Flash

Pse duhet hetuar zinxhiri i pushtetit që mban peng Aeroportin e Vlorës

Lapsi.al 30 June 2026

Ka një alibi shumë të lodhur në aferën e Aeroportit të Vlorës që hidhet në qarkullim si tezë sa herë ngushtohet hapësira për ta mbrojtur pengmarrjen e kantierit; është teza e konsumuar për kredinë e Delphos dhe “interesat ruse”. Është një përrallë e lodhur por që nga halli, riciklohet sërish në media, sepse vetëm kjo i ka mbetur si armë një grupi interesash okulte që e ka zanafillën në segmente të korruptuara të shtetit, për të vazhduar tek lobime të biznesit dhe që degradojnë me përdorimin e policisë për të mos zbatuar një vendim të Gjykatës së Lartë. 

Qëllimi është që të shmanget pyetja se si është e mundur që një vendim i Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, organi më i lartë gjyqësor në vend, të neutralizohet nga një vendim i një gjyqtareje të Shkallës së Parë. Kjo është arsyeja që rikthehen në media të caktuara të njëjtat thashetheme për kompaninë Delphos dhe prapaskenat e saj megjithëse përgjigjia është dhënë disa herë tashmë.

Vetë Delphos ka deklaruar zyrtarisht se nuk ka aksionarë rusë, duke hedhur poshtë pretendimet për një depërtim të kapitalit rus në këtë financim. Në të njëjtën kohë, dokumentacioni i bërë publik nga MABCO dhe aktet e Asamblesë së Ortakëve të VIA-s sqarojnë se kredia është një detyrim i MABCO Construction dhe jo i shoqërisë Vlora International Airport. Me fjalë të tjera, aeroporti nuk është dhënë kolateral dhe nuk ekziston ndonjë mekanizëm që e transferon automatikisht atë tek kreditori. Këto janë dy çështje krejtësisht të ndryshme, të cilat qëllimisht po ngatërrohen në debatin publik.  

Më herët, në një dokument të bërë publik, vetë Delphos ka konfirmuar se është një entitet nën juridiksionin e Bashkimit Europian. Ajo ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me fonde të sanksionuara, duke u shprehur konkretisht se “fondet e dhëna në kuadër të kësaj kredie nuk burojnë dhe nuk janë në asnjë mënyrë të lidhura me Federatën Ruse, me ndonjë entitet të kontrolluar nga Rusia, apo me ndonjë person apo entitet që i nënshtrohet sanksioneve…”. 

Por edhe sikur të kishte dyshime mbi strukturën e financimit, ato nuk do të shpjegonin kurrë fenomenin më alarmant të kësaj historie: si u krijua një mekanizëm kaq i fuqishëm institucional që arriti të bllokojë zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Kjo është arsyeja pse MABCO nuk është mjaftuar me deklarata publike. Kompania ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë, Miranda Naka, me pretendimin se ajo ka nxjerrë një vendim në kundërshtim të hapur me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ka penguar zbatimin e tij.

Pikërisht këtu duhej të ishte përqendruar i gjithë debati publik. Por në vend të përgjigjeve për këtë precedent të paprecedentë institucional, risillet edhe një herë historia e Delphos.

Kjo është çështja që SPAK duhet të hetojë me urgjencë. Në qendër të skandalit është një zinxhir institucionesh që kanë vepruar ose kanë heshtur në të njëjtin drejtim. Një gjyqtare e Shkallës së Parë. Struktura të Policisë së Shtetit. Ministria përgjegjëse. Të gjitha këto kanë prodhuar ose kanë lejuar një situatë ku vendimi i Gjykatës së Lartë mbeti praktikisht pa efekt.

Dhe nëse SPAK do ta trajtojë seriozisht kallëzimin ndaj gjyqtares Miranda Naka, hetimi nuk mund të ndalet tek firma e saj. Ai duhet të ndjekë zinxhirin e plotë të vendimmarrjes dhe të zbulojë se kush kishte fuqinë reale për të koordinuar një rezistencë kaq të gjatë ndaj vendimit të gjykatës më të lartë të vendit.

Vetëm një interes jashtëzakonisht i madh ekonomik mund të shpjegojë një mobilizim të tillë institucional. Nuk është e paarsyeshme të ngrihet hipoteza se të njëjtat interesa që sot janë në qendër të hetimeve për projektet strategjike në zonën e Zvërnecit mund të kenë shtrirë ndikimin edhe drejt Aeroportit të Vlorës me qëllim që i gjithë ansambli turistik të futet në një dorë të vetme. Kjo është një arsye më shumë se pse duhet një hetim i thellë, i pavarur dhe i shpejtë.

Pra, çështja nuk është te Delphos. Çështja është shumë më e rëndë: kush është aq i fuqishëm sa të sfidojë autoritetin e Gjykatës së Lartë, të mbajë të bllokuar një investim strategjik prej qindra milionë eurosh dhe të bëjë që institucionet e shtetit të sillen sikur vendimi i gjykatës më të lartë të mos ekzistojë fare. Kjo është pyetja që pret përgjigje.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI