Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnjë e ka kërkuar vëmendjen nëpërmjet shfaqjeve ekstravagande dhe jo përmbajtjes. Shfazimi i fundit i kryeministrit shqiptar ka të gjitha simptomat e autokratëve që tmerrohen kur shohin fundin dhe pafuqinë e tyre për ta shmangur atë, megjithë pushtetin e madh që kanë në duar. Edi Rama, në pak orë, ka realizuar se 83 mandatet, kuvendi, qeveria, drejtësia, banditët, mediat, oligarkët, bordi i paqes, Netanjahu, Erdogani, Meloni apo Xharedi, papritur mund të treten si kripa në ujë dhe nuk mund t’i vinë në ndihmë përballë zemërimit të atyre që i ka nëpërkëmbur, mashtruar e nënshtruar. A ka panik më të madh se ky për t’u çmendur e marrë malet duke kënduar e performuar, fiks si të gjithë gjysmë- diktatorët që duan të tregojnë forcë kur janë të mbaruar?
Nuk është e lehtë të mos rrëshkasësh nga mendorja kur sheh se brenda një nate, nga mbret i Shqipërisë përfundon në mbret të memeve. Kur nga hokatari që tallej me gjithkënd kthehesh në kllounin që tregohet me gisht. Kur nga lideri që mahniste Parisin, Londrën, Romën e Uashingtonin, del zbuluar më mediat më të mëdha të planetit si një diktatoruc provincial që shpërndan copa atdheu për të hyrë në të brëndshmet e Trampit apo këpucët e Melonit. Kur nga vizionari që do zgjidhë kriza nga Ballkani e deri në Kubë, mbetet mujshari që nxjerr popullin e tij në rrugë.
-
“Reuters”: Mijëra në rrugë, protesta më e madhe deri tani në Tiranë
10 Qershor, 22:57
Gjithë ky investim, që ndër vite ka kushtuar qindra miliona euro (kompani lobimi, këshilltarë sekretë, fushata mediatike ndërkombëtare, blerje zyrtarësh të huaj si Mekgonigali, joshje me copa bregdeti, porte e aeroporte) u shkri pa lënë gjurmë, njësoj si krahët e flamingove në ajër. Sot kryeministri shqiptar është lakuriq, jo vetëm për shqiptarët por edhe në sytë e botës. Protesta theu vitrinën e një satrapi ballkanik që shitej, me paratë tona, si udhëheqës modern e demokratik. Nga CNN e me radhë të gjitha mediat më të rëndësishme të globit, sot po tregojnë Shqipërinë e vërtetë që një njeri i vetëm e ka marrë zvarrë për ta përplasur herë te djali i Sorosit e herë te dhëndrri i Trampit.
Kjo nxjerrje boje, që në tre ditë i shembi 13 vite propagandë, sigurisht që e ka lajthitur. Por ka edhe më shumë. Rama, jo vetëm e ndjen, por e di edhe nga përvoja se kur fillon merr ujë, të parët që kërcejnë nga anija janë ata që deri dje të kanë shërbyer. Asnjë nga pjestarët e garnizonit lokal mediatik nuk ka dalë hapur në mbrojtje të tij. Guximi i ditëve të para për të sulmuar protestën si e nxitur nga grekët, iranianët apo serbët, u zbyth përballë fuqisë së revoltës qytetare. Sot, edhe ata që i ka ushqyer me duart e tij, thonë se protesta është e drejtë dhe maksimumi që mund t’i shërbejnë ende kryeministrit të drobitur është të flasin për të ardhmen e lëvizjes, organizatorët, programi politik etj etj.
-
Rama bën gjithçka të shuajë protestën, shfaqet me bluzë me flamingo
8 Qershor, 18:47
Rama po e vërteton vetë atë që e ka ditur dhe e ka parë: mercenarizmi vlen sa je i fortë dhe paguan. Kur je buzë greminës, prej andej të vjen shtyrja e parë. Ai di t’i lexojë shenjat. Asnjë qëndrim i hapur në mbrojtje të tij. Protestën që fillimisht nuk e dha asnjë prej mediave, sot e transmetojnë të gjitha dhe e kanë lajm të parë. Tezat se ai duhet ta lexojë si duhet revoltën qytetare, se gaboi me menaxhimin e situatës në Zvërnec, se duhet të hapë rrugën, etj, po artikulohen edhe nga ata që deri i dje i binin shpatullave me fjalinë standarte: Rame, ec përpara se ke votat.
Pra shenjat janë të qarta. Edhe këtu po ikin për lesh miliona euro të dhëna për sekserë mediatikë të tenderave publikë, për propagandistë të shtrenjtë e të lirë apo për ekrane që mbahen me para të zeza nga biznesmenë të qeverisë. Një lumë i madh milionash, që një protestë i çoi të derdhen në det. Publikisht, mbrojtjes së Edi Ramës nuk mund t’ia vërë fytyrën askush. Madje dhe ata që njihen botërisht si të pafytyrë.
Përdorimi i 35 vjetorit të Partisë Socialiste si festat e Kim Jong- unit, për të treguar unitetin e liderit me partinë, është një tjetër dëshmi e ankthit që shkakton paranoja e fundit të pashmangshëm. Si ai që këndon me zë të lartë në pyll për të trembur frikën e tij, edhe Rama bërtet e kërcen me shpresën se do t’i japë zemër vetes dhe atyre që ende i shkojnë pas. Por edhe në Partinë Socialiste nuk ka ndonjë të papërmbajtur zell për t’i dalë në krah liderit që qytetarët shqiptarë i kërkojnë në korr të largohet.
Pikërisht në kohën kur ndihej më i fortë se kurrë, Edi Rama ka mbetur vetëm më shumë se kurrë. I diskredituar anë e mbanë botës, i pafuqishëm të frymëzojë mercenarët apo vullnetarët rreth tij, i qartë se do braktiset prej tyre ashtu siç ai vetë braktisi ata që i dhanë pushtet, tashmë i kanë mbetur vetëm influencuesit t’u bërtasë, si rituali i fundit që mund t’i largojë frikën nga rënia. ©LAPSI.AL



