
Pasi Ermal Beqiri u arrestua në Francë teksa fluturonte me avion privat, në radhët e ish-drejtuesve të AKSHI-t, që deri tani i kanë shpëtuar burgut në Shqipëri, kanë nisur lëvizje të ethshme. Incidenti me avionin rrezikon të shndërrohet në shkëndijën që mund të djegë të gjithë grupin që dikur kontrollonte AKSHI-n.
Njeriu i parë që duket se ka ndjerë pasojat e arrestimit të Beqirit është bashkëpunëtori i tij më i afërt, Ergys Agasi, njeriu që për vite me radhë konsiderohej si garancia e mbështetjes së pakushtëzuar të qeverisë për punët e pista.
Për Ergys Agasin është thënë vazhdimisht se nuk është larguar nga Shqipëria dhe se fshihet jo shumë larg Tiranës.
Por tani që ka marrë vesh për arrestimin e Ermal Beqirit në Francë, burime bëjnë me dije se ai ka humbur qetësinë, pasi duhet të lëvizë dhe të gjejë një vend tjetër ku të strehohet. Garancia e njerëzve që e kanë mbajtur të fshehur deri më tani ka marrë fund.
Shkaku është pikërisht hapi fals që Ermal Beqiri bëri në Francë. Pas ekstradimit, askush nuk mund të parashikojë se deri ku do të shtrihen hetimet, ndaj edhe njerëzit që e strehonin Agasin i kanë lënë afat të gjejë një bazë tjetër. Intuita e tyre nuk duket krejt e pabazë.
Në momentin e arrestimit, përveç pajisjeve AirTag që mbante me vete, policia franceze i gjeti Ermal Beqirit edhe dy pajisje elektronike ku ruheshin komunikimet e tij më të fundit. Nga momenti i largimit nga Shqipëria, muajt e arratisë, jeta në Francë e deri te bisedat me njerëzit më të afërt, të gjitha mesazhet e shkëmbyera me kontaktet në Shqipëri ndodhen tashmë në duart e autoriteteve franceze.
Një detja të tillë e raportoi edhe media franceze Journal du Dimanche, e para që publikoi lajmin për arrestimin e Ermal Beqirit. Sipas gazetarëve francezë, Beqiri u shpjegoi autoriteteve se kishte fluturuar në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor sepse po fliste në telefon me nënën e tij dhe biseda e kishte shpërqendruar.
Mbetet ende për t’u parë nëse autoritetet franceze do t’i zbërthejnë vetë komunikimet e gjetura në këto pajisje elektronike, apo nëse ato do t’u dorëzohen autoriteteve shqiptare në momentin e ekstradimit.
Burime bëjnë me dije se Ergys Agasi ka kërkuar me ngulm të kontaktojë qoftë edhe për pak minuta, me njeriun e tij në qeveri, madje deri te kryeministri, në përpjekje për të siguruar garanci që të mund të ruajë vendstrehimin e deritanishëm.
Nëse komunikimet e Ermal Beqirit do të zbardhen nga autoritetet shqiptare, dosja e AKSHI-t mund të hyjë në një fazë të re hetimesh, me pasoja edhe për personat që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë arratisë.
Që prej dhjetorit të vitit 2025 kur u shpall në kërkim, është thënë se Ergys Agasi është fshehur në Shqipëri duke shfrytëzuar lidhjet me grupet kriminale, si shpërblim për favoret e kohës kur ishte pjesë e rrethit më të afërt të Edi Ramës dhe ushtronte ndikim mbi segmentet kryesore të shtetit. Por edhe këto favore kanë një afat.
Miqtë e tij në Durrës, Tiranë apo Elbasan duket se e kanë kuptuar se aventurieri që dikur mburrej me miqësinë me Edi Ramën dhe lëvizte së bashku me eskortën e kryeministrit, sot është kthyer në një barrë. Arrestimi i Beqirit e shton rrezikun për këdo që vazhdon ta strehojë.
Deri tani është raportuar, pa u konfirmuar zyrtarisht, se Agasi është fshehur herë në një resort në periferi të Tiranës, herë në rrethinat e Durrësit pranë miqve të tij Troplinët, e herë në bazën e Suel Çelës në Elbasan.
Kur u publikua dosja e AKSHI-t, të dhënat e prokurorisë përputheshin pothuajse plotësisht me përshkrimin që Arben Ahmetaj i kishte bërë vite më parë Ergys Agasit, kur e quajti “koordinatorin e krimit” të Edi Ramës. Përgjimet zbuluan skemën e ngritur për grabitjen e qindra milionë eurove përmes tenderëve të manipuluar, korrupsionin e zyrtarëve të AKSHI-t, si edhe përfshirjen e grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj biznesmenëve konkurrentë.
Sipas Ahmetajt, marrëdhënia mes Ergys Agasit dhe Edi Ramës ishte jashtëzakonisht e afërt. Ai ka deklaruar se e ka parë vetë Agasin në zyrën e kryeministrit duke konsumuar një verë me vlerë 33 mijë euro./Lapsi.al



