Flash

Tirana në prag të një tjetër bumi ndërtimesh, shifrat kalojnë çdo rekord

Shifrat tregojnë se vala e ndërtimeve në Shqipëri jo vetëm nuk po ngadalësohet, por po hyn në një fazë të re zgjerimi, me Tiranën dhe bregdetin që pritet të mbajnë peshën kryesore.

Lapsi.al 13 August 2026

Tirana pritet të përjetojë një tjetër valë ndërtimesh, edhe më të madhe se ajo e viteve të fundit. Të dhënat e publikuara nga qeveria tregojnë se, përtej perceptimit se kryeqyteti është mbushur me kulla dhe pallate, lejet për projekte të reja janë përshpejtuar ndjeshëm. 

Duke lexuar treguesit e Ministrisë së Financave, Monitor raporton se paratë që po derdhen në arkat e shtetit nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, kanë arritur nivele rekord, duke lënë të kuptohet se në vitet e ardhshme panorama urbane e Tiranës do të ndryshojë edhe më shumë.

Shifrat për Tiranën

Sipas Monitor, plot 12.5 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë mbledhur vetëm nga Bashkia Tiranë në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti.

Kjo shumë është pothuajse sa të gjitha të ardhurat që Bashkia Tiranë arkëtoi nga kjo taksë gjatë gjithë vitit 2025. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, të ardhurat janë rritur me 362%, ose afro pesë herë më shumë.

Në Tiranë, taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet në masën 8% të çmimit referues të shitjes për metër katror. Këto çmime nuk kanë ndryshuar që prej korrikut 2023, kur u miratua VKM nr. 457. Kjo do të thotë se rritja rekord e të ardhurave nuk vjen nga ndryshimi i formulës së taksimit, por nga fakti se është miratuar një volum shumë më i madh ndërtimesh. 

Bazuar në këtë formulë, vlera e ndërtimeve që korrespondojnë me taksën e mbledhur në Tiranë arrin në rreth 156 miliardë lekë, ose afërsisht 1.6 miliardë euro, vetëm në gjysmën e parë të vitit.

Valë e re betoni edhe në bregdet

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Edhe bregdeti, veçanërisht jugu, po hyn në një cikël të ri ndërtimesh.

Rekordin e mban Himara, ku të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 1.2 miliardë lekë, ose 301% më shumë se një vit më parë.

Pas saj renditet Durrësi, me 841 milionë lekë të arkëtuara dhe një rritje prej 58%.

Edhe Saranda po njeh një shpërthim të ri ndërtimesh, me 478 milionë lekë të mbledhura nga kjo taksë, gati shtatë herë më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Ndërsa edhe Golemi, pavarësisht densitetit të lartë ekzistues të ndërtimeve, vijon të zgjerohet, me të ardhurat nga kjo taksë që janë rritur me 37%.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë arkëtuar 18.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në të gjithë vendin. Shifra është pothuajse e barabartë me të gjithë të ardhurat e mbledhura gjatë vitit 2024 (18.6 miliardë lekë) dhe madje 15% më e lartë se arkëtimet e të gjithë vitit 2025./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI