Më 20 maj, para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, të Senatit amerikan, i nominuari për ambasador në Tiranë, Eric Wendt, i dha peshë, në fjalën e tij, portit të ri në Porto Romano.
Informacioni thoshte se Wendt kishte njohuri të sakta për ndërtimin e këtij porti edhe pse lajmet, e emtuara për këtë investim, janë kryesisht të mediave lokale shqiptare.
Sipas Wendt: “Porto Romano aktualisht është një nga portet kryesore atje, nëse do të ketë në të ardhmen një strukturë të sigurt mallrash, një skelë të sigurt.
Është i lidhur me Korridorin pan-evropian numër Tetë dhe do të jetë efektiv deri në vitin 2030. Ky është objektivi.
Dhe pastaj, prej andej, mjetet ushtarake mund të lëvizin absolutisht dhe kjo do të ishte shumë e dobishme për NATO-n dhe, meqë ra fjala, e dobishme gjithashtu për bizneset amerikane që mund të ndihmojnë në përmirësimin e portit dhe infrastrukturës portuale.”
Pak më tej, senatori demokrat, Kris Mërfi (Christopher Scott Murphy) e pyeti të nominuarin Wendt për investimet e famijes së Presidentit Tramp në Ballkan:
“Kam frikë se diplomatëve tanë në rajon po u kërkohet të lehtësojnë këto kontrata, që nuk janë më e mira për interesat e Shteteve të Bashkuara. Po i fusin të hollat më xhepat e vetë Trampit, të familjes dhe miqve të tij... Ambasada jonë atje duhet të luftojë korrupsionin dhe jo t’a ndihmojë atë.”
Por... edhe pse këto informacione të senatorit Kris Mërfi gjenden në të gjitha mediat e mëdha amerikane dhe botërore, i nominuari për ambasador në Tiranë, mohoi të kishte dijeni.
E pra, kjo lloj vendosje informacioni, te i nominuari për ambasador i SHBA-ve në Tiranë, ngre dyshime se, përpara se të qaset i dobishëm për problemet e mëdha që kemi me korrupsionin shtetëror dhe krimin e organizuar, si bashkëjetues të Rilindjes, ka shumë të ngjarë që, para së gjithash, ai të jetë dërguar nga Presidenti Tramp për të siguruar bizneset e familjes.
Po kështu, specifika e informacionit të emetuar para senatorëve, për Porto Romanon, dhe lidhjen e tij me NATO-n, ngre dyshime se Wendt mund të jetë instruktuar nga Shqipëria.
Kjo sepse, shkuarja në avancë e ambasadorit të nominuar te një nga hallet më emergjente të Ramës, ose te një nga sharrat më të mëdha që i kanë ngecur nëpër gozhdë, që është ndërtimi i portit të ri të Porto Romanos, nuk mund të jetë profeci.
Qysh pas projektit aventuresk të ndërtimit të resortit turistik të arabit Alabar përmbi territorin e Portit historik të Durrësit, Kryeministri Rama dhe “ushtarët” e tij, nisur nga Presidenti i Republikës e shkuar të ish-ministri i Mbrojtjes, Vëgnu, kanë lëvizur të gjithë gurët për t’i ofruar Paktit Ushtarak të Atlantikut të Veriut (NATO) një bazë detare në portin e pandërtuar ende të Porto Romanos.
Vetëofrimi i Kryeministrit Rama synon që, me vendosjen e një baze të NATO-s në Porto Romano, t’i japë portit të ri fasadën, apo pasaportën e një investimi të besueshëm dhe të çertifikuar nga NATO dhe Bashkimi Europian.
Sipas këtyre llogarive, prania e NATO-s në Porto Romano duhet për të luajtur rolin e një torreje apo karakolli të gjithëdukshëm ushtarak, në funksion të joshjes së kompanive të huaja për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, më qëllim fundor mbylljen e rrethit aventuresk të zhvatjes së Portit të Durrësit.
Përtej kësaj pjese relativisht të dukshme, prania e NATO-s duhet për të mbuluar edhe një pjesë më të errët, siç është mungesa flagrante e studimit të fizibiliteti për portin e ri të Porto Romanos.
Por, zyrtarët e NATO-s në asnjë rast nuk janë shprehur pro kërkesës, apo lutjeve gjunjëzuese, të Ramës & co për të ndërtuar një bazë ushtarake - detare në Porto Romano.
Ata kanë ende në tavolinë një kërkesë të vjetër, të Qeverisë Shqiptare, të vitit 2019, për të ndërtuar një bazë ushtrarake - detare në Pashaliman dhe kanë deklaruar, në vitin 2021 se “Porti historik i Durrësit ka qasje strategjike për NATO-n” (Deklarata e Gjeneralit Christopher G. Cavoli, në këtë kohë komandant i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara dhe Komandant Suprem i NATO-s për Europën).
Paralelisht me heshtjen e zyrtarëve të NATO-s për një bazë të Aleancës në Porto Romano, Qeverisë Shqiptare i kanë dështuar tri tendera të njëpasnjëshëm për ndërtimin e portit të ri.
Dështuan, edhe tentativa për ta dhënë të gjithin me koncesion, dështoi edhe një tentativë për ta dhënë gjysmën me koncesion dhe gjysmën me para të buxhetit të shtetit, dështoi edhe tentatva e tretë, për ta dhënë qind për qind me financat e shtetit, në shumën 400 milionë euro.
Thjesht, investitorët e huaj vazhdojnë të largohen nga Porto Romano si shejtani nga temjani.
Situatën e errësoi më tepër, më 7 mars 2026, edhe Van Cleeve, Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, i cili i dërgoi Kryeministrit Rama një letër të hapur, ku i shkruante se “projekti aktual për Porto Romanon është shumë i kufizuar në përmasa dhe rrezikon të mos e shfrytëzojë potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon”.
Sipas Van Cleeve, “projekti parashikon rreth 1.400 metra mur moli dhe rreth 2.38 hektarë sipërfaqe portuale, një shkallë që nuk mund të konkurrojë me portet e mëdha të rajonit...”
Më tej, “një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumin e nevojshëm të mallrave për të mbështetur Korridorin 8 - një projekt strategjik transporti që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi”.
Për më zi akoma, prej dhjetorit të vitit të kaluar, tenderi për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano është duke u hetuar edhe nga SPAK - Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, pas një kallëzimi të dorëzuar nga kompania kontraktuese holandeze “Van Oord” që pretendon konsum të veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë së pjesmarrësve në tendera”.
Për të gjitha këto dyshime, arsye e fakte, shfaqja në avancë, në krah të halleve të Ramës, e të nominuarit për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, kërcet në dhëmballë me pasojën e asaj kockës së fshehur në mish.
Sigurisht që ambasadori amerikan në Shqipëri është i mirëpritur dhe i mikpritur. Këtë e ka ligjëruar historia.
Por urimet janë që të ketë këmbë të mbarë!
LAPSI.AL




