
Që prej nisjes së protestave kundër projektit të Zvërnecit, Edi Rama ka këmbëngulur se pas mobilizimit nuk qëndronin vetëm qytetarë të pakënaqur nga korrupsioni apo varfëria, por edhe përpjekje për ndikim nga qarqe apo qytetarë të vendeve të tjera, Greqia, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Irani. Akuzat për lidhjet me Iranin nga Rama kanë qenë më të zëshme dhe në disa raste janë shoqëruar me ndalime në kufi dhe me shpalljen non grata të personave të caktuar.
Edhe këtë të martë, u bë me dije se Ministria e Brendshme ka zgjeruar listën e personave të shpallur “non grata”, duke ndaluar hyrjen në Shqipëri të dy shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Valon Belës dhe imamit Bekir Halimi. Ndaj Belës është lëshuar edhe urdhri për dëbim.
Sipas Ministrisë së Brendshme, vendimi u mor në bazë të Ligjit për të Huajt, përkatësisht në bazë të një neni që thekson se ministri shpall një shtetas të huaj të padëshiruar kur vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike, dhe kur është anëtar i organizatave terroriste apo përkrah e kryen veprime anarkiste kundër shtetit ligjor.
Përveç një informacioni off record në media, Ministria e Brendshme nuk ka publikuar ndonjë provë apo dokument për motivacionin e vendimit në fjalë.
Reagimi i parë i Valon Belës

Pak orë pas vendimit të Ministrisë së Brendshme, Valon Bela reagoi në rrjetet sociale duke thënë se këtë vendim e ka marrë nga qeveria e "Edi Ramoviçit, vëllaut siamez të Vuçiq", pasi edhe në Serbi është shpallur non grata. Ai thotë se ka marrë pjesë në tre luftëra dhe se shqiptarë nuk janë ndarë kurrë nga kufinjtë që u janë vendosur.
"Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe" shkruan Bela.
Pakënaqësitë për politikat e Ramës, veçantërisht në marrëdhënien me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Valon Bela i kishte shfaqur edhe më parë, kur e konsideronte Ramën një “narko lider”.
“Ishalla jam një prej atyre 60 personave që Ramoviç dhe metastazat e tij qeverisëse u kanë ndaluar hyrjen në shtetin shqiptar. Me ta ndalu hyrjen narko lideri i një narko shteti është moment kënaqësie” shkruante ai një muaj më parë, kur qeveria e Ramës vendosi të shpallë non grata disa qytetarë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut që kishin marrë pjesë në protesta në Tiranë.
Në të njëjtin postim, Bela krahasonte ndalimin e mundshëm në Shqipëri me ndalimin e hyrjes në Serbi, duke shkruar: “Kam ndalesë edhe në Serbi si çdo bashkëluftëtar i UÇK-së. Kjo vetëm po dëshmon se Rama & Vuçiq po veprojnë në sinkron të plotë.”
Ai e mbyllte postimin me citimin: “Historia shqiptare është e mbushur me plot shkije të veshun shqiptarçe” – Mullah Idriz Gjilani.
Valon Bela njihet në Maqedoninë e Veriut si analist politik dhe ish-funksionar në administratë. Ai ka qenë shef kabineti në Ministrinë e Shëndetësisë dhe më pas drejtor ekonomik në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë në Shkup.
Në vitin 2018 ai mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri në lagjen Çair të Shkupit, ndërsa autoritetet maqedonase arrestuan disa persona të dyshuar për sulmin.
Në vitet e fundit Bela është shfaqur rregullisht në media si komentator politik për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.
Kush është imami Bekir Halimi

Bekir Halimi është imam nga Shkupi dhe prej më shumë se një dekade është një nga figurat më të njohura të debatit fetar në Maqedoninë e Veriut.
Por në vitin 2016 ai u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI), pas konflikteve me drejtuesit e institucionit.
Emri i Bekir Halimit është përmendur prej më shumë se një dekade në raportime mediatike dhe studime që trajtojnë radikalizimin fetar në Ballkan. Që në vitin 2010, media rajonale raportonte se policia e Maqedonisë së Veriut kishte zhvilluar kontrolle në ambientet e shoqatës bamirëse “Bamsiera”, e lidhur me aktivitetin e tij fetar. Sipas raportimeve të kohës, autoritetet po hetonin dyshime se një pjesë e fondeve bamirëse mund të kanalizoheshin drejt rrjeteve islamiste. Megjithatë, nga të dhënat publike nuk rezulton që hetimet të kenë çuar në arrestimin e Halimit apo në ngritjen e akuzave penale ndaj tij.
Halimi është përfshirë edhe në debate të forta publike mbi çështjet fetare dhe identitare në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2016 ai reagoi kundër vendosjes së kryqeve ortodokse në komunën e Butelit të Shkupit, duke deklaruar se ato nuk kishin karakter fetar, por politik. Në deklaratat e tij ai argumentonte se përdorimi i simboleve fetare në hapësirat publike po shërbente për përplasje politike dhe jo për bashkëjetesë ndërfetare, qëndrim që u pasqyrua gjerësisht në mediat maqedonase dhe shqiptare.
Konflikti i tij me institucionet zyrtare fetare është dokumentuar edhe në raportet ndërkombëtare. Raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit për Lirinë Fetare kanë përshkruar për vite me radhë përçarjet brenda Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ku përmenden edhe imamë që vepronin jashtë strukturës zyrtare të BFI-së.
Rasti i Ikballe Hudutit, non grata se protestoi në Shqipëri

Në muajin qershor kur protestat anti-qeveritare ishin në kulmin e tyre Ministria e Brendshme i ndaloi hyrjen në Shqipëri për 15 vjet Igballe Berisha Hudutit, me argumentin se aktiviteti i saj përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Vendimi erdhi pasi Huduti ishte filmuar në protestë dhe pasi vetë Edi Rama e sulmoi publikisht, duke e cilësuar si “motra e gjeneralit famëkeq të Teheranit, Kasem Sulejmani”, një akuzë që ajo e hodhi poshtë.
Në reagimin e saj pas shpalljes “non grata”, Huduti mohoi çdo motiv politik apo interes personal, duke e lidhur pjesëmarrjen në protesta vetëm me bindjet e saj qytetare.
“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim.”
Mesazhin e saj për arsyetimin që e shpalli non grata, Ikballe Huduti e mbyllte me shprehjen: “As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.”
Huduti nuk pranoi akuzat e qeverisë për lidhje me qarqe iraniane, ndërsa autoritetet shqiptare nuk publikuan prova mbi të cilat u mbështet vendimi.
Për koincidencë ose jo, të tre emrat e shpallur “non grata” deri tani lidhen, në mënyra të ndryshme, me teorinë që ka ndërtuar qeveria rreth protestave antiqeveritare dhe pretendimeve për ndikime të huaja mbi to. Në këtë mënyrë, lista e “non gratave” po shkon paralel me protestat, të cilat kanë hyrë në muajin e tretë pa u zbehur, pavarësisht pritshmërive të qeverisë se mobilizimi qytetar do të shuhej me kalimin e verës./Lapsi.al



