Flash

Shqiptarët largohen, ministrja e Ramës tur në Azi për të siguruar punëtorë

Ndërsa Shqipëria po zbrazet nga emigracioni dhe plakja e popullsisë, qeveria po institucionalizon importin e fuqisë punëtore përmes marrëveshjeve me vende aziatike, duke e kthyer rekrutimin e punëtorëve të huaj në një politikë shtetërore.

Lapsi.al 6 August 2026

Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit demografik. Nga njëra anë, vendi vazhdon të humbasë popullsinë aktive për punë për shkak të emigracionit, rënies së lindshmërisë dhe plakjes së shpejtë. Nga ana tjetër, qeveria po bën përpjekje intensive për të siguruar fuqi punëtore nga jashtë, me marrëveshje shtet më shtet për rekrutimin e punonjësve të huaj.

Në pak javë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka udhëtuar larg, për të firmosur dy memorandume mirëkuptimi, fillimisht me Vietnamin dhe më pas me Indonezinë, me synimin për të krijuar kanale të rregullta për ardhjen e punëtorëve në Shqipëri.

Shqiptarët largohen, ministrja e Ramës tur në Azi për
Delina Ibrahimi në Vietnam, për marrëveshjen që sjell në Shqipëri 20-30 mijë vietnamezë

Me Vietnamin, marrëveshja u nënshkrua me zëvendësministrin e Brendshëm Vũ Chiến Thắng. Sipas ministres Ibrahimaj, memorandumi synonte “forcimin e bashkëpunimit në fushën e mobilitetit të fuqisë punëtore”, duke krijuar mundësi për punësimin e qytetarëve vietnamezë në Shqipëri dhe për të mbështetur nevojat e ekonomisë shqiptare për fuqi punëtore. Marrëveshja parashikon hartimin e një plani të përbashkët veprimi, procedura rekrutimi, standarde trajnimi dhe monitorim të zbatimit, si edhe organizimin e një Forumi Ekonomik dhe të Punësimit Shqipëri–Vietnam për të lidhur drejtpërdrejt bizneset shqiptare me partnerët vietnamezë.

Shqiptarët largohen, ministrja e Ramës tur në Azi për
Delina Ibrahimi në Xhakarta, Indonezi për memorandumin e marrjes së puntorëve indonezianë në Shqipëri

Edhe më domethënëse ishte marrëveshja e nënshkruar në Xhakartë me Ministrinë e Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë të Indonezisë. Memorandumi synon zgjerimin e mundësive të punësimit të qytetarëve indonezianë në Shqipëri, në kuadër të programit shtetëror indonezian SMK Go Global.

Ministri indonezian Mukhtarudin deklaroi se Shqipëria do të jetë një nga vendet pritëse të këtij programi dhe se objektivi për këtë vit është dërgimi i 40 mijë punëtorëve indonezianë jashtë vendit. Sipas autoriteteve indoneziane, në Shqipëri do të dërgohen punonjës të kualifikuar për sektorin formal, ndërsa programi përfshin trajnim profesional, certifikim ndërkombëtar dhe mësim të gjuhëve të huaja.

Më herët, edhe marrëveshja me Vietnamin ishte shoqëruar me diskutime për ardhjen e 20 deri në 30 mijë punëtorëve vietnamezë, kryesisht në sektorët e hotelerisë, prodhimit industrial dhe bujqësisë.

Këto marrëveshje janë pjesë e zgjidhjes që ka menduar qeveria Rama për problemet e tregut shqiptar të punës.

Kush po e plotëson tregun e punës në Shqipëri

Sipas të dhënave të raportuara nga Monitor këtë javë, deri më 30 qershor 2026 në Shqipëri ishin aktive 38.712 leje qëndrimi për shtetas të huaj. Prej tyre, 22.693 leje, ose 59% e totalit, janë dhënë për punësim dhe vetëpunësim, duke treguar se tregu i punës është bërë arsyeja kryesore që të huajt zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.

Numrin më të madh të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës, me 7.302 leje aktive. Megjithatë, kjo kategori ka një profil krejt të ndryshëm nga emigracioni ekonomik i vendeve të tjera. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre lejeve lidhet me bashkimin familjar, jetesën apo aktivitetin ekonomik brenda hapësirës shqiptare.

Në vend të dytë renditen italianët me 4.332 leje qëndrimi. Edhe këtu profili është i ndryshëm. Një numër i madh italianësh jetojnë në Shqipëri si investitorë, sipërmarrës apo profesionistë të vetëpunësuar, duke hapur biznese, sjellë marka, kapital dhe shërbime të reja në tregun shqiptar.

Ndryshe paraqitet tabloja për shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Për ta, arsyeja kryesore e ardhjes në Shqipëri është punësimi. Së bashku, këto tre shtete përbëjnë rreth gjysmën e të gjithë të huajve të punësuar në vend.

Filipinasit janë bërë tashmë një prani e zakonshme në bare, restorante, hotele dhe familje shqiptare, ku punojnë si kamarierë, kuzhinierë, pastrues, dado apo kujdestarë për të moshuarit. Punëtorët nga India po angazhohen në shërbime dhe industri, ndërsa shtetasit egjiptianë kryesisht në transport, blegtori dhe agroturizëm.

Ky ndryshim në tregun e punës zhvillohet paralelisht me krizën më të rëndë demografike që ka njohur Shqipëria.

Sipas Censit të Popullsisë 2023, popullsia banuese ka rënë nga 2.821.977 banorë në vitin 2011 në 2.402.113 banorë në vitin 2023, një tkurrje prej 419.864 personash, ose rreth 15 për qind në vetëm dymbëdhjetë vjet. Në të njëjtën periudhë është rritur ndjeshëm pesha e popullsisë mbi 65 vjeç, ndërsa lindjet kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike.

Politikat e punësimit sipas shijeve të kryeministrit

Shqiptarët largohen, ministrja e Ramës tur në Azi për
Takimi i Ramës në 2021 në një biznes fason kur kryeministri e këshilloi t'i zëvëndësojë shqiptarët me bangladeshas

Orientimi i qeverisë drejt importit të fuqisë punëtore nga Azia nuk është një zhvillim i papritur që lidhet vetëm me mungesën e punëtorëve në vitet e fundit. Kjo është një politikë për të cilën kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht prej disa vitesh.

Që në mars të vitit 2021, kur emigracioni nuk kishte marrë ende përmasat dramatike që tregoi më pas Censi i vitit 2023, Rama fliste për ardhjen e punëtorëve të huaj si një zgjidhje normale për tregun shqiptar të punës.

Gjatë një vizite në një fasoneri në Shkodër, kur pronari i fabrikës i ankohej për mungesën e punëtorëve, Rama e orientoi të sillte punëtorë nga Bangladeshi, Afganistani dhe India, duke i kujtuar se procedurat ishin bërë shumë të shpejta.

Biseda mori një kthesë që shkaktoi reagime të forta publike, kur kryeministri tha për punëtorët e huaj: “Nuk dinë as shqip të merren me thashetheme”, ndërsa më pas shtoi: “Kur të fillojnë të mësojnë shqip, ndërroji, se fillon u hyn krimbi, jo politika, jo kjo, e ajo…”

Pesë vjet më vonë, memorandumi me Vietnamin, marrëveshja me Indonezinë dhe negociatat me vende të tjera aziatike tregojnë se ajo që dikur u shpreh si një batutë përçmuese dhe denigruese për puntorët shqiptarë, është shndërruar në një politikë shtetërore të institucionalizuar.

Shqipëria nuk pret më që bizneset të gjejnë vetë punëtorë jashtë vendit, por po ndërhyn drejtpërdrejt duke krijuar marrëveshje ndërqeveritare për rekrutimin e tyre.

A është kjo përgjigjia e duhur ndaj mungesës së fuqisë punëtore? Mos duhej më parë të bëheshin përpjekje për përmirësimin e kushteve të punës nëpërmjet kontrolleve më të forta shtetërore, për forcimin e sindikatave, për strehim të përballueshëm, rroga më të larta, politika fiskale që favorizojnë puntorët etj? 

Duket se këto masa nuk janë askund në orbitën e qeverisë së Ramës. Në vend se të përpiqet të frenojë ikjen e krahut të punës jashtë, qeveria e Ramës po përshtatet me idenë që vendet e lëna bosh nga emigrimi i shqiptarëve do të mbushen në mënyrë të përhershme me punëtorë të ardhur nga jashtë.

Është filozofia që Edi Rama u sugjeronte sipërmarrësve që në vitin 2021: “Kur të fillojnë të mësojnë shqip, ndërroji…”/Lapsi.al

Të këshilluara

Arrestimi në Francë prish qetësinë e Ergys Agasit në Shqipëri

Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë ka shkaktuar panik te rrjeti i ish-drejtuesve të AKSHI-t, ndërsa burime bëjnë me dije se Ergys Agasi po kërkon një vend të ri për t’u fshehur nga frika se komunikimet e sekuestruara të Beqirit mund të hapin një kapitull të ri në dosje.

16:31

Procesi Veliaj/ Ina Rama si limon i shtrydhur i mediave të rilindjes

Ish Prokurorja e Përgjithshme është gjendur krejt papritur një vorbullën e një goditje të iniciuar nga Erion Veliaj, duke u shndërruar në një efekt kolateral të përpjekjeve për të shpëtuar kryebashkiakun në detyrë të Tiranës permes delegjitimimit te Olsi Dados

16:48

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

36°c

KËMBIMI EURO

93.20

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI