
Detaje të reja janë bërë publike lidhur me vdekjen e aktores Hayden Panettiere, e cila u gjet pa ndjenja më 16 gusht në një banesë me qira në Greenville, South Carolina.
Më 21 gusht, Zach Hickerson, vëllai i ish-partnerit të Panettiere, Brian Hickerson, foli për TMZ dhe dha versionin e tij për atë që ndodhi në banesë.
Zach tha se kishte shkuar në Airbnb pasi nuk kishte marrë përgjigje nga Hayden dhe Brian. Sipas tij, pasi hyri në banesë, zgjoi Brianin, i cili po flinte. Të dy më pas tentuan të zgjonin Hayden dhe kuptuan se ajo ishte pa ndjenja.
“Telefonova menjëherë 911”, tha Zach, duke shtuar se Brian i dha aktores Narcan, një medikament që përdoret për të rikthyer efektet e një mbidoze të opioideve. Më pas, sipas dëshmisë së tij, të dy kryen reanimim kardiopulmonar deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Zach theksoi se aktualisht qarkullojnë shumë spekulime dhe akuza dhe kërkoi që të pritet përfundimi i hetimit zyrtar.
“E vërteta do të dalë kur autoritetet të përfundojnë dhe të publikojnë detajet e hetimit”, deklaroi ai, duke shtuar se familja dhe njerëzit që e donin Panettiere meritojnë të dinë të vërtetën.
Sipas një raporti policor të siguruar nga PEOPLE, kur mbërritën forcat e emergjencës, Brian Hickerson u tregoi efektivëve një qese me ilaçet që Panettiere po merrte. Raporti përshkruan Zach si “shumë emocional”, ndërsa Brian nuk shfaqi emocione të dukshme deri në momentin kur aktorja u shpall e vdekur.
Një autopsi e kryer më 17 gusht nuk evidentoi shenja traume që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj. Megjithatë, hetimi vazhdon. Sipas një burimi të cituar nga PEOPLE, edhe Administrata Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA) është përfshirë në hetimin e rastit.