Shqipëria është plot me monumente të autoritarizmit politik që i janë imponuar qytetarëve pa pëlqimin e tyre. Zvërneci ishte rasti më i fundit i një megaprojekti që kryeministri dhe një rreth i ngushtë oligarkësh pranë tij e krijuan në errësirë të plotë dhe ia imponuan banorëve të Zvërnecit dhe qytetarëve të Shqipërisë, pa i pyetur fare.
Por monumenti më shembullor, edhe pse jo më i rëndësishëm, i qeverisjes autoritare të kryeministrit po ndërtohet në Durrës, si gjithmonë në kulmin e sezonit turistik. Bëhet fjalë për një mur të gjatë me kolona të larta betoni në buzë të detit tek shëtitorja e Vollgës. (Shiko foton 1)
Foto 1. Struktura e re e ngritur në Vollga, nga Bashkia e Ramës në Durrës, qershor, 2026. Burimi. Foto e bërë nga autori

Qytetarët durrsakë janë ndarë në dy grupe në lidhje me emërtimin e këtij monumenti. Një pjesë thonë se duket si një tren që është parkuar në buzë të detit. Pjesa tjetër e kanë emërtuar “tuneli prej betoni” sepse në fakt po të futesh mes kolonave perspektiva të krijon përshtypjen e të qenurit në një tunel, sikurse e tregon edhe fotografia e mëposhtëme e vetë projektit:
Foto 2. Imazh nga projekti. Burimi. Foto nga projekti e publikuar në internet

Pavarësisht nga dallimet në emërtimin e projektit ajo që i bashkon të gjithë qytetarët durrsakë me të cilët kam folur është zhgënjimi i thellë me këtë monument betoni. Nuk është e nevojëshme as të jesh inxhinier apo arkitet të kuptosh përse.
Nga njëra anë kollonat e betonit ngushtojnë edhe më shumë shëtitoren, pikërisht në pikën e saj më të ngushtë, mes pistës dhe Sfinksit. Nga ana tjetër, dhe kjo është ajo që i indinjon qytetarët, në perspektivë kollonat krijojnë një mur prej betoni që të bllokon pamjen e detit, sikurse e tregon qartë fotografia 1 më sipër.
Monumenti prej betoni krijon një mur ndarës mes qytetarëve dhe detit. Ai bllokon pamjen e detit, ose tërësisht kur je në fillim të tunelit, ose pjesërisht kur je në mes të tij, sidomos në trajektoren mes pistës dhe sfinksit. Gjëja e parë që sheh qytetari në këtë trajektore janë kollonat e betonit dhe jo deti.
Thelbi i një shëtitoreje buzë detit është të shohësh detin, jo pjesërisht, jo të fragmentuar, jo të cunguar pas kolonave të betonit, por në tërësinë e madhështisë së tij.
Nuk ka gjë më madhështore se pamja e plotë e detit dhe horizontet që hap ai, në mendje dhe në shpirt. Sado të bukura të jenë kollonat e betonit bojëqelli që ka vendosur Bashkia e Ramës në Durrës, ato nuk mund të zëvendësojnë mrekullinë natyrore të detit.
Me siguri kryeministri do na thotë se monumenti në fjalë është një kryevepër e arkitekturës evropiane, që injorantë mosmirënjohës si ne nuk e kuptojnë, sepse ëshë konceptuar nga arkitekti spanjoll me famë botnore Ricardo Bofilli.
E megjithatë mendoj se Bofillit, pavarësisht famës dhe pasurisë që ka akumuluar, askush nuk do i kish lejuar një eksperiment të tillë kaq brutal në bregdetin spanjoll. Edhe në Shqipëri, po t’ia kishin prezantuar projektin qytetarëve të Durrësit kushdo prej tyre mund t’ia kish shpjeguar për pesë minuta në kafe Ramës dhe Bofillit budallëkun e një tuneli apo treni prej betoni buzë detit.
Problemi është se as Bofilli, as Rama dhe as Bashkia e tij në Durrës nuk u konsultuan as me qytetarët, as me intelektualët, as me shoqatat e qytetit dhe as me bizneset e shumëta në shëtitore. Ata thjesht e konceptuan dhe e imponuan projektin duke injoruar tërësisht qytetarët që janë të dënuar të bashkëjetojnë me të, edhe pse ai realizohet me paratë e taksave të tyre.
Këtu buron edhe brutaliteti i i këtij projekti, në arrogancën me të cilën është imponuar nga lart. Nuk është çudi që ai të ketë lindur fillimisht në kokën e kryeministrit dhe vetëm më pas të jetë legjitimuar me emrin e Ricardo Bofillit. Në fund është zbatuar me zell nga Bashkia që më shumë se Durrësit tashmë i përket Ramës.
Nuk është hera e parë që Bashkia jonë punon në funksion të vizionit të kryeministrit në Tiranë më shumë se për interesin e qytetarëve të Durrësit. Në fund të bulevardit tregtar të Durrësit, përballë portit, u imponua me insistimin e kryeministrit një tjetër monstruozitet me emrin Veliera, një velë e madhe metalike që bashkë me nën kalimin kushtoi 11 milion euro dhe varrosi një zbulim të rëndësishëm arkeologjik në atë zonë. (shiko: https://www.gazetatema.net/sociale/si-u-transformua-veliera-ne-nje-elefant-te-bardhe-per-durresin-i419914 ).

Foto 3. Shehi Veliera në Durrës tek hyrja e portit
Ndërkohë u injoruan nga kryeministri protestat dhe kundërshtimet nga shoqëria civile, arkeologët dhe urbanistët lokal që kundërshtuan ndërtimin e këtij monumenti me hekur dhe beton, sepse varroste një zbulim të rëndësishëm arkeologjik dhe eklipsonte Torrën Veneciane.
Veliera është një tjetër monument i autoritarizmit politik që iu imponua Durrësit nga lart pa marrë parasysh nevojat dhe dëshirat e banorëve të tij. Ndaj ajo përbën një burim irritimi dhe bezdie për shumicën e qytetarëve durrësak.
Kur zbret nga Bulevardi Tregtar (sot Bulevardi Epidamn) Veliera shfaqet si një mur metali që të bllokon horizontin. Pikërisht aty ku më parë shikoje pikëtakimin magjik të qiellit me detin sot shikon një fashë metali të bardhë. Ajo bllokoi qiellin dhe detin, që në pafundësinë e tyre duket se e bezdisin autoritarizmin sepse e bëjnë të ndihet shumë i vogël.
Foto 4. Pamja e Velierës nga fillimi i Bulevardit Tregëtar (Bulevardi Epidamn).

Është për tu habitur se si Kryeminsitri dhe Bashkia në Durrës harxhojnë miliona euro për të ndërtuar mure betoni dhe hekuri që i bllokojnë horizontin dhe detin qytetarëve dhe nuk shqetësohen aspak për gërrmadhat e rrezikëshme që ndodhen në zemër të zonës turistike të Durrësit, siç është Hotel Vollga.
Natyrisht renovimi i këtij hoteli nuk është detyrë e bashkisë dhe as përgjegjësi e saj. Ama me një fraksion të kostos së tunelit të betonit mund të ndërtohej një fasadë e përkohëshme, një pëlhurë e pikturuar që e fsheh rrënimin, pisllëkun dhe rrezikun e kësaj godine që për vite me rradhë u transformua në nevojtore publike.
Aq më tepër kur ende qytetarët dhe turistët vazhdojnë të kalojnë nën strehën e saj të rrënuar që herët a vonë mund ti bjerë në kokë ndonjë kalimtari, turisti apo fëmije.
Shumë pranë Hotel Vollgës ndodhet një tjetër godinë e rrënuar, muzeu i vjetër arkeologjik, që prej vitesh është transformuar në vendgrumbullim plehrash në zemër të zonës turistike të Durrësit. Edhe këtu Bashkia nuk ka menduar të vendosë ndonjë fasadë të përkohëshme mbrojtëse dhe estetike.
Në vend që të kujdeset për godina të tilla që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin.
Janë monumente të autoritarizmit politik burtaliteti i të cilave buron nga një qeverisje e shëmtuar që i imponohet dhe synon nënshtrimin e qytetarit në vend që të frymëzohet nga ai.
Shkruar enkas për Lapsi.al, nga Blendi Kajsiu
