
Shanna Moakler ka reaguar pas një komenti të saj në rrjetet sociale që u interpretua si një thumbim ndaj ish-bashkëshortit të saj, Travis Barker, dhe bashkëshortes së tij, Kourtney Kardashian.
Moakler dhe bateristi i grupit Blink-182 ishin të martuar nga viti 2004 deri në vitin 2008 dhe kanë dy fëmijë së bashku, Landon, 22 vjeç, dhe Alabama, 20 vjeçe. Barker ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e Atiana De La Hoya, vajzës 27-vjeçare të Moakler nga lidhja e saj me ish-boksierin Oscar De La Hoya.
Së fundmi, Barker mori pjesë në premierën e dokumentarit të tij të ri, Louder than Fear, së bashku me Kourtney Kardashian, Atiana, Landon dhe Alabama.
Në rrjetet sociale qarkulloi një koment i publikuar dhe më pas i fshirë nga Moakler në TikTok. “Ku janë fëmijët e saj?”, shkruhej në koment, duke iu referuar mungesës së fëmijëve të Kourtney Kardashian nga tapeti i kuq.
Komenti shkaktoi menjëherë reagime të shumta në internet. Megjithatë, Moakler i tha Daily Mail se nuk ka ndonjë dramë të madhe pas tij.
“Për të qenë e sinqertë, nuk ka ndonjë histori të madhe këtu. Unë publikoj dhe fshij gjëra në rrjetet sociale gjatë gjithë kohës dhe nuk kam asgjë më shumë për të shtuar”, deklaroi ajo.
Moakler shtoi se në të ardhmen do ta tregojë historinë e saj përmes një libri autobiografik.
“Do ta ndaj historinë time me fjalët e mia dhe mezi po e pres këtë”, u shpreh ajo.
Moakler ka njoftuar më herët se ka përfunduar kujtimet e saj, të titulluara Queen Risen. Sipas saj, agjencia që e përfaqëson po e prezanton librin te shtëpi të ndryshme botuese, ndërsa ajo është e hapur edhe ndaj mundësisë së botimit të pavarur.
“Jam absolutisht e hapur për ta botuar vetë, sepse jam gati ta tregoj historinë time me fjalët e mia”, tha ajo.
Në libër, Moakler pritet të flasë për romancën e saj me Oscar De La Hoya, martesën dhe divorcin e bujshëm me Travis Barker, si dhe për jetën e saj nën vëmendjen e vazhdueshme të publikut.
Ajo theksoi se qëllimi nuk është të sulmojë persona të tjerë.
“Nuk bëhet fjalë për të rrëzuar dikë tjetër. Bëhet fjalë për të marrë në dorë historinë time dhe, shpresoj, t’u tregoj grave të tjera se gjithmonë mund të ringrihesh”, tha Moakler.
Në vitin 2021, kur lidhja mes Kourtney Kardashian dhe Travis Barker u bë publike, Moakler u përfshi në një përplasje të ashpër me familjen Kardashian. Ajo kishte pretenduar se martesa e saj me Barker kishte marrë fund pasi ai kishte pasur një lidhje me Kim Kardashian, pretendim që Kim e ka mohuar në mënyrë të përsëritur.
Në një intervistë të asaj kohe, Moakler iu drejtua publikisht Kourtney dhe Kim duke thënë se familja Kardashian kishte kontribuar në prishjen e familjes së saj.
“Familja ime është shkatërruar për shkak të kësaj familjeje”, ishte shprehur ajo, duke pretenduar gjithashtu se marrëdhënia e fëmijëve të saj me të kishte ndryshuar pasi Barker nisi lidhjen me Kourtney.
Moakler kishte këmbëngulur se kishte arsyet e saj për divorcin dhe se nuk ishte ndarë pa një shkak. Në të njëjtën periudhë, Moakler u përball edhe me kritika publike nga vajza e saj, Alabama Barker.
Alabama e kishte akuzuar nënën se nuk shte e pranishme në jetën e saj, duke pretenduar se kishte kaluar muaj pa e takuar apo marrë një telefonatë prej saj. Moakler i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se bashkëprindërimi ishte i vështirë dhe se ajo gjithmonë kishte vendosur lumturinë dhe mirëqenien e fëmijëve të saj në plan të parë.