
Sërish tensione në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës edhe gjatë ditës së sotme.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Emin Pacolli, presidenti i MABCO-s dhe vëllai i vogël i Bexhet Pacollit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Forcat e policisë kanë shkuar në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e situatës.
Në reagimin e tij, biznesmeni Behgjet Pacolli e cilëson situatën në Aeroportin e Vlorës si një rast të paprecedentë të zëvendësimit të shtetit me vetëgjyqësi.
Ai pretendon se “prej muajsh, grupe të jashtëligjshme të lidhura me Valon Ademin, të mbështetura nga forca të Policisë së Shtetit, kanë bllokuar akceset madje edhe rrugën publike që të çon drejt hyrjes së aeroportit”, duke penguar sipas tij lëvizjen e punonjësve dhe vijimin normal të aktivitetit.
Pacolli ngre më tej një pyetje të drejtpërdrejtë për institucionet: “Si është e mundur që një grup privat, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, të bllokojë një rrugë publike pa asnjë bazë ligjore, me vetëgjyqësi dhe nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore?”. Ai e përshkruan këtë si “një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për shtetin e së drejtës”, ndërsa shton se “mediat shqiptare dhe ndërkombëtare qe sa ditë janë duke raportuar këtë realitet të shëmtuar që po zhvillohet në hyrje të arealit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.
"Kjo po ndodh në Republikën e Shqipërisë!!!”, përfundon Pacolli, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të hetuar situatën.
Ndërkohë, të gjitha hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës vijojnë të mbeten të bllokuara nga rojet e sigurisë, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë ndërhyrje nga autoritetet për zgjidhjen e konfliktit që po pengon ecurinë e punimeve në aeroport.