
Mediat spanjolle i kanë kushtuar vëmendje arrestimit nga policia shqiptare në qytetin e Gjirokastrës të Klodian Benës. Për 43-vjeçarin kishte një urdhër ndërkombëtar arresti të lëshuar në qershor 2025 nga një gjykatë në Sabadell (Barcelonë).
Ai akuzohet për veprat penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike - në kuadër të fenomenit të të ashtuquajturave “shtëpi bari” ose “shtëpi marihuane” - si dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
Arrestimi i Benës u krye mëngjesin e kësaj të marte, në një ndërhyrje të forcave të policisë të Gjirokastrës, në kuadër të operacionit policor kombëtar të quajtur “Fugitive”, i përqendruar në gjetjen dhe arrestimin e personave të kërkuar nga gjykatat e huaja.
Pas ndalimit dhe arrestimit të tij, seksioni i Interpol Tirana aktivizoi protokollin e bashkëpunimit me Interpol Madridin, për të proceduar me ekstradimin e tij të menjëhershëm drejt Spanjës.
“Megjithëse autoritetet shqiptare nuk kanë specifikuar zyrtarisht nëse arrestimi i Klodian Benës lidhet me një rrjet konkret të përmasave të mëdha, arrestimi i tij ndodh në një situatë ku policia ka vërejtur rritje të krimit të organizuar me origjinë nga Ballkani në territorin spanjoll.
Sipas raporteve të përgatitura nga Europol, organizata të ndryshme kriminale me origjinë shqiptare kanë forcuar ndjeshëm praninë e tyre në tregun spanjoll të kanabisit gjatë viteve të fundit.
Këto grupe veprojnë si në fazën e prodhimit të drejtpërdrejtë brenda Spanjës, duke kontrolluar magazina industriale dhe vila të transformuara në ambiente për kultivim hidroponik, ashtu edhe në importimin dhe rishpërndarjen e drogës drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian” – shkruan gazeta spanjolle “El Mundo”.
Gazeta kujton se operacioni më i rëndësishëm kundër këtij lloji rrjetesh u zhvillua në korrik 2021. Ai ishte një operacion i madh i koordinuar midis Policisë Kombëtare të Spanjës, policisë gjermane dhe autoriteteve shqiptare dhe që përfundoi me arrestimin e 107 personave.
Rrjeti funksiononte si një klan i strukturuar, i cili menaxhonte plantacione marihuane në shkallë industriale të shpërndara përgjatë gjithë bregdetit lindor të Spanjës.
Në atë rast, Europol vlerësoi se mashtrimi me energjinë elektrike, i krijuar përmes lidhjeve të paligjshme dhe ndërhyrjes në matësit e energjisë, kishte shkaktuar më shumë se 1,6 milionë euro humbje të drejtpërdrejta për kompanitë shpërndarëse të energjisë. ©LAPSI.al