
Vin Diesel është përballur me një valë reagimesh dhe talljesh në rrjetet sociale pas homazhit të tij për Dolly Parton, e cila u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare pas një beteje të fshehtë me kancerin.
Aktori 59-vjeçar publikoi në Instagram një regjistrim audio ku këndon versionin e tij të këngës ikonike “I Will Always Love You”, ndërsa zëri i tij dëgjohet duke u dridhur nga emocionet.
Kënga u shkrua dhe u interpretua fillimisht nga Dolly Parton në vitin 1973, ndërsa versioni më i famshëm mbetet ai i Whitney Houston, i realizuar për filmin “The Bodyguard” në vitin 1992.
Megjithatë, interpretimi i Diesel nuk u prit mirë nga një pjesë e madhe e përdoruesve të rrjeteve sociale.
“Kur e pashë në Twitter mendova se ishte shaka. Çfarë po bën?”, shkroi një komentues.
Të tjerë e cilësuan interpretimin si “shumë të çuditshëm”, ndërsa një tjetër shkroi me ironi: “A nuk kemi vuajtur mjaftueshëm?”
Një koment edhe më i ashpër shkruante me shaka: “Ky version është në fakt ajo që e vrau.”
Një tjetër përdorues i kërkoi aktorit ta fshinte publikimin brenda 24 orësh, ndërsa dikush tjetër pyeti me ironi se sa kishte kushtuar realizimi i regjistrimit në studio.
Megjithatë, jo të gjithë reagimet ishin negative. Disa fansa dolën në mbrojtje të aktorit, duke e konsideruar homazhin të sinqertë dhe emocional.
“Mendoj se kjo është në fakt shumë e bukur”, shkroi një prej tyre, ndërsa një tjetër komentoi: “Lëreni të qetë. Nuk mund ta kritikoni një njeri pse shpreh emocionet e tij.”
Diesel nuk është krejtësisht i panjohur në botën e muzikës. Gjatë pandemisë së COVID-19, aktori provoi një karrierë të shkurtër muzikore dhe publikoi këngët “Feel Like I Do” dhe “Days Are Gone”.
Ndërkohë, “I Will Always Love You” ka një histori të veçantë. Parton e shkroi këngën pas vendimit për t’i dhënë fund bashkëpunimit profesional me mentorin dhe partnerin e saj të biznesit, Porter Wagoner, ndërsa përgatitej të niste karrierën solo.
Kënga u bë një sukses i madh dhe Parton madje refuzoi mundësinë që Elvis Presley ta regjistronte, pasi menaxheri i tij kërkoi gjysmën e të drejtave të autorit.
Pas vdekjes së Parton, e cila u nda nga jeta më 25 gusht, u bë e ditur se këngëtarja po përballej në fshehtësi me kancerin, megjithëse lloji i sëmundjes nuk është bërë publik.
Dolly Parton do të prehet pranë bashkëshortit të saj, Carl Dean, në Woodlawn Memorial Park and Mausoleum në Nashville.