Kryetari i Pratisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Shqipëria përballë një kërcënimi ekzistencial, ndaj sips tij nevojitet një qëndrim ndërkombëtar ndaj narkoshtetit. Duke folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Berisha tha se asnjë komb nuk mund të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar.
Lideri i opozitës theksoi se sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Sipas tij, kjo është pasojë e qeverosjes, duke shtuar se Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.
"Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë. Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.
Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “rrjedhje demografike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda.
Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi. Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.
Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë. Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin" - tha Berisha. /LAPSI.al