
5 molotovë u hodhën jashtë një vendi ku mbahej një dasmë në Birmingham të Britanisë. Sulmi u krye nga 3 persona që u vunë flakën dy makinave luksoze.
Incidenti ndodhi rreth orës 20:30 të mërkurën, raporton Daily Mail. Pavarësisht sulmit të rëndë, nuk u raportuan të lënduar.
Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë të ftuarit që largohen nga vendi i ngjarjes në panik, ndërsa dy supermakina, thuhet se një Lamborghini dhe një McLaren, janë përfshirë nga flakët. Tym i dendur u pa të dilte nga automjetet.
Brenda ambienteve po zhvillohej një dasmë pakistaneze me rreth 500 të ftuar, por nuk është e qartë nëse sulmi ishte ndaj dasmës apo kompanisë që kishte dhënë me qera makinat lukssoze.
Policia e West Midlands tha se ka nisur një hetim për sulmin, ndërsa po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe mori deklarata nga dëshmitarët okularë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, 3 burra, të gjithë të veshur me të zeza, u fiksuan nga kamerat e sigurisë para sulmit.
Stafi reagoi menjëherë, duke përdorur fikës zjarri për të vënë në kontroll flakët, përpara se zjarrfikësit dhe policia të mbërrinin në vendngjarje.
Motivet e sulmit janë ende të paqarta. ©LAPSI.al