
Policia e Filadelfias njoftoi të martën (18 gusht) se është në kërkim të një burri që mban një maskë kukulle dhe po terrorizon banorët e qytetit. Vetëm javën e kaluar, ai dyshohet se ngacmoi dhe kërcënoi rreth 6 persona pranë Bashkisë.
Më 12 gusht, një kamera sigurie filmoi autorin e krimit duke ndjekur një grua teksa ajo po vraponte rreth orës 5:30 në rrugë teksa ai e pyeste "A je gati të vdesësh? " Gruaja u frikësua, u pengua dhe u lëndua. Burri më pas u drejtua për në një stacion metroje dhe u zhduk.
Policia ka publikuar foto dhe një video të autorit ndërsa kërkon ndihmën e publikut për identifikimin e tij.
Shefi i Policisë së Filadelfias, Jason Smith, tha se autori i ngjarjes dyshohet se po i filmonte incidentet, duke mbajtur një celular me dritën e tij të ndezur. Ai tha se autori i ngjarjes përballet me akuza që përfshijnë kërcënime terroriste, sulm dhe vepra të tjera penale.
Autori përdor një maskë nga filmi horror "Chucky". Nga një analizë e videove, duket se profili i tij përputhet me atë të një të riu me ngjyrë midis 17 dhe 20 vjeç. Ai është afërsisht 1.73 metra i gjatë dhe ka një trup mjaft të dobët.

Në video, ai shfaqet i veshur tërësisht me të zeza dhe duke mbajtur një çantë shpine blu dhe të zezë. Motivi i mundshëm për aktin e çuditshëm po hetohet gjithashtu, i cili mund të lidhet edhe me një lloj sfide në mediat sociale. Për momentin, nuk është përjashtuar asnjë pistë. ©LAPSI.al