Flash

2A Group bllokon hyrjen e aeroportit dhe rrugët e banorëve, policia nuk ndërhyn

Lapsi.al 24 June 2026

Për të tretën ditë radhazi, konflikti për kontrollin e Aeroportit të Vlorës ka kaluar përtej përplasjes mes ortakëve dhe prek drejtpërdrejt edhe banorët e zonës në fshatin Novoselë.

MABCO Construction deklaroi këtë të martë se hyrjet e kantierit dhe rrugët e aksesit vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga mjete të kompanisë 2A Group, duke penguar jo vetëm vijimin e punimeve, por edhe qarkullimin normal të banorëve të fshatit drejt tokave të tyre.

Një dokument i firmosur nga banorë të zonës dhe i vulosur nga Njësia Administrative Novoselë, i datës 20 qershor 2026, konfirmon këtë situatë. Në të thuhet shprehimisht se personat e listuar në dokument “kanë parcelat në pronësi dhe kërkojnë të punojnë e të mbjellin në tokat e tyre”, ndërsa apelohet: “Lutemi të mos i pengoni.”

Dokumenti përmban emrat e disa banorëve dhe mban vulën e njësisë administrative, duke treguar se bllokimi nuk prek vetëm kompaninë që po ndërton aeroportin, por edhe banorët e zonës.

Nga ana e saj, MABCO deklaron se “hyrjet kryesore të kantierit kanë mbetur të bllokuara nga mjete të identifikuara qartë si pronë e shoqërisë 2A Group”, ndërsa shton se bllokimi “është shtrirë edhe në rrugët e aksesit që lidhin Novoselën me kantierin dhe zonën e terminalit, duke krijuar në praktikë një izolim të plotë të aksesit në projekt”.

Sipas kompanisë, si pasojë “është bërë e pamundur hyrja e punëtorëve, nënkontraktorëve, mjeteve të rënda dhe pajisjeve të nevojshme për vijimin e punimeve”, ndërsa “janë penguar edhe banorët e zonës, të cilët janë privuar nga përdorimi i lirë i rrugëve që shërbejnë për qarkullimin e tyre të përditshëm”.

Në hyrje të kantierit janë mjetet e rënda të vendosura nga 2A Group, ndërsa një automjet i Policisë së Shtetit ndodhet në vendngjarje pa ndërhyrë për zhbllokimin e rrugës. 

Kjo ka shtuar pikëpyetjet mbi rolin e institucioneve ligjzbatuese, ndërsa MABCO thekson se, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë dhe vendimit të Asamblesë së Ortakëve të VIA-s, vijon të mos ketë akses në kantier.

“Nëse edhe një kompani ndërkombëtare, e mbështetur në një vendim të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, nuk arrin të ushtrojë të drejtat e saj për shkak të bllokimeve fizike të organizuara nga një subjekt privat, ndërkohë që autoritetet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë, atëherë cili është mekanizmi që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri?”, ngre pyetjen MABCO në deklaratën e saj.

NJOFTIMI I PLOTE I MABCO

Për të tretën ditë radhazi, përfaqësuesit e MABCO Construction, së bashku me nënkontraktorët, punëtorët, makineritë dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e punimeve, janë paraqitur pranë kantierit të Aeroportit të Vlorës me qëllim vijimin normal të aktivitetit. Kjo paraqitje është bërë në zbatim të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport” sh.p.k., të datës 18.06.2026, e cila vendosi vijimin e punimeve në projekt dhe garantimin e aksesit të plotë në kantier për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët, punëmarrësit dhe çdo subjekt tjetër të angazhuar në realizimin e projektit.


Edhe sot, hyrjet kryesore të kantierit kanë mbetur të bllokuara nga mjete të identifikuara qartë si pronë e shoqërisë 2A Group. Bllokimi nuk është kufizuar vetëm në portat e hyrjes së kantierit, por është shtrirë edhe në rrugët e aksesit që lidhin Novoselën me kantierin dhe zonën e terminalit, duke krijuar në praktikë një izolim të plotë të aksesit në projekt. Për pasojë, është bërë e pamundur hyrja e punëtorëve, nënkontraktorëve, mjeteve të rënda dhe pajisjeve të nevojshme për vijimin e punimeve.
Njëkohësisht, këto bllokime kanë penguar edhe lëvizjen normale të banorëve të zonës, të cilët janë privuar nga përdorimi i lirë i rrugëve që shërbejnë për qarkullimin e tyre të përditshëm. Për të tretën ditë radhazi, një subjekt privat po kontrollon de facto hyrjet dhe rrugët e aksesit drejt kantierit, duke penguar jo vetëm zhvillimin e punimeve në një projekt strategjik, por edhe ushtrimin normal të së drejtës së lëvizjes nga qytetarët që banojnë në këtë zonë.


Gjatë këtyre tre ditëve janë bërë në mënyrë të vazhdueshme kërkesa pranë organeve kompetente për të garantuar lëvizjen e lirë në rrugët e aksesit dhe për të mundësuar ushtrimin normal të aktivitetit në kantier. Megjithatë, deri në këtë moment, situata mbetet e pandryshuar dhe bllokimi vazhdon.
Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, zbatimi i të cilit prej tre ditësh po pengohet në terren, MABCO Construction vazhdon të mos ketë akses në kantier për shkak të bllokimit fizik të hyrjeve dhe rrugëve të aksesit.


Kjo situatë ngre një pyetje serioze për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi nëse edhe një kompani ndërkombëtare, e mbështetur në një vendim të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, nuk arrin të ushtrojë të drejtat e saj dhe të vijojë punimet për shkak të bllokimeve fizike të organizuara nga një subjekt privat, ndërkohë që autoritetet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë për të garantuar zbatimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë në rrugët e aksesit, atëherë cili është mekanizmi që garanton ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri?


MABCO Construction nuk ka ndërmarrë dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim jashtë rrugëve ligjore. Çdo pretendim apo mosmarrëveshje ndërmjet palëve duhet të trajtohet nga institucionet kompetente dhe në përputhje me procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për të tretën ditë radhazi, kërkesa e MABCO-s mbetet e njëjtë: lirimi i rrugëve të bllokuara, garantimi i aksesit në kantier dhe mundësimi i vijimit normal të punimeve në përputhje me ligjin, vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të VIA-s dhe vendimet e institucioneve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.

MABCO Construction

Të këshilluara

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI