
Ndërsa mijëra qytetarë marshojnë çdo mbrëmje nëpër bulevardet e Tiranës me pankarta dhe flamuj, duke bërtitur “Rama dorëhiqu” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, në lagjen e Brrylit zhvillohet një betejë më e heshtur, por jo më pak e ashpër. Brryli nuk është Zvërneci. Por mesazhi është i njëjtë: institucionet vendosin, qytetarët e mësojnë të fundit.
Banorët e kësaj lagjeje po përballen me një projekt ndërtimi mbi kolektorin kryesor të kanalizimeve, projekt i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, pa asnjë plan, pa asnjë shpjegim teknik, dhe, siç kanë mësuar kohët e fundit, me nënshkrimin e një inxhinieri konstruktor të njohur tashmë nga skandali i Durrës Marinës.
Dhimitër Papa: emri që lidh Durrësin me Brrylin
Në dokumentacionin e miratuar të kullës që parashikohet të ngrihet mbi kolektor, figuron si inxhinier konstruktor Dhimitër Papa. Për shumë banorë, ky emër njihet, por jo për arsye të mira.

Pak muaj më parë, Dhimitër Papa pranoi përpara emisionit investigativ “Piranjat” se pallatet e kompleksit “Durrës Marina” kanë pësuar ulje deri në 18 centimetra. Pas këtij pohimi të vetëkonstruktorit, skandali i dhënies qorrazi të një leje ndërtimi për kullë, merr të tjera përmasa. Pra jo vetëm nuk shikohet rreziku eminent i kolektorit, por edhe firma e atij që merr përsipër sigurinë teknike kalon pa më të voglin shqyrtim.
Ndoshta institucionet që lëshojnë lejet e ndërtimit presin që konstruktorë të tillë të bëjnë nga një gropë në çdo lagje dhe në çdo qytet.
Ndërtimi mbi kolektor: Si merren vendimet që rrezikojnë banorët
Historiku i kësaj çështjeje tregon një model të qartë: vendimmarrje e shpejtë nga lart dhe heshtje totale poshtë.

Kulla e planifikuar në Bulevardin “Bajram Curri” do të ngrihet mbi kolektorin kryesor të kanalizimeve të lagjes- infrastrukturë nëntokësore që mbart ujërat e ndotura të mijëra familjeve. Banorët mësuan për projektin jo nga institucionet, por nga njëri- tjetri. Asnjë njoftim zyrtar. Asnjë shpjegim teknik mbi rreziqet potenciale për rrjetin e kanalizimeve, themelet e banesave ekzistuese apo cilësinë e jetës në lagje.
Kjo nuk është neglizhencë rastësore. Ky është model i konsoliduar i trajtimit të qytetarëve si faktorë dytësorë. Jo si palë të interesuara, por si pengesa që duhen anashkaluar.
Kjo është çështja qendrore për banorët e Brrylit: jo akuza ndaj një personi, por një pyetje e thjeshtë dhe legjitime: Si është e mundur që një konstruktor i përfshirë në një skandal aktiv, me konfirmime zyrtare nga UKT-ja dhe me hetime në vazhdim, të figurojë si projektues i aprovuar i një ndërtese të re, mbi infrastrukturën nëntokësore të një lagjeje të banuar? Si dhe kryesorja, kush e aprovoi këtë ndërtim pa patur një projekt?
I njëjti ritual, herë pas here
Në Shqipëri ekziston një logjikë e qëndrueshme e dëmit: ndërtimi bëhet, problemi shfaqet, formohet komisioni, jepen deklarata, harrohen emrat. Qytetarët mbeten me pasojat.
Banorët e Brrylit thonë se nuk duan të bëhen edhe ata statistikë e këtij rituali. Nuk duan të presin që kolektori të dëmtohet, themelet të cënohen, apo një ngjarje ekstreme të sjellë kamerat dhe premtimet. Duan që pyetjet të bëhen tani, para se betoni të hidhet.

Projekti është ky në foto dhe mban firmën e Edi Rames, por pa projektin e UKT për kolektorin kryesor. A është shkelje ligji të vendoset firma pa projektin e UKT? Mos duhet të tërhiqet zvarrëndonjë prej banorëve të Brrylit që kryeministrin të lajë duart duke thënë se nuk ka projekt, ndërkohë që firma e tij është mbi letër?

Te Brryli nuk ka flamingo, por ka njerëz dhe familjarë që shprehen të indinjuar për mënyrën se si trajtohen.
Pjesë e një revolte që ka ndryshuar emër, por jo thelb
Protestat që kanë tronditur Tiranën javët e fundit nisën nga kundërshtimi ndaj dy resorteve gjigande të lidhura me kapitalin ndërkombëtar, por u zgjeruan shpejt në diçka më të thellë, në një revolt kundër mënyrës si merren vendimet në këtë vend.
Zvërneci ishte pika që derdhi kupën. Por edhe mënyra se si janë trajtuar territori i Tiranës dhe banorët e saj, ka kohë që e ka mbushur kupën. Dhe banorët nuk janë flamingo, por qytetarë qëduhen të gëzojnë të drejtat e tyre elementare.
Shqetësimi i tyre plotëson të njëjtin mozaik që kanë formuar dhjetra mijëra protestues gjatë njëmuaji: vendimmarrja arrogante, qytetarë të dorës së tretë, institucione që miratojnë pa standarte dhe pastaj heshtin. Zvërneci, Durrës Marina, Brryli, janë projekte të ndryshme, por që dëshmojnëtë njëtën logjikë të pushtetit ndaj qytetarëve.
Çfarë kërkojnë dhe çfarë paralajmërojnë
Banorët e Brrylit i drejtohen kryeministrit drejtpërdrejt: nëse qeveria kërkon llogari për projekte të diskutueshme kur presioni publik bëhet i pamundur për t’u shpërfillur, atëherë duhet të japë shpjegime edhe kur ai presion vjen nga një lagje e Tiranës. Pra jo vetëm kur ai mbush sheshet.
Sepse testi real i transparencës janë pyetjet më të thjeshta dhe legjitime që kanë të drejtë t’i bëjnëçdo qytetar që preket nga vendimarrja e pushtetit: A është e ligjshme kjo leje ndërtimi? Ku është projekti i miratuar te kolektori kryesor, si pjesë e lejes së ndërtimit? Kush mban përgjegjësi kur ky kolektor të përmbytë një lagje të tërë, ai që e projektoi, apo ai që e miratoi?
Emrat e tyre janë të shkruar njëri pranë tjetrit në lejen e afishuar të ndërtimit. Në krye ai që e miratoi, në fund ai që e projektoi.