
Kallëzimi i MABCO Constructions ndaj gjyqtares Miranda Naka i është përcjellë Prokurorisë së Durrësit. SPAK ka vlerësuar se, nga materialet e paraqitura, nuk rezultojnë të dhëna për vepra penale me elementë korruptivë që do të justifikonin hetimin nga Prokuroria e Posaçme, por çështja gjithsesi nuk është mbyllur. Vetë SPAK pranon se faktet e kallëzuara duhen verifikuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në shkresën e firmosur nga drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, thuhet se “nuk ofrohet asnjë e dhënë apo indicie” për vepra penale në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, por njëkohësisht vlerësohet se duhen kryer verifikime për veprimet e pretenduara si të kundërligjshme nga ana e gjyqtares.
Në pamje të parë, ky duket një vendim procedural, ku SPAK pranon se nuk është kompetent dhe ia dërgon dosjen prokurorisë së Durrësit, por thelbi i çështjes nuk ka qenë asnjëherë se Miranda Naka ishte filmuar duke marrë para nën dorë. Korrupsioni në sistemin gjyqësor nuk provohet vetëm nëse kapet një zarf, një përgjim apo nëse filmohet një takim i fshehtë me sekserët e radhës. Mjafton të analizohet se si dhe kur u mor një vendim gjyqësor aq i pashpjegueshëm, aq kontradiktor dhe me pasoja kaq të mëdha si ai që denoncoi MABCO dhe kuptohej se cështja binte erë, për paaftësi, shpërdorim detyre apo me diçka më shumë.
Miranda Naka vendosi masë sigurimi padie në favor të 2A Group vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të mëparshme të së njëjtës kompani dhe kishte rikthyer të drejtat e votës së MABCO-s, ortakut që zotëron 98 për qind të shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës.
Me pak fjalë, kur instanca më e lartë gjyqësore kishte folur, kjo gjykatëse me një vendim të ri, të marrë në dhomë këshillimi dhe pa praninë e palëve, e rrëzoi vendimin nga Gjykata e Shkallës së Parë. Për pasojë MABCO bllokohej edhe një herë për kontrollin e aeroportit të Vlorës, që i buronte nga pronësia e 98 për qind të kuotave.
Koha e vendimit e bën çështjen edhe më të dyshimtë. Ai u mor vetëm 24 orë përpara mbledhjes së ortakëve, ku pritej të zëvendësohej administratori Valon Ademi, i emëruar nga ortaku me vetëm 2 për qind të aksioneve.
-
Pacolli thirrje SPAK-ut: Hetoni kush e mbajti peng Aeroportin e Vlorës
26 Qershor, 11:45
Vendimi i Miranda Nakës nuk ishte një akt i izoluar. Ai vinte pas qëndrimeve të qëllimshme të Ministrisë së Energjisë fhe Infrastrukturës në favor të 2A Group me 2% të aksioneve dhe ndërkohë që sjellja e policisë ishte haptazi në shërbim të të njëjtave personazhe. Ishin pikërisht këto veprime të koordinuara nga qeveria, policia dhe gjykatës së caktuar që çuan në kallëzimin e drejtuesve të MABCO kundër një mekanizmi që kishte për qëllim bllokimin e aeroportit të Vlorës.
Si pasojë e këtij koordinimi, kantieri në Vlorë vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa pronari i 98 për qind të kapitalit nuk arrin të ushtrojë administrimin e investimit.
Kompania 2A Group, e cila zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve, ka arritur përmes këtyre makinacioneve që të ruajë kontrollin praktik mbi shoqërinë koncesionare, ndërsa MABCO akuzon hapur se në mbështetje të këtij realiteti janë vënë në lëvizje gjykatat, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe struktura të Policisë së Vlorës.
Në teori, MABCO është pronari pothuajse absolut i shoqërisë, por praktikisht vendimet gjyqësore në bashkëpunim me disa drejtues të institucioneve kanë bërë që kompania me 2 për qind të ketë më shumë pushtet se ajo me 98 për qind.
Behgjet Pacolli prej kohësh ka denoncuar segmente të korruptuara të shteti dhe grupe kriminale që tashmë mbajnë peng kantierin në Vlorë.
“Vështirë se mund të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajse të gjithë kapitalit të një shoqërie të përjashtohet nga administrimi i saj përmes masave që më pas shpallen të paligjshme nga gjykata më e lartë e vendit” ka shkruar biznesmeni pak ditë më parë.
Pikërisht ky ishte hetimi për të cilin kërkohej ndërhyrja e prokurorëve të SPAK. Nuk ishte rasti që të pyetej një gjyqtare nëse kishte marrë para apo jo, por të hetohej se si një kompani me 2 për qind të aksioneve arriti të angazhonte një seri institucionesh shtetërore dhe të mbante peng një investim strategjik.
Si u përpoqën ta neutralizojnë vendimin e Gjykatës së Lartë? Përse Ministria e Infrastrukturës nuk garantoi zbatimin e tij? Përse policia pengoi hyrjen e përfaqësuesve të ortakut mazhoritar në kantier? Dhe mbi të gjitha, si është e mundur që të gjitha këto vendime dhe mosveprime të përfundojnë vazhdimisht në favor të së njëjtës palë?
Gjithsesi, edhe pse SPAK ka zgjedhur të mos e hetojë vetë këtë pjesë të historisë, kallëzimi nuk është pushuar. Ai i është kaluar Prokurorisë së Durrësit, e cila duhet të verifikojë nëse vendimi i gjyqtares Miranda Naka përbën shpërdorim detyre apo jo. Dosja është ende e hapur dhe mbetet për t’u parë nëse hetimi do të arrijë të ndjekë të gjithë zinxhirin e vendimeve dhe mosveprimeve që e kanë mbajtur Aeroportin e Vlorës të bllokuar për kaq gjatë./Lapsi.al


