Nëse ka një aftësi që i duhet njohur absolutisht Edi Ramës, është përdorimi deri në poshtërim i të gjithë atyre që ka nën vete apo që i shërbejnë pushtetit të tij. Rasti më i fundit, kur kjo aftësi u shfaq me gjithë shkëlqimin e saj, ishte rrëmbimi nga Agron Shehaj i një marrëveshje sekrete me SHBA në zyrat e Kuvendit. Skena ku deputeti vraponte me letrat në duar ishte më shumë se qesharake, por sulmi i koordinuar ndaj tij i kaloi kufijtë e një komedie.
E ndërsa vetë kryeministri u mundua t’i qëndrojë kornizës së groteskut duke përdorur një krahasim banal alla Shefqet Musaraj të ballistit që vjedh pula në kotec, lukunia e ushtarëve të tij kaloi përtej çdo imagjinate. Gratë socialiste të Kuvendit bënë një deklaratë serioze ku e akuzonin Gonen se duke vjedhur dokumentin ishte bërë shkak që një zonjë ta ndiqte nga pas e për pasojë të rrëzohej nga shkallët. Burra deputetë e ministra kërkuan me tone solemne arrestimin në flagrancë të Shehajt, ndërhyrjen e SPAK dhe hetime të thella mbi aktin e tij. Dhe si gjithnjë, kur çdo pushtet degradon në pikën e fundit, nuk mund të mungonin zarat mediatikë të Ramës që tek vrapimi i Agron Shehajt konstatuan gjurmët e shërbimeve sekrete iraniane, italiane, siriane, që synonjnë të krisin marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA.
Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.
Në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, pak rëndësi nëse janë 74, 84 apo 104, krejt deputetët kanë marrë formën e Taulant Ballës. Të gjithë u morën me Gonen dhe askush nuk bëri pyetjen nëse opozita kishte të drejtë apo jo të njihej me marrëveshjen një javë përpara se të votohej. Të gjithë në kor, burra e gra, iu turrën Agron Shehajt për të mbuluar poshtërimin dhe trajtimin e tyre thjesht si numra. Ndërsa në media, gjithnjë aftësia e Ramës për të asgjesuar çdo individualitet tek shërbëtorët e tij, ka bërë të duken njësoj si ata që i shërbejnë për interes ashtu edhe kllounët e studiove periferike dhe sharlatanët pleq që gjejnë jehonë me idiotësitë e tyre.
Kur shërbimi ndaj dikujt kryhet edhe me çmimin e personalitetit, padyshim që produkti do të jetë ky që shohim. Edi Ramës nuk u duhen njerëz që mendojnë apo sugjerojnë dhe kurthi i pushtetit të tij nuk ia lejon dot askujt prej shërbëtorëve që të guxojë të ngrejë kokë. Për të gjithë që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur, ai ka në dorë diçka. Diku një dosje, diku tjetër një koncension, një rrogë apo një vend pune. Mjeshtër i thurrjes së rrjetës mafioze, ai i ka shndërruar në insekte që as krahët nuk përpëlisin dot.
Atij i duhet që kopeja që drejton me shkop të merret me vjedhjen e Gones dhe jo me hajdutërinë e tij. Ata duhet të bërtasin që SPAK të arrestojë dikë që grabit letra dhe jo atë që grabit Shqipërinë. Duhet të hetohet vila e Agron Shehajt në Itali dhe jo pallati i Ramës në Surrel dhe shtëpia në Bllok, paratë e AKSH-it për familjarët e kryeministri apo licensat e kazinove për shokët e vëllait.
Dy muajt e protetstës treguan se deri në çfarë pike mund të katandisen ata që i shërbejnë Edi Ramës. Në periudha të qeta, shërbimi mund të jetë i shëmtuar, por kur kryeministri është në hall ai shndërrohet në poshtërim. Ata që sulmojnë Shehajn sot për hallin e Ramës, janë të njëjtit, ekzaktësisht të njëjtit, që sulmuan organizatorët e protestave si agjentë të Iranit, si aktivistë të Albinit, si kolonë e pestë e grekëve, si esktremistë muslimanë. Në kopenë e pushtetit nuk ka rëndësi emri, profesioni, karriera, integriteti. Të gjithë marrin pamjen e një fytyre të vetme kur padroni i thërret në kauzë.
Ata nuk kanë turp të flasin për pulën që vodhi Agroni, ndërkohë që vetë kakarisin në kotecin e Edi Ramës. Tani të paktën janë në mes të sheshit dhe po i shohin të gjithë. ©lapsi.al

