brishta të shoqërisë. Por në vendin tonë, fjala "e majtë" ngjall menjëherë kujtimin traumatik të komunizmit. Protestuesit aktualë thërrasin "Poshtë komunistët", çka nuk duhet interpretuar si një refuzim i idesë së barazisë. Është një slogan kundër atyre që uzurpojnë pushtetin dhe veprojnë kundër interesave të popullit, pa i dhënë llogari kërkujt.

M: Çfarë përfaqëson Bashkimi Evropian  për këtë ideal të një "Shqipërie të re"? A është BE premtimi i çlirimit nga tutori, apo rrezik i një forme të re nënshtrimi?

F L: Utopia e bashkimit me Evropën ka qenë e rëndësishëme sepse ka dhënë një drejtim mobilizues, një orientim drejt parimeve të pluralizmit dhe shtetit të së drejtës. Nëse duhet të jesh pjesë e një entiteti gjeopolitik, është më mirë që ky të jetë ai evropian, që e minimizon rrezikun e rishfaqjes së një diktature. Por, nga ana tjetër, duhet të pranojmë se BE, në këtë fazë, ka dështuar. Qasja e udhëheqësve të saj flet për një mendësi neokoloniale. Ata e shohin veten si padronë e një toke të premtuar dhe sillen si të interesuar që elitat e vendeve fqinje t'i bashkohen asaj. Por ndërkaq i dëgjojnë shumë pak popullatat e këtyre vendeve, të cilat megjithatë e dëshirojnë integrimin. Në fakt shumë prej tyre kanë një qasje tejet instrumentale ndaj vendeve në fjalë (siç p.sh. kur duan t’i bëjnë "vend-hedhje" të emigrantëve që nuk duan t'i pranojnë në qendër). Po ashtu vlerat evropiane nuk mund të merren seriozisht kur sheh se dikush merr në konsideratë pranimin e një narko-shteti në klubin evropian.

Intervistoi Fabien Escalona

 

 

Të këshilluara

LE MONDE: Vendi më i varfër në Evropë, 4 milion euro për koncertin e Kanye West

Kanye West, i ndaluar në shumicën e vendeve të Evropës, do të marrë një subvencion prej 4 milionë eurosh për të mbajtur një koncert në Shqipëri. I ndaluar të qëndrojë ose të ngjitet në skenë për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe neonaziste, reperi amerikan pritet të performojë më 11 korrik, në Tiranë. Shumë protestues e akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po e përdor këtë aktivitet për t'u shërbyer interesave të tij.

12:46

Financimi i Kanye West/ NYTimes vë në dyshim qëndrimet e Ramës për antisemitizmin

New York Times ka publikuar një artikull ku vë përballë qëndrimet e Edi Ramës kundër antisemitizmit me vendimin e tij për të financuar me 4.5 milionë dollarë koncertin e Ye në Tiranë, duke theksuar kontrastin mes retorikës së kryeministrit dhe mbështetjes për një artist të njohur për deklaratat e tij në mbështetje të Hitlerit dhe nazizmit.

01:06

Investigimi me satelitë/ New York Times nxjerr zbuluar kantierin në Zvërnec

Si për të përgënjështruar Edi Ramën, që premtoi se nuk do punohet në Zvërnec derisa të përfundojë analiza mjedisore, New York Times analizoi pamjet me satelit dhe tregoi sot dëmin që resorti luksoz i Kushner&Co, mund t’u shkaktojë habitateve natyrore të brishta. Lapsi.al e sjell në shqip më poshtë videon dhe tekstin e New York Times.

15:04

ide

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

93.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI