
Brian Hickerson ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së ish-partneres së tij, aktores Hayden Panettiere, e cila u nda nga jeta të dielën në moshën 36-vjeçare.
Përmes avokatit të tij, Sloan Ellis, Hickerson deklaroi se rrethanat e vdekjes së aktores janë ende nën hetim dhe kërkoi që procesi të vijojë pa ndërhyrje.
“Vdekja e Hayden është ende nën hetim dhe është e rëndësishme që hetimi të vazhdojë”, tha avokati i tij për TMZ.
“Siç është bërë e ditur publikisht, policia ka konfirmuar se nuk ka pasur shenja të ndonjë akti kriminal. Nga respekti për të afërmit e Hayden dhe për hetimin në vazhdim, nuk do të ketë komente të tjera në këtë moment”, thuhet në deklaratë.
Panettiere u gjet e pajetë të dielën në një apartament në Greenville, Karolina e Jugut. Autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk janë konstatuar shenja dhune apo ndërhyrjeje nga persona të tjerë, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Sipas raportimeve, Hickerson dhe vëllai i tij, Zach, ndodheshin në apartament në momentin e ngjarjes. Ishte Zach ai që zbuloi trupin e aktores, ndërsa Brian ndodhej duke fjetur në një dhomë tjetër.
Raporti i policisë tregon se Zach e përshkroi Panettiere si të dashurën e Brian-it gjatë komunikimit me autoritetet. Brian, i cili u shfaq i tronditur pas përpjekjeve për ta shpëtuar aktoren, u dorëzoi policëve edhe një qese me ilaçe që ajo po merrte në atë periudhë.
Panettiere dhe Hickerson kishin një marrëdhënie të ndërlikuar dhe ishin lidhur për herë të parë në vitin 2018. Çifti u nda dhe u ribashkua disa herë gjatë viteve.
Marrëdhënia e tyre ishte shoqëruar edhe me episode të dhunës në familje. Hickerson u arrestua disa herë gjatë lidhjes së tyre dhe në vitin 2021 u deklarua fajtor për dy akuza. Ai u dënua me 45 ditë burg, katër vite liri të kushtëzuar dhe programe të detyrueshme për parandalimin e dhunës në familje.
Vetëm pak ditë para vdekjes së Panettiere, një gjykatë kishte refuzuar kërkesën e Hickerson për ndryshimin e dënimit të tij në atë çështje.
Pavarësisht historisë së trazuar, Hickerson dhe Panettiere kishin ruajtur kontakte ndër vite. Në maj, ai kishte folur edhe për shpresën se një ditë mund të martohej me aktoren, duke e cilësuar atë si një “shoqe të mirë”.
Ndërkohë, hetimet për vdekjen e Panettiere vazhdojnë. Autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka shenja të ndonjë akti kriminal, ndërsa Administrata Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA) është përfshirë në hetim. Autopsia paraprake nuk ka evidentuar shenja traume që mund të kishin shkaktuar vdekjen.