
Solange Knowles ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të ish-bashkëprotagonistes së saj në filmin Bring It On: All or Nothing, Hayden Panettiere.
Në një postim të publikuar më 18 gusht në Instagram Stories, Knowles ndau një fotografi nga filmi i vitit 2006, ku shfaqet së bashku me Panettiere, duke e shoqëruar me një dedikim emocional për aktoren e ndjerë.
“Pusho në paqe, Hayden. Në paqe, sepse e meriton kaq shumë”, shkroi Knowles.
Ajo kujtoi lidhjen e veçantë që kishin krijuar gjatë viteve dhe vështirësitë personale që, sipas saj, të dyja kishin përjetuar.
“Bota të pa të jetosh me kaq shumë guxim, duke treguar të vërtetën tënde dhe duke rrëfyer historinë tënde. Pamë përpjekjen tënde të pandalshme për të qenë e sinqertë me veten dhe për t’u shëruar”, shkroi ajo.
Knowles shtoi se ndihej mirënjohëse për rrugëtimin e Panettiere dhe për punën që kishin krijuar së bashku.
"Nderoj punën që krijuam së bashku, e cila u shndërrua në diçka që ka shumë kuptim për njerëzit. Preku njerëz që nuk do ta kishim imagjinuar kurrë në atë kohë, kur ishim vetëm dy vajza të reja që përpiqeshin të vazhdonin të shikonin drejt dritës”, vijoi ajo. Drita të rrethon tani. Pusho e qetë, Hayden.”
Panettiere ndërroi jetë më 16 gusht, në një banesë në Greenville, Karolina e Jugut. Sipas raportimeve, autoritetet po hetonin një mbidozë të dyshuar.
Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes një deklarate të babait, Alan Panettiere.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Hayden tonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës, që u dha dashuri dhe gëzim të pafund të gjithë atyre që e njihnin, si dhe miliona njerëzve që e ndoqën në ekran”, thuhej në deklaratë.
Aktorja kishte nisur të shfaqej në ekran që në moshën njëvjeçare, fillimisht në reklama, ndërsa u bë e njohur për një audiencë më të gjerë me rolin e saj në serialin “Heroes” në vitin 2006.
Gjatë karrierës, ajo u shfaq gjithashtu në produksione si Ally McBeal, Law & Order: Special Victims Unit, Remember the Titans, Ice Princess, Racing Stripes dhe Raising Helen.
Në një intervistë për PEOPLE në vitin 2022, Panettiere kishte folur hapur për betejën e saj me varësinë ndaj opioideve dhe alkoolit, si dhe për depresionin pas lindjes pas ardhjes në jetë të vajzës së saj, Kaya Evdokia Klitschko, të cilën e kishte me ish-të fejuarin e saj, boksierin Wladimir Klitschko.
Aktorja kishte kaluar tetë muaj në rehabilitim pas një qëndrimi në spital, ku mjekët i kishin thënë se mëlçia e saj rrezikonte të dështonte.