Edi Rama ka reaguar për të disatën herë kundër asaj që ai e ka etiketuar si terror dixhital kundër bizneseve, duke iu referuar fushatës për të shenjestruar me komente negative oligarkët e lidhur me të. Një ditë më parë ai kishte hartuar një status të gjatë kundër `
`BLOZES E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve``.
Kryeministri nuk nguroi të etiketonte me epitete të përbindshme ata që sipas tij qëndronin pas këtij sulmi duke marë përsipër edhe urdhrin ndaj policisë së shtetit për përndjekjen e tyre: ``logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm``.
Në ditët e fundit mijëra qytetarë kanë vlerësime me 1 yll apo komente negative një listë të gjatë me biznese, që njiheshin si pranë qeverisë dhe kishin përfituar prej saj.
Në një deklaratë për mediat vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, paralajmëroi ndjekje penale për komentuesit apo lënësit e shënimeve.
“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”,
tha Hita në deklaratë duke theksuar se pjesmarrësit e kësaj fushate do të procedohen për manipulimin e tregut dhe çmimeve, falsifikimin kompjuterik dhe shpifje.
Por po të shohësh deklaratat e kryeministrit, kryqtarëve të tij mediatikë apo edhe ato të policisë politike, të krijohet përshtypja se kjo është një fushatë zemërzinjsh kundër biznesve të sukseshsme, një luftë hibride e atyre që nuk duan turizmin shqiptar, një betejë marksistësh kundër kapitalizmit, një thirrje për të na kthyer në sistemin e vjetër monist.
Pikërisht për këtë gjë ajo që po ndodh manipulohet si një shkelje që ka lidhje me kodin penal, apo me reagimin që po bën Google për ti kthyer yjet e larta dhe për ti fshirë komentet negative bizneseve të prekura nga kjo dallgë.
Por në fakt, me gjasë, historia është krejt e ndryshme. Kjo nuk ka lidhje as me një luftë ndaj biznesmenëve të ndershëm, as me shkatërrimin e turizmit, as me dhështakzemërakët që nuk i falin suksesin më të zotëve. Thelbi i asaj që po ndodh është mëria me një njeri që ndan pasuritë kombëtare vetëm me disa duar. Pra është me Ramën dhe biznesmenët që ai mban në këmbë jashtë rregullave të tregut.
Profesori i filozofisë Klementin Mile e ka parë jo si një luftë ndaj biznesit atë që po ndodh.
``Review nuk është më vlerësim konsumatori, por shndërrohet në instrument presioni politik. Reputacioni bëhet formë e re pushteti.
Pikërisht këtu lind edhe konflikti me Policinë e Shtetit. Për institucionet, legjitimiteti për të ndëshkuar buron nga ligji dhe procedura. Për protestuesit, buron nga ndërgjegjja qytetare dhe dështimi i institucioneve. Prandaj, beteja e vërtetë nuk është për komentet në Google apo platformat turistike. Beteja është më radikale.
KUSH KA TË DREJTËN TË PRODHOJË DREJTËSI NË EPOKËN DIXHITALE?
Institucionet, përmes ligjit?
Apo qytetarët, përmes reputacionit” ka pyetur ai nw Facebook.
Në fakt, flamingot që janë në rrugë kundër padrejtësive shoqërore e kanë tejet të qartë se kë kanë në shënjestrën e tyre. Ata nuk janë “naziskinë me qeleshe”, të nxitur nga cmira. Ata thjeshtë janë qytetarë që e kanë kuptuar se janë të vjedhur prandaj po kërkojnë dorëheqjen e kryehajdutit dhe po ndëshkojnë ata që kanë përfituar prej tij.
LAPSI.AL


