
Teksa drejtori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Sokol Zajmi, merrej këtë të martë me reagimin ndaj “Fiks Fare” dhe shpjegonte publikisht respektin e tij për ish-ministren Belinda Balluku, një tjetër pikë karburanti shpërtheu në Sarandë, duke lënë dy persona të plagosur.
Një ditë më parë, “Fiks Fare” (në vazhdën e sulmit të Top Channel ndaj Belinda Ballukut) transmetoi pamje të regjistruara me kamera të fshehtë, ku Zajmi, njëjtë si drejtues të tjerë nën ndikimin e Ballukut, dëgjohej të thoshte: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”, si dhe “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot”.
Zajmi reagoi sot duke akuzuar emisionin se kishte shkëputur deklaratat e tij nga konteksti. Ai sqaroi se fjala “shefe” lidhej me respektin personal për Ballukun dhe jo me funksionimin e institucionit që drejton. “Unë besoj se znj. Balluku, në përfundim të betejës së saj ligjore, do të dalë e pafajshme”, shkroi Zajmi, tamam si një ushtar besnik, ndërsa si papagall i shefes kritikoi Top Channel se ishte kthyer në televizion gjobaxhi.
Por pikërisht këtë të martë, një shpërthim i fuqishëm në një pikë karburanti në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë plagosi dy persona. Një 39-vjeçar pësoi djegie në trup, ndërsa një 27-vjeçar u dërgua në spital pas tronditjes nga shpërthimi. Shkaqet e ngjarjes janë ende nën hetim. Sigurinë supozohet ta garantojë dhe monitorojë ISHTI.
Rasti nuk është i vetëm. Vetëm pak javë më parë një tjetër shpërthim në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë, plagosi tre punonjës dhe shkaktoi dëme materiale. Ndërsa në Fllakë të Durrësit, një shpërthim i dyshuar i një bombole gazi në ambientet e një fabrike i mori jetën një 25-vjeçari nga Bangladeshi dhe plagosi një tjetër person.
Nuk ka të dhëna që këto ngjarje të kenë një shkak të përbashkët apo që përgjegjësia për to t’i atribuohet drejtpërdrejt ISHTI-t. Por kontrasti ngre një çështje më të gjerë për (mos)funksionimin e institucioneve nën qeverinë Rama. Kur drejtuesit e tyre vetëpërshkruhen si “ushtarë” dhe harxhojnë energji publike duke shpjeguar besnikërinë ndaj “shefes”, pyetja që mbetet është nëse vëmendja e tyre kryesore është te shefat apo te detyra për të cilën paguhen.
Megjithatë, të mos harrojmë që në shtetin e Edi Ramës, drejtorë të tillë kanë ç'shembuj marrin. Mjaft të ngrenë sytë pak më lart dhe të shohim se si edhe Presidenti i Republikës sillet si "ushtar" dhe papagall ndaj shefit të vet. ©Lapsi.al
