Biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli ka reaguar serish për vendimin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të anuluar kontratën e koncesionit të aeroportit të Vlorës. Ai paralajmëron se çështjen do ta dërgojë në Arbitrazh dhe për këtë do të paguajnë qytetarët.
REAGIMI
Sot MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Fatkeqësisht, kjo nuk është më një surprizë. Shumë njerëz e kishin kuptuar që në gusht të vitit 2025 drejtimin që po merrte kjo çështje. Unë, megjithatë, i udhëhequr nga besimi, shpresa dhe respekti për Shqipërinë, refuzova ta besoja se institucionet shtetërore do të lejonin degradimin e shtetit të së drejtës deri në këtë pikë. Për më shumë se një vit, zgjodhëm dialogun dhe rrugën institucionale, duke bërë çdo përpjekje për të shmangur një konflikt ndërkombëtar.
Gjatë kësaj kohe u përballëm me ngjarje që në një shtet ligjor nuk do të duhej të ndodhnin kurrë: tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin e paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit dhe, në fund, bllokimin fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit, ndërsa institucionet shtetërore jo vetëm që nuk ndërhynë për të rivendosur ligjshmërinë, por në praktikë toleruan vazhdimin e kësaj situate.
Pikërisht në kohën kur projekti kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe ndodhej vetëm pak para certifikimit, investitori u pengua të përmbushte detyrimet e tij kontraktore. Sot, paradoksalisht, po përdoren si argument kundër MABCO-s pikërisht pasojat e pengesave që u krijuan ose u toleruan nga vetë institucionet shtetërore.
Ky veprim bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Shqipërisë për Mbrojtjen e Investimeve, si dhe me një nga parimet më themelore të së drejtës: askush nuk mund të krijojë vetë pengesën dhe më pas të përfitojë juridikisht prej saj.
Edhe shkresa e Ministrisë, për fat të keq, përmban pretendime që nuk përputhen me faktet, me dokumentacionin dhe me realitetin e projektit. Ajo mbështetet në konkluzione që, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë bazë faktike dhe juridike.
Dua të kujtoj edhe një fakt me rëndësi thelbësore. Që nga gushti i vitit 2025 kemi kërkuar zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të autorizojë një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për çdo euro të investuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pavarësisht se nga kush është investuar. Kjo kërkesë është refuzuar ose injoruar vazhdimisht.
Po kështu, kallëzimet penale të paraqitura nga MABCO për veprime të dyshuara të kundërligjshme nuk kanë marrë KURR një trajtim nga organet kompetente. Kjo situatë ka cenuar rëndë sigurinë, sigurinë juridike dhe besimin në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Mënyra se si kanë vepruar dhe, mbi të gjitha, kanë mosvepruar organet shqiptare të hetimit, në dritën e asaj që ka ndodhur në raste të ngjashme, ngre shqetësime serioze se proceset mund të ndikohen në mënyrë të papërshtatshme.
Një situatë e tillë rrezikon jo vetëm sigurinë juridike, por edhe integritetin, imazhin dhe reputacionin tim personal, të familjes sime dhe të kompanisë që kam ndërtuar me përkushtim dhe punë të ndershme përgjatë dekadave.
Mabco nuk kërkon trajtin preferncial, kërkon vetëm gjyqësi, zbatim të ligjit, zbatimin e kontrates dhe te vendimeve gjyqesore shqipetare.
Asnjë investitor nuk mund të mbahët përgjegjës për pasoja të krijuara nga pengesa që nuk varën prej tij.
Ky rast nuk prek vetëm Mabcon, ai përbënë një provë të rëndësishme për klimën e investimeve në Shqipëri dhe për besushmerinë e garancive që shteti Shqipëtarë u jep investitorëve të huaj.
Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.
Në arbitrazhin që po bëhet i pashmangshëm, MABCO do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon. Nuk kam dyshim se ky proces do të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Ky nuk është një konflikt që MABCO e ka kërkuar.
Është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të atyre institucioneve që kishin detyrimin ligjor të mbronin shtetin e së drejtës, kontratën dhe investimin.