Flash

Pacolli: Arbitrazhi është zgjidhja e fundit, pres zbatimin e ligjit në aeroportin e Vlorës

Lapsi.al 30 June 2026

Biznesmeni Behgjet Pacolli hedh poshtë zërat se synimi i tij është që ta çojë mosmarrëveshjen për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës në arbitrazh ndërkombëtar, duke theksuar se kompania ka zgjedhur “rrugën e durimit” dhe të besimit te drejtësia shqiptare.

Në një reagim publik, Pacolli shprehet se, megjithëse MABCO ka në dispozicion dy baza të plota juridike për të mbrojtur investimin e saj, Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve mes Zvicrës dhe Shqipërisë dhe kontratën e koncesionit, sërish kompania po pret që institucionet shqiptare të zbatojnë ligjin dhe vendimet e gjykatave.

Këtë e dëshmon fakti se janë tashmë 6 javë që kantieri i aeroportit mbahet peng i ortakut që ka vetëm 2% të aksioneve por që gëzon mbështetje të segmenteve të caktuara shtetërore dhe që ka vendosur të bëjë vetëgjyqësi.

Sipas Pacollit, kërkesa kryesore e MABCO është që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë, të hiqen pengesat që mbajnë të bllokuar prej më shumë se gjashtë javësh hyrjen në kantier dhe t’i mundësohet kompanisë rikthimi normal në punime për përfundimin e aeroportit dhe nisjen e procesit të certifikimit.

Pacolli akuzon se rrugët publike që të çojnë në kantier vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga persona që ai i identifikon si të lidhur me Valon Ademin, në prani të Policisë së Shtetit dhe për këtë i kërkon SPAK-ut të ndërhyjë.

"Pikërisht për këtë arsye, kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje SPAK-ut të thellojë hetimet për të zbardhur nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të krimit të organizuar apo individë që, eventualishtë duke u fshehur pas institucioneve ose duke përfituar nga mbështetja e tyre, kanë cenuar ligjshmërinë. Zbardhja e plotë e kësaj çështjeje është në interes të shtetit shqiptar, të drejtësisë, të klimës së investimeve dhe të besimit të qytetarëve te institucionet" shkruan Pacolli në mesazhin e tij në rrjetet sociale.

Pacolli pranon se dokumentacioni për nisjen e një arbitrazhi ndërkombëtar është pothuajse i plotë, por shton se MABCO do të vazhdojë të presë “deri në kufijtë e fundit të arsyes” një reagim nga autoritetet shqiptare.

Ai thekson se është “njeriu i fundit” që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh, duke argumentuar se një proces i tillë do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë dhe do të krijonte kosto financiare që, sipas tij, në fund do t’i paguanin qytetarët shqiptarë.

"Unë jam njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar. Kerkesa ime e vetme është që ligji të zbatohet në Shqipëri, vendimet e gjykatave të respektohen dhe investitorët të mbrohen nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë, …kurse MABCO-s t’i mundësohet qasja në kantier për të përfunduar punimet dhe për të nisur procesin e certifikimit të kësaj vepre me vlerë qindra milionë euro" shkruan biznesmeni.

Mesazhi i plotë i Behgjet Pacollit në rrjetet sociale

PADREJTËSI ndaj një investitori me qindra milionë euro investime dhe mbi 310 milionë euro angazhime të garantuara me kolateralet e veta.

Grupet që veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe me VETËGJYQESI nën drejtimin e Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit, ne asistencë te POLICISE SE SHTETIT, po imponojnë logjikë force që cenon rëndë rendin juridik dhe autoritetin e shtetit.
MABCO është një kompani zvicerane, e mësuar të veprojë në një shtet ku sundimi i ligjit, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe siguria juridike janë themeli i funksionimit të shoqërisë, dhe jo vetëgjyqësia dhe imponimi me forcë.

Pikërisht për këtë arsye, kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje SPAK-ut të thellojë hetimet për të zbardhur nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të krimit të organizuar apo individë që, eventualishtë duke u fshehur pas institucioneve ose duke përfituar nga mbështetja e tyre, kanë cenuar ligjshmërinë.

Zbardhja e plotë e kësaj çështjeje është në interes të shtetit shqiptar, të drejtësisë, të klimës së investimeve dhe të besimit të qytetarëve te institucionet

MEDIAT dhe OPINIONISTET kanë detyrim etik dhe profesional të mos manipulojnë apo helmojnë opinionin publik. Kodi i etikës gazetareske i obligon që çdo informacion dhe çdo qëndrim ta mbështesin në fakte të verifikuara, dokumente dhe realitet, jo në spekulime, insinuata apo interesa të caktuara.

Vetëm kështu mbrohet e drejta e publikut për t’u informuar saktë.

TE DASHUR QYTETARË,

Të gjitha këto sfida po i përballojmë me durim dhe përgjegjësi, vetëm e vetëm për të shmangur të keqen më të madhe: përfshirjen e gjyqësisë ndërkombëtare.
Një arbitrazh ndërkombëtar do të ishte i dëmshëm jo vetëm për imazhin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për barrën financiare që, në fund, do ta paguanin qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, dua ta them me përgjegjësi të plotë se dokumentacioni i nevojshëm për nisjen e një arbitrazhi është krijuar pothuajse tërësisht nga vetë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore, neglizhencës (me apo pa dashje) dhe anshmerisë të qellimëshme TË DESHMUAR TANI EDHE ME DOKUMENTACION ndaj MABCOS, si investitori i vetëm qe mban skeletrin e kontratës se koncesionit si ne aspektin tekniko profesional, ate bankar, financiar dhe garantues.

Aeroporti është gati për të filluar certifikimin dhe për t’u vënë në operim.

Tani, gjithçka varet nga autoriteti kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), e cila ka detyrimin ligjor të garantojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe të mundësojë funksionimin normal të VIA-s. si dhe të urdheroj Policinë e shtetit t’i liroj rrugët publike të cilat janë të mbyllura që më tepër se 6 javë, nën mbikqyrjen e Policisë.
Çdo vonesë e mëtejshme do të ishte e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit.

MABCO disponon dy baza të plota juridike për të mbrojtur të drejtat e saj:
Marrëveshjen për Mbrojtjen Reciproke të Investimeve (BIT) ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe Kontratën e Koncesionit.

Pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë të zgjedhim rrugën e DURIMIT dhe të BESIMIT te drejtësia shqiptare. Do të presim deri në kufijtë e fundit të arsyes që institucionet dhe drejtësija të veprojnë kundër atyre që, me metoda të vetëgjyqësisë dhe veprime mafioze, po mbajnë peng një investim strategjik dhe po sfidojnë hapur vendimet e Gjykatës së Lartë.
Unë jam njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar.
Kerkesa ime e vetme është që ligji të zbatohet në Shqipëri, vendimet e gjykatave të respektohen dhe investitorët të mbrohen nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë, …kurse MABCO-s t’i mundësohet qasja në kantier për të përfunduar punimet dhe për të nisur procesin e certifikimit të kësaj vepre me vlerë qindra milionë euro.

Behgjet Pacolli

 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI