
Një konflikt i mbartur prej kohësh mes dy grupeve të rinjsh përfundoi pasditen e së shtunës me vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Viktima u qëllua me armë automatike teksa përpiqej të largohej dhe të futej në një pallat në lagjen 15 të qytetit, ndërsa autori i dyshuar, Kristjan Sterjo, u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në arrati.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja nisi rreth orës 16:00 me një konflikt mes disa personave në një zonë pranë vendit ku më pas ndodhi vrasja. Përplasja, që sipas hetimeve paraprake ishte vazhdim i një konflikti të hershëm, u zhvendos pranë banesës ku viktima kërkoi të strehohej.
Zv. drejtori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Sejfulla Metko, deklaroi se konflikti “ka qenë midis dy grupe personash”, ndërsa shtoi se “ka qenë i mbartur prej disa kohësh, ka qenë në ndjekje nga ana jonë dhe sot ka precipituar në ngjarjen kriminale”.
Sipas të dhënave hetimore, Johan Zuko është futur në hyrjen e një pallati dhe ka nisur të ngjisë shkallët për t’i ikur autorit që e ndiqte i armatosur për ta vrarë. Pikërisht në katin e tretë ai e ka arritur dhe aty është qëlluar nga pas me një plumb kallashnikovi. Ekspertiza paraprake tregon se viktima ka marrë vetëm një goditje në pjesën e poshtme të shpatullës, ndërsa predha ka dalë nga ana tjetër e trupit, plagë që rezultoi fatale.
Në dorën e 20-vjeçarit të pajetë është gjetur një thikë, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor si provë materiale. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që ajo të jetë përdorur gjatë momentit të vrasjes.
Pas vrasjes, autori u largua me shpejtësi nga zona. Ai u arrestua pas ndërhyrjes së forcave speciale RENEA, që së bashku me dhjetëra efektivë policie zhvilluan kontrolle intensive pranë banesës së autorit të dyshuar. Rreth 6 orë më vonë, ai u largua nga zona dhe u afrua drejt banesës së tij. Pikërisht në këtë moment u pikas nga forcat e Policisë, të cilat ndërhynë menjëherë për arrestimin.
Në dëshminë e dhënë në polici, Kristian Sterjo ka thënë se përplasjet me Zukon kishin nisur prej disa kohësh. Autori ka deklaruar se një nga shkaqet e përplasjes ka qenë edhe fakti se viktima i kishte ngacmuar të dashurën. Hetuesit kanë dyshime se vrasja mund të ketë ndodhur, edhe për shkak të pretendimeve të palëve, për të qenë “i forti i lagjes”.
Një nga dëshmitë direkte në vendin e ngjarjes erdhi nga banorët e pallatit ku ndodhi krimi. Kozeta Shakla, e cila ndodhej në banesë në momentin e të shtënës, tregoi se fillimisht nuk e kuptoi se bëhej fjalë për një armë zjarri.
“U dëgjua një zhurmë e madhe sikur pëlciti diçka. Thashë po dal të shoh mos është rrëzuar njeri që ta ndihmoja. Kur u ngjita lart, pashë djalin të shtrirë në tokë. Po i rridhte gjak. Nuk e harroj atë skenë” u shpreh ajo për mediat lokale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Johan Zuko dhe Kristjan Sterjo njiheshin prej vitesh dhe, sipas burimeve policore, ishin rritur bashkë. Viktima kishte shërbyer për më shumë se një vit si ushtar me pagesë në Forcat e Armatosura dhe vetëm dy muaj më parë ishte larguar nga detyra, pasi planifikonte të largohej drejt Anglisë, ku jeton i vëllai./Lapsi.al