Flash

Blendi Kajsiu: Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Blendi Kajsiu: Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

Blendi Kajsiu 22 July 2026

“Shqipëria e Re” është ndoshta koncepti politik më i rëndësishëm dhe më pak i studiuar i protestës sociale më të bukur dhe më madhështore që ka ndodhur në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. 

Rëndësia dhe potenciali politik i këtij koncepti qëndron në dimensionin e tij të dyfishtë si aspiratë nga njëra anë dhe standart politik nga ana tjetër.

Si aspiratë politike “Shqipëria e Re” shërben si një shënjues bosh që artikulon kërkesat e grupeve të ndryshme politike dhe sociale. Është një hapësirë që mbushet me aspiratat e grupeve të  shumta që janë bashkuar në protestë, majtas dhe djathtas. 

Për ambientalistët Shqipëria e Re është vendi ku respektohet ambienti dhe nuk betonizohet natyra. Për socialistët e vërtetë Shqipëria e Re është vendi ku pabarazia nuk thellohet pafund dhe ku zhvillimi është përfshirës dhe jo përjashtues. 

Për nacionalistët Shqipëria e Re përfaqëson shtetin ku interesi i kombit vendoset mbi atë të politikanit dhe ku llokmat më të mira të territorit shqiptar nuk nxirren në shitje për të fituar kapital politik në Uashington. 

Për të rinjtë Shqipëria e Re është vendi ku ata kanë të ardhme, edukim cilësor, punësim të denjë dhe mundësi që nuk varen nga tarafi apo nga nënshtrimi brenda klientelës politike që ka thurur pushteti.  Është demokracia ku liderët nuk plaken dhe riciklohen në pushtet duke e përdorur rininë si makiazh. 

Për qytetarin demokratik, nga ana tjetër, Shqipëria e Re është një sistem politik ku ekziston demokracia brenda dhe jashtë partive, ku pushteti publik nuk privatizohet për interesa personale, ku vendimmarrja përfill dhe dëgjon zërin qytetar, ku qytetari është i lirë të shprehet, ku vota nuk jepet në shkëmbim të një vendi pune apo të parave, ku mediat qajnë hallet e qytetarëve dhe jo të pronarëve dhe pushtetarëve. 

Ky artikulim i fundit është ndoshta më i rëndësishmi jo vetëm sepse përbën emëruesin e përbashkët të aspiratave të tjera por edhe sepse prezanton me forcë në skenën tonë politike një standart politik që ish zbehur prej kohësh.  

Shqipëria e Re si një standart demokratik është kritika më e rëndë që i bëhet sistemit tonë politik ku pushteti dhe shteti privatizohen sipas oreksit të liderit. Ku liderët transformohen në të përjetëshëm dhe të domosdoshëm duke eleminuar garën politike, pluralizmin dhe demokracinë brenda partive. 

Shqipëria e Re si një standart politik që insiston tek pjesmarrja e qytetarëve në vendimarrje, tek ruajtja e institucioneve dhe hapësirës publike nxjerr me forcë në pah sistemin aktual të qeverisjes ku merr pjesë vetëm shefi i madh. Madje ky shpesh nuk informon as ministrat dhe jo më qytetarët që i përçmon me pasion.

Përballë degradimit të qeverisjes aktuale protesta ofron një standart politik që jo vetëm ish harruar por që dukej edhe krejt i pamundur për shumicën e shqiptarëve. 

Sistemi ynë politik dhe mediatik e kish normalizuar kaq thellë mungesën e alternativës politike, privatizimin e pushtetit publik për interesa private, saqë dukeshin utopike standarte demokratike minimale, siç janë vendimmarrja në funksion të interesit publik, ripërtëritja e skenës politike apo partitë politike publike dhe jo private.  

Debati bosh Rama-Berisha që dominonte ligjërimin tonë politik shërbente për normalizimin e degradimit të sistemit tonë politik sipas llogjikës se shqiptarët ishin të dënuar të zgjidhnin të keqen më të vogël. Dikush argumentonte se kjo e keqe ishte Berisha dhe dikush se ajo ishte Rama, a thua se kishim të bënin me dy opsione të ndryshme dhe jo me të njëjtin degradim të pushtetit politik.

Shumica e mediave, gazetarëve dhe analistëve që denonconin pafund berishizmin për privatizimin e pushtetit, korrupsionin dhe dhunimin e demokracisë brenda dhe jashtë PD-së injoronin tërësisht të njëjtat fenomene në rastin e Ramës që e ka kthyer Partinë Socialiste, ekzekutivin dhe parlamentin në zgjatime të kapriçove të tij personale.

Në të njëjtën mënyrë ata që denonconin pafund korrupsionin dhe autoritarizmin e Ramës nuk hezitonin të rrjeshtoheshin përkrah apo në mbrojtje të berishizmit. Për pasojë thirrjet e tyre në mbrojtje të votës së lirë apo kundër korrupsionit ramist binin në vesh të shurdhër, pasi shkriheshin brenda sfondit argumentues që shërbente thjesht për të mbajtur Berishën përjetësisht në krye të PD-së.  

Në këto kushte mediat dhe analistët tanë kryesorë e kanë trajtuar përjetësimin e Ramës në krye të PS-së dhe të Berishës në krye të PD-së në rastin më të mirë si fatalitete të pashmangëshme politike dhe në rastin më të keq si domosdoshmëri demokratike. 

Ata që rrjeshtoheshin me pushtetin deklaronin se Rama dhe qeverisja e tij, pavarësisht të metave, ishte standarti politik më i lartë që mund të ëndërronin shqiptarët. Ndërkohë që analistët e rrjeshtuar krah berishizimit argumentonin se Berisha ishte istikami i fundit demokratik përballë regjimit Rama. Ndaj shqiptarët ishn të dënuar të zgjidhnin të keqen më të vogël, por kurrësesi nuk mund të ëndërronin të mirën më të madhe.   

Protesta qytetare e rrëzoi standartin mjeran të së keqes më të vogël dhe krijoi një hapësirë politike ku shqiptarët mund të ëndërronin përsëri për një demokraci të vërtetë ku nuk ishin të dënuar të zgjidhnin përjetësisht mes Taulant Ballës dhe Flamur Nokës. 

Me thirrjet e tyre “Shqipëria e Re” ringritën standartin e rrëzuar demokratik që demaskon privatizimin e partive politike, që denoncon privatizimin e pushtetit dhe kapjen e shtetit nga oligarkët, nga lideri dhe lakejtë e tij, në dëm të interesit publik. Qytetarët refuzuan reduktimin e qytetarit në rob të pushtetit apo të partive të privatizuara.  

Protesta e ringriti standartin demokratik duke e trupëzuar dhe materializaur atë në praktikë. Në protestë dolën qytetarët e lirë, që nuk ishin robër të pushtetit apo të partive politike. Ndryshe nga partitë politike protesta në asnjë moment nuk u privatizua nga lidershipi i saj. Motivi i saj nuk ishte interesi privat por ai publik, mbrojtja e ambientit, e demokracisë, dhe e shtetit shqiptar nga kthetrat e autoritarizmit dhe korrupsionit në pushtet.  

Në këtë mënyrë “Shqipëria e re” u transformua nga një aspiratë në një realitet që ofronte standartin e munguar në skenën tonë politike. Vetë protesta u kthye në standartin demokratik që propozonte. 

Ajo u transformua në një dritare të Shqipërisë së Re që ajo aspironte dhe kërkonte si standart politik. Aty qytetarët morën pjesë me dinjitet, të lirë, pa frikë dhe në shërbim të interesit publik dhe jo të hallit të liderit. Standarti politik tashmë nuk ishte vetëm i domosdoshëm por edhe i mundëshëm.  

Në fakt, nuk bëhet fjalë për një standart apo aspiratë politike tërësisht te re, por për një refren që rilind dhe artikulohet në mënyrë ciklike nga rinia shqiptare sa herë sistemi ynë politik degradon thellë. 

Koncepti i Shqipërisë së Re mund të gjurmohet që në luftrat tona për pavarësi nga Perandoria Osmane që mund të interpretohen si përpjekje për të krijuar një Shqipëri të Re, moderne, evropiane dhe të cliruar nga zgjedha osmane. 

Në këtë kontekst mund të kuptohet edhe lindja e rrymës filozofike Neoshqiptarizma në fund të viteve 1920 nën udhëheqjen e Branko Merxhanit. Në thelb ishte një përpjekje për të krijuar një Shqipëri të Re, moderne dhe evropiane, të çliruar nga prapambetja, fanatizmi,  përçarja dhe krahinorizmi osman.  

Ndonëse Shqipëria u pavarësua me sukses aspirata e një Shqipërie të Re nuk u materializua plotësisht. Produkti polititk final i pavarësisë ishte monarkia Zogiste. Ndonëse me fasadë evropiane ajo ishte e mbarsur me një llogjikë qeverisëse po aq anti-demokratike, autoritariste dhe të personalizuar sa qeverisja osmane. 

Ishte degradimi politik i zogizmit që krijoi hapësirën dhe kushtet për zhvillimin politik të komunizmit në Shqipëri, sidomos tek rinia, që premtonte një tjetër “Shqipëri të re” më demokratike, pa shtypje dhe shfrytëzim, pa mjerim dhe pabarazi, më moderne, më të zhvilluar dhe më të lirë.

E dimë tashmë se premtimi komunist i Shqipërisë së Re degradoi në regjimin dhe liderin politik më të errët që ka prodhuar vendi ynë, që e transformoi Shqipërinë në një burg të madh sidomos për rininë shqiptare dhe aspiratat e saj.

Nuk është çudi që kjo fundit u çua në protesta për të kërkuar një Shqipëri, tashmë si e gjithë Evropa. “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa” ishte thirrja e rradhës për një Shqipëri të re, ku artikuloheshin aspiratat demokratike, politike dhe ekonomike të koalicionit plural qytetar që rrëzoi komunizmin në fillim të viteve 1990.

Edhe kësaj rradhe premtimi i një Shqipërie të re eventualisht përfundoi në një sistem politik që gjithnjë e më shumë po i ngjan atij që rinia rrëzoi në vititn 1991. Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje.

Për pasojë sot përsëri buçet thirrja për një “Shqipëri të re”. Është një sirenë alarmi për degradimin e skenës sonë politike, një aspiratë për përmirësimin e demokracisë sonë, por edhe një standart që vazhdimisht përballet me degradimin e aspiratave tona politike. 

Ndaj nuk është çudi që “Shqipëria e re” të transformohet në konceptin politik më të rëndësishëm, më përbashkues dhe më mobilizues që do të prodhojë protesta qytetare. 

Shkruar nga Blendi Kajsiu enkas për Lapsi.al 

 

Të këshilluara

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

ide

Blendi Kajsiu: Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI