
Kështu, do të jetë Nick Woltemade qershia mbi tortë e merkatos së dyshes Massara-Carnevali te Juventusi. Sulmuesi ka arritur tashmë marrëveshjen për pagën me Zonjën e Vjetër, e cila tani po mbyll detajet e fundit me Newcastle mbi bazën e një huazimi me pagesë prej 5 milionë eurosh dhe të drejtë blerjeje. Pra, mes Zirkzee dhe Sorloth, në fund triumfoi “zotëria 90 milionë”. Po, sepse kjo ishte shuma e paguar vetëm verën e kaluar nga Newcastle për ta marrë nga Stuttgart dhe për ta çuar në Premier League.
Rendimenti i tij megjithatë nuk e ka bindur plotësisht klubin e Magpies, i cili ndërkohë ka nisur një reduktim të fortë të strukturës dhe të skuadrës. Dhe kështu shumëkush pyet se kush është Woltemade dhe çfarë mund t’i japë më shumë teknikut Spalletti. Për të, në vetëm një vit, 11 gola dhe 6 asistime në 53 paraqitje sezonale gjithsej. I rritur në akademinë e Werder Bremen, Woltemade ka arritur disa herë të shënojë dyshifror në eksperiencat e mëvonshme me Elversberg, Stuttgart dhe pikërisht Newcastle. I mbiquajtur “Lionel Messi dy metra”, Woltemade është vlerësuar gjithmonë për aftësinë e tij për të mbajtur topin dhe, pavarësisht gjatësisë prej pothuajse dy metrash (saktësisht 1,98 metra, shën. i red.), nuk është një lojtar i madh në lojën e ajrit, por ka cilësi të tjera.
Woltemade gjatë karrierës së tij e udhëhoqi Gjermaninë U21 në finale të Europianit 2025, duke fituar Këpucën e Artë me gjashtë gola në pesë ndeshje, përpara se të debutonte me kombëtaren e madhe gjermane në qershor 2025, në gjysmëfinalen e Nations League kundër Portugalisë. I lindur në Bremen, sulmuesi 24-vjeçar u bë viral vitin e kaluar kur u filmua duke ngrënë një banane në stol gjatë ndeshjes kundër Barcelonës. Asgjë e çuditshme, duke qenë se çdo futbollist, i ndjekur nga nutricionistët përkatës të skuadrës, ndjek regjimin e vet ushqimor. Por në atë moment u zbuluan detaje të lidhura me dietën e Woltemade, të panjohura deri atëherë. Gjermani nuk ha mish dhe në një intervistë kishte deklaruar se nuk kishte pirë kurrë asnjë pikë alkool të fortë, falë mësimeve të prindërve. Në jetën e përditshme, për më tepër, siç tregojnë fotografitë e shumta në rrjetet sociale, Woltemade tregon pasionin e tij për modën, një pasion që në Itali me siguri do ta shfaqë edhe më shumë.
Historia e Woltemade dhe si lindi tratativa për ta marrë për 90 milionë
Pikërisht babai dhe nëna e tij janë gjithmonë të pranishëm gjatë të gjitha ndeshjeve të tij, aq sa Woltemade, përpara fishkëllimës së fillimit, puth dy mbrojtëset e këmbëve ku janë paraqitur pikërisht fytyrat e prindërve të tij. Një lidhje e fortë për një futbollist që sot përfundon te Juventusi pothuajse si një i padëshiruar, por që vetëm 12 muaj më parë ishte protagonist i një dueli merkatoje mes Bayern Munich dhe pikërisht Newcastle. Bavarezët u shtynë deri në 60 milionë, përpara se të vendosnin të ndalonin përballë kërkesave të vazhdueshme në rritje të Stuttgartit, të cilat më pas u plotësuan nga anglezët. Për këtë çështje ndërhyri ashpër një legjendë e Bayern dhe anëtar i bordit drejtues, Karl-Heinz Rummenigge: “Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse t’i përgëzoj ata të Stuttgart, kanë qenë idiotë ata që kanë paguar një shifër të tillë”. Sot Juventus do të shijojë “zotërinë 90 milionësh”, me një huazim me pagesë, duke shpresuar se ai mund t’i ndihmojë bardhezinjtë të arrijnë objektivat e vendosur në fillim të sezonit.