
Shqipëria rrezikon në një tjetër arbitrazh ndërkombëtar, fatura e të cilit mund të jetë shumë më e rëndë sesa ndonjë kompani tjetër është dëmshpërblyer ndonjëherë. MABCO ka paralajmëruar se dëmi që pretendon nga shteti shqiptar mund të arrijë deri në 700 milionë euro, një shifër që sigurisht do të duhet të provohet me ekspertiza financiare dhe nuk mund të merret sot si fakt i kryer.
Por po aq i nxituar është edhe përfundimi tjetër që po përpiqen të imponojnë disa media që deri dje justifikonin Valon Ademin, ndërsa sot po shfaqen si avokatë të qeverisë, sipas të cilit kompania e Behgjet Pacollit nuk ka asnjë shans përballë shtetit shqiptar, meqënëse
1) aeroporti u bllokua nga konflikti mes ortakëve dhe
2) sepse MABCO tentoi ta përfshinte projektin në kredinë e Delphos.
Këto janë dy argumentet që po përdoren për të ndërtuar narrativën se përgjegjësia nuk është e shtetit, por e sjelljes së MABCO.
Vetëm se këto dy argumente do peshohen nga një arbitrazh ndërkombëtar. Arbitrazhi ka në fokus si u soll shteti shqiptar, përmes organeve të tij, nëse i hoqi investitorit kontrollin mbi investimin, nëse e pengoi të administronte projektin dhe më pas nëse e penalizoi pikërisht për pasojat që u krijuan nga ky bllokim.
Duhet kuptuar që çështja është mes MABCO dhe shtetit shqiptar dhe në momentin që në konflikt hynë gjykatat, policia, ministria dhe më pas procedurat për prishjen e kontratës, çështja nuk mbetet më private. Ajo kthehet në një konflikt mes investitorit dhe shtetit shqiptar.
Konflikti mes Pacollit dhe Valon Ademit, si ndërhyri shteti

Është e vërtetë se mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit shpërtheu një mosmarrëveshje për 47 për qind të aksioneve të kompanisë koncesionare. Po aq e vërtetë është se Pacolli më vonë mohoi vlefshmërinë e dokumenteve mbi të cilat mbështetej transferimi i këtyre aksioneve, ndërsa Ademi pretendoi të kundërtën. Për këtë arsye palët iu drejtuan gjykatave shqiptare. Deri këtu kemi një konflikt të zakonshëm korporativ, i cili mund të ndodhte në çdo vend të botës.
Por ajo që ndodhi më pas e ndryshoi krejt natyrën e çështjes.
Objekti i mosmarrëveshjes ishin vetëm 47 për qind e aksioneve. Megjithatë, masat e sigurimit të dhëna nga gjykatat nuk prekën vetëm këtë pjesë të aksioneve. Ato pezulluan ushtrimin e të drejtave të MABCO-s mbi kuotën që zotëronte në shoqëri, duke i hequr praktikisht aksionerit me 98 për qind kontrollin mbi kompaninë koncesionare dhe duke ia lënë administrimin efektiv ortakut që zotëronte vetëm 2 për qind.
Këto vendime të gjykatave e dobësojnë argumentin “sherri mes ortakëve”.
Konflikti për vetëm 47 për qind të aksioneve prodhoi si efekt bllokimin e gjithë vendimmarrjes së aksionerit që zotëronte 98 për qind të shoqërisë. Për muaj të tërë, MABCO pretendoi se nuk mund të administronte kompaninë, nuk mund të merrte vendime dhe nuk mund të ushtronte të drejtat që i jepte pozicioni i saj si aksionere shumicë.
Nga ky moment, del qartë se organet e shtetit ndërhynë në një investim privat. Konflikti mes Pacollit dhe Ademit për 47% të aksioneve del në plan të dytë si një mosmarrëveshje e rëndomtë.
-
Besa e Edi Ramës dhe pengmarrja e Aeroportit të Vlorës
25 Korrik, 15:40
Edhe më problematik është fakti se ky regjim juridik nuk mbeti në fuqi deri në fund.
Më 26 maj 2026, Gjykata e Lartë ndryshoi vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke rikthyer të drejtat e MABCO-s për administrimin e aeroportit. Me fjalë të tjera, për disa muaj projekti funksionoi mbi bazën e një mase sigurimi që më pas u konsiderua e pabazuar nga gjykata më e lartë e vendit.
Kjo është një rrethanë që në arbitrazh nuk kalon pa u analizuar.
MABCO duhet të provojë diçka të thjeshtë: se vendimet e organeve shtetërore prodhuan pasoja konkrete mbi investimin e saj. Se për muaj të tërë kompania humbi kontrollin efektiv mbi projektin, ndërkohë që kreditë, interesat bankare, kontratat me nënkontraktorët dhe kostot e ndërtimit vazhdonin të rridhnin normalisht.
Ka edhe një aspekt tjetër që duhet kuptuar për vendimin përfundimtar. Në arbitrazhin ndërkombëtar nuk gjykohet qeveria si shumicë politike. Gjykohet Republika e Shqipërisë.
Për të drejtën ndërkombëtare nuk ka rëndësi nëse një dëm është shkaktuar nga ministria, nga gjykata apo nga një organ tjetër publik. Të gjitha këto konsiderohen organe të të njëjtit shtet dhe veprimet e tyre i atribuohen shtetit shqiptar. Kjo do të thotë se Tirana nuk mund të mbrohet thjesht me argumentin se “vendimet i morën gjykatat dhe jo qeveria”. Në një arbitrazh, kjo ndarje nuk e përjashton përgjegjësinë e shtetit.
Pikërisht për këtë arsye kronologjia e ngjarjeve është në anën e MABCO, që pretendon se për muaj të tërë iu mohua administrimi i projektit, ndërkohë që investimi vazhdonte të mbante mbi vete barrën e financimit.
Edhe pasi Gjykata e Lartë rrëzoi masat që kishin paralizuar kompaninë, ministria kaloi në fazën e penaliteteve dhe më pas në procedurat për zgjidhjen e kontratës. Pikërisht ky zinxhir veprimesh është ai që pritet të jetë në qendër të arbitrazhit dhe jo debati se cili prej dy ortakëve kishte të drejtë për 47 për qind të aksioneve.
Kredia e Delphos, si kartë e djegur

Elementi i dytë mbi të cilin po ndërtohet narrativa se MABCO nuk ka shanse në arbitrazh është kredia 100 milionë euro e marrë nga fondi luksemburgas Delphos. Për muaj të tërë kjo histori u shoqërua me stërhollime për kapital rus, struktura offshore dhe rrezik që Aeroporti i Vlorës të përfundonte në duart e palëve të treta. Sot, edhe avokatët e rinj të Ministrisë së Infrastrukturës e refuzojnë këtë përrallë.
Ata ngrenë si argument një situatë hipotetike, që nuk ka ndodhur, por që mund të kishte ndodhur. Bëhet fjalë për një se opsion sikur marrëveshja e huasë parashikonte që në një fazë të mëvonshme VIA të futej si huamarrëse shtesë përmes nënshkrimit të të ashtuquajturës Accession Letter.
Po pranohet nga të gjithë se kjo letër nuk u firmos asnjëherë nga administratorët e VIA. Si rezultat, kompania koncesionare nuk u bë kurrë palë në marrëveshjen e financimit. Edhe vetë Delphos ka deklaruar në një letër me shkrim të botuar në media se Vlora International Airport nuk është palë në kontratën e huasë dhe mbi asetet e saj nuk ekziston asnjë barrë, peng apo garanci në favor të fondit.
-
Pse duhet hetuar zinxhiri i pushtetit që mban peng Aeroportin e Vlorës
30 Qershor, 19:43
Kjo është arsyeja pse Delphos mund të jetë objekt bisedash në kafene, por nuk mund të paraqitet si fakt në arbitrazh. Shteti mund të argumentojë se MABCO tentoi të kryente një veprim në kundërshtim me kontratën e koncesionit. MABCO, nga ana tjetër, do të përgjigjet se ai veprim nuk u realizua kurrë dhe se aeroporti nuk u bë asnjëherë pjesë e marrëveshjes së huasë. Në fund, tribunali nuk gjykon bazuar mbi skenarët që mund të kishin ndodhur, por mbi faktet që prodhuan pasoja konkrete.
Ndërkohë ekziston një financim tjetër, për të cilin nuk ka asnjë debat. Kredia prej rreth 56 milionë euro e marrë në Bankën Kombëtare Tregtare është financimi mbi të cilin u ndërtua aeroporti. MABCO pretendon se përveç kësaj kredie ka injektuar edhe kapital të vetin, ka vendosur garanci dhe kolaterale me vlera shumë më të larta se shuma e huasë dhe ka mbajtur mbi vete barrën financiare të projektit.
Ky është argument që pritet të përdoret në arbitrazh: ndërkohë që investitori vazhdonte të paguante interesat dhe të mbante mbi shpinë financimin e projektit, ai pretendon se shteti e kishte përjashtuar nga administrimi i investimit të tij.
Pse ndërhyri ministria vetëm në fund?

Një tjetër pikë që mund ta vërë shtetin në pozitë të vështirë është kronologjia e veprimeve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Nëse qeveria ishte e bindur se koncesionari kishte shkelur afatet pse nuk ndërhyri në momentin kur projekti filloi të devijonte nga grafiku i punimeve? Pse për muaj të tërë konflikti u konsiderua si një çështje mes ortakëve, ndërkohë që vendimet e gjykatave kishin paralizuar administrimin e kompanisë?
Ajo që është përfolur gjithnjë, është se Rama ia besoi Belinda Ballukut operacionin e përzënies së Behgjet Pacollit nga aeroporti i Vlorës. Por kjo zgjati deri në 26 maj 2026, kur Gjykata e Lartë vendosi në favor të MABCO-s. Ishte pika e kthesës që i riktheu MABCO-s në administrim aeroportin e Vlorës dhe e detyroi Ramën të marrë një vendim duke nxjerrë Belinda Ballukun nga ekuacioni.
Pikërisht pas 26 Majit, Ministria e Infrastrukturës ndryshoi qasje. Meqënëse aeroporti ishte sërish në duart e Pacollit, ministri Enea Karakaçi u dha palëve një afat 30-ditor për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe paralajmëroi penalitete për vonesat. Më pas nisi procedura që çoi në prishjen e kontratës së koncesionit.
Kjo kronologji, që nxjerr standartin e dyfishtë të qeverisë në raport me dy ortakët, Valon Ademi dhe Behgjet Pacolli, është ajo që MABCO pritet të vendosë në qendër të arbitrazhit.
Kompania do të argumentojë se për muaj të tërë shteti toleroi një situatë ku aksioneri me 98 për qind të kuotave ishte i përjashtuar nga kontrolli i projektit, ndërsa sapo kjo situatë u përmbys nga Gjykata e Lartë, administrata nisi procedurat që përfunduan me heqjen e koncesionit.
Nëse ky argument do të bindë apo jo tribunalin, mbetet për t’u parë. Por ai është shumë më i fortë sesa debati nëse Pacolli dhe Ademi kanë pasur apo jo mosmarrëveshje mes tyre.
Në arbitrazh nuk do të diskutohet nëse Behgjet Pacolli është një biznesmen i mirë apo i keq. Nuk do të gjykohet as nëse Valon Ademi kishte të drejtë të padiste ortakun e tij. Këto janë çështje që u përkasin proceseve gjyqësore në Shqipëri.
Tribunali do të shohë kush e financoi projektin, kush mbajti barrën e kredisë bankare? Kush kishte 98 për qind të aksioneve? Kush u përjashtua nga administrimi? Çfarë vendosën gjykatat? Çfarë rrëzoi Gjykata e Lartë? Çfarë bëri administrata publike gjatë kësaj periudhe? Dhe, mbi të gjitha, a ekziston një lidhje shkakësore mes veprimeve të organeve shtetërore dhe pamundësisë së MABCO-s për të përmbushur detyrimet kontraktore?
Askush nuk mund të jetë i sigurt se kush do ta fitojë arbitrazhin. Edhe pretendimi për 700 milionë euro do të duhet të provohet me ekspertiza financiare, auditime dhe analiza të fitimeve të humbura. Po aq e gabuar, megjithatë, është të krijohet përshtypja se Shqipëria e ka këtë çështje të fituar përpara se të fillojë.
E sigurtë është që nëse vendimi i tribunalit favorizon Pacollin, për kryeministrin Rama është e lehtë se faturën e nxjerr nga xhepat e shqiptarëve. Dhe as nuk e ka për herë të parë./Lapsi.al

