
Shanna Moakler duket se i ka dërguar një mesazh të koduar ish-bashkëshortit të saj, Travis Barker, përmes titullit të librit të saj të ri me kujtime.
Modelja 51-vjeçare njoftoi të hënën në Instagram se libri i saj do të titullohet “Blink of an Eye”, një zgjedhje që tërhoqi menjëherë vëmendjen për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me ish-bashkëshortin e saj. Barker u bë i famshëm si bateristi i grupit Blink-182.
Moakler shpjegoi arsyen pas titullit, duke shkruar se jeta mund të ndryshojë “sa hap e mbyll sytë” dhe se shpreson që përvojat e saj, transformimi personal dhe mënyra se si ka përballuar periudhat e vështira të mund t’ua lehtësojnë rrugëtimin edhe të tjerëve.
“Që nga një fëmijë i vogël me ëndrra të mëdha, deri te bashkëprindërimi i fëmijëve të mi në klimën e sotme të fiksimit pas personazheve të famshëm… po botoj vetë kujtimet e mia, në mënyrën time”, shkroi ajo.
Moakler shtoi se shpreson që mësimet që ka nxjerrë nga jeta e saj t’u ndriçojnë rrugën vajzave dhe nënave të tjera. Ajo theksoi se libri nuk do të jetë vetëm për një person apo një periudhë të caktuar të jetës, por do të fokusohet më gjerësisht te përvojat e saj dhe te lidhjet mes grave.
Moakler dhe Barker, 50 vjeç, u martuan në tetor të vitit 2004 dhe u divorcuan në shkurt të vitit 2008. Megjithatë, edhe pas divorcit, ata u përpoqën disa herë të rikthenin marrëdhënien e tyre.
Dyshja ka dy fëmijë së bashku, djalin Landon, 22 vjeç, dhe vajzën Alabama, 20 vjeç. Barker ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e vajzës së madhe të Moakler, Atiana, 27 vjeçe, të cilën ajo e ka me ish-partnerin e saj, boksierin Oscar De La Hoya. Ndërkohë, Barker është aktualisht i martuar me Kourtney Kardashian, me të cilën ka djalin 2-vjeçar, Rocky.
Titulli i librit vjen në një moment kur Moakler ka qenë sërish në qendër të vëmendjes për komentet e saj ndaj Kardashian.
Në fillim të këtij muaji, ajo reagoi ndaj një videoje nga premiera e dokumentarit “Travis Barker: Louder Than Fear”, ku shfaqeshin fëmijët e saj së bashku me babain e tyre dhe njerkën, Kourtney Kardashian.
“Ku janë fëmijët e saj?”, shkroi Moakler në TikTok, koment të cilin më vonë e fshiu. Fëmijët e Kardashian dhe ish-partnerit të saj, Scott Disick – Mason, Penelope dhe Reign – nuk ishin të pranishëm në premierën e dokumentarit. Po ashtu, mungonte edhe djali i saj dhe Barker, Rocky.
Moakler më vonë la të kuptohej se do të flasë më hapur për marrëdhënien e saj me Kardashian në librin e ardhshëm.
“Me kohë, do të ndaj historinë time me fjalët e mia përmes librit tim dhe mezi po e pres atë moment”, kishte deklaruar ajo për Daily Mail.