
Jennifer Aniston po shijon prej më shumë se një viti lidhjen me hipnoterapistin dhe trajnerin e zhvillimit personal Jim Curtis, por martesa nuk është aspak në planet e saj.
Sipas burimeve pranë çiftit, 57-vjeçarja është shumë e lumtur në këtë marrëdhënie, por ka vendosur të mos martohet më.
“Janë ende shumë, shumë të lumtur. Por nuk kanë ndërmend të martohen. Jen betohet se nuk do të martohet më kurrë”, tha një burim për Page Six.
Aniston, e cila ka qenë e martuar më parë me Brad Pitt dhe Justin Theroux, këtë herë ka zgjedhur ta bëjë lidhjen e saj më publike.
Curtis është fotografuar me të gjatë pushimeve dhe është bërë pjesë e rrethit të saj të ngushtë të miqve, përfshirë Courteney Cox dhe Jason Bateman.
Burimet thonë se marrëdhënia po funksionon sepse Aniston ndihet e sigurt dhe nuk ka nevojë të konkurrojë apo të përpiqet vazhdimisht ta mbajë partnerin pranë vetes.
Edhe vetë aktorja e ka bërë të qartë prej vitesh që nuk dëshiron të martohet sërish. Në vitin 2022, ajo deklaroi: “Mos thuaj kurrë, por nuk kam interes.” Megjithatë, shtoi se do të dëshironte një marrëdhënie ku të kishte dashuri dhe mbështetje.
Ndërkohë, Aniston e ka përshkruar Curtis si “të jashtëzakonshëm” dhe shumë të përkushtuar për të ndihmuar njerëzit.