
Në protëstën e 79-të në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" ka marrë vëmendje incidenti i një dite më parë kur pati një përplasje fizike mes disa protestuesve.
Flamurtari i protestës deklaroi se nuk do të tërhiqet nga sheshi dhe se do të vijojë protestën çdo natë, pavarësisht sulmeve apo incidenteve të ndodhura.
Ai e bëri të qartë se objektivi i tij dhe i protestuesve mbetet dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos ndikohen nga përçarjet.
"Ai incident që ndodhi mbrëmë, nuk do më frikësojë, po do më bëjë më të fortë se dje. I bëj thirrje policisë së shtetit të marrë masa, janë të identifikueshëm personat. Dhe do vazhdoj punën që paguhet nga taksat tona.
Dhe çdo sulm që do vijë përballë meje, individit, nuk do më shmangin nga sheshi, nuk do më ndalojë kurrë. Do jem këtu çdo natë me protestuesit dhe me dorëheqjen e Edi Ramës sa më parë.
I bëj thirrje të gjithëve të jemi të bashkuar dhe mos përçahemi nga individë që paguhen nga oligarkët dhe nga politikanët. Të jemi të fortë, do t'i mposhtim!" - tha ai.
Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj i mëshoi mospërçarjes.
“Persona të paidentifikuar kanë dhunuar disa protestues gjatë marshimit, një person tjetër është futur me një mjet të fortë…për këtë dhe incidente të tjera të ngjashme ftojmë policinë të sigurojë kushtet që protesta të jetë paqësore. Policia e Shtetit të bëjë detyrën.
Megjithë incidentet e vazhdueshme të inskenuara e të financuara nga pushteti në ikje, ky shesh e ka thënë fjalën dhe ka treguar se beson te bashkimi I shqiptarëve. Dhe ky shesh e ka treguar se beson te revolta qytetare e paqësore. Çdo incidenti i themi se nuk mund të na përçani se kjo është një luftë për një Shqipëri të lirë nga modeli i dhunës”, tha ajo. /LAPSI.al