Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës ku motori i një skafi ka shpërthyer dhe si pasojë e kësaj kanë pësuar djegie 4 persona. Ngjarja ka ndodhur në Porto Palermo, duke shkaktuar dëmtime të rënda te personat.
Ata kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë dërguar drejt ambienteve të spitalit për të marrë ndihmën e specializuar mjeksore. Fillimisht ata janë transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Himarës, por për shkak të gjendjes së tyre, ata janë transportuar drejt Vlorës.
Gjendja e tyre është përkeqësuar dhe pritet të dërgohen në Tiranë, për trajtim të specializuar. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
"Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie, si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse benzinë.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes" - thuhet në njoftim. /LAPSI.al