
Johnny Depp mund të rikthehet sërish në rolin ikonë të Captain Jack Sparrow, në një kapitull të ri të sagës së famshme Pirates of the Caribbean.
Lajmin e bëri të ditur producenti i njohur Jerry Bruckheimer, i cili foli për projektin gjatë eventit të fansave D23 të Disney-t.
“Po flasim me Johnny-n, po punojmë për një skenar dhe shpresojmë që ta realizojmë”, deklaroi Bruckheimer, 82 vjeç, për Deadline.
Filmi i gjashtë i ekskluzivitetit pritet të ketë në qendër një personazh të ri të interpretuar nga Margot Robbie, por duket se producentët po shpresojnë që edhe Depp të ketë një rol në projekt. Nëse rikthimi konfirmohet, ky do të ishte filmi i parë i serisë që prej Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales, i cili u shfaq në kinema në vitin 2017.
Johnny Depp, tashmë 63 vjeç, e interpretoi për herë të parë Jack Sparrow në filmin Pirates of the Caribbean: The Curse of the Black Pearl në vitin 2003. Filmi, ku luajtën gjithashtu Orlando Bloom, Keira Knightley dhe Geoffrey Rush, rezultoi një sukses i madh në arkë, duke grumbulluar më shumë se 654 milionë dollarë në mbarë botën.
Pas tij erdhën edhe katër filma të tjerë, të cilët e kthyen sagën në një prej ekskluziviteteve më fitimprurëse të Hollywood-it. Dead Man’s Chest i vitit 2006 kaloi shifrën e 1.06 miliardë dollarëve, ndërsa At World’s End arriti rreth 960 milionë dollarë. On Stranger Tides, i publikuar në vitin 2011, grumbulloi më shumë se 1.04 miliardë dollarë në mbarë botën. Në total, pesë filmat e parë të Pirates of the Caribbean kanë gjeneruar më shumë se 4.5 miliardë dollarë në arkat botërore.
Ideja për një film të ri është diskutuar prej vitesh. Bruckheimer kishte deklaruar edhe më parë se Margot Robbiev azhdonte të ishte e përfshirë në projekt. Skenaristi Ted Elliott kishte punuar në një version të skenarit, ndërsa më pas ekipit iu bashkua një tjetër shkrimtar për të plotësuar projektin.
Në një moment, sipas Bruckheimer, ishin duke u zhvilluar dy skenarë paralelisht, por në fund ekipi vendosi të vazhdonte me njërin prej tyre.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë roli do të ketë saktësisht Jack Sparrow në historinë e re dhe nëse Depp do të rikthehet zyrtarisht në projekt.