
Fansat e Dolly Parton do të kenë mundësinë ta nderojnë këngëtaren e ndjerë përmes një eventi që ajo vetë e kishte ëndërruar, por nuk pati mundësi ta realizonte.
DollyFest, një festival muzikor me artistë të shumtë në nderim të ikonës së muzikës country, do të zhvillohet në vitin 2027 në dy fundjava radhazi, në Nashville dhe Londër.
Fillimisht, festivali ishte planifikuar të mbahej vetëm në Nashville, në janar të vitit 2026, në ditëlindjen e 80-të të Parton. Ajo do të ishte njëkohësisht performuese dhe prezantuese e eventit, por organizimi u shty për shkak të problemeve shëndetësore që këngëtarja po përjetonte.
“E kishim rezervuar ambientin dhe njoftimi ishte gati për t’u bërë. Por në gusht 2025, Dolly-t iu desh të tërhiqej pas problemeve të para shëndetësore”, tha menaxheri i saj prej shumë vitesh, Danny Nozell.
Edhe pse Parton nuk do të jetë më e pranishme për ta drejtuar festivalin, Nozell tha se ideja ishte “vërtet një ëndërr e Dolly-t”.
“Çfarë nisi Dolly, ne do të sigurohemi që të bëhet realitet”, u shpreh ai.
Organizatorët e përshkruajnë DollyFest si një festë muzikore madhështore që do të bashkojë artistë dhe fansa nga e gjithë bota.
Datat e sakta dhe informacionet për biletat do të bëhen publike më vonë, ndërsa emrat e artistëve që do të performojnë ende nuk janë zbuluar.
Dolly Parton ndërroi jetë më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me kancerin. Lloji i kancerit nuk është bërë i ditur.
Ajo u varros më 28 gusht në një ceremoni private, ku morën pjesë vetëm familjarët e saj të afërt.
Familjarët dhe ekipi i saj kanë theksuar se Parton nuk dëshironte një memorial tradicional, ndaj DollyFest do të shërbejë si një mënyrë për të sjellë në jetë një prej projekteve që ajo kishte ëndërruar vetë.