Ndonëse vendimi i sotëm i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për të zbutur masat e paraburgimit në Shqipëri është disafish i paragjykuar, ai përbën një akt në të mirë të qytetarëve dhe të së ardhmes.
Le ta nisim fillimisht me dyshimet. Ndryshimi i praktikës së deritanishme gjyqësore lidhur me masat më të rënda të sigurisë për të arrestuarit, ka nxitur frikën se po ndërmerret për të nxjerrë nga burgu Veliajn, Beqajn, Metën, etj. Si i tillë ai mban mbi vete pandehmën se është i motivuar politikisht.
Gjykata e Lartë zbut paraburgimin/ A mund të përfitojnë tani Veliaj, Meta dhe Beqja?
Së dyti, ai ka përkuar me një kohë kur parlamenti shqiptar refuzoi t'i hapë rrugë kërkesës së SPAK, për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, duke shtuar akuzat se po mbyllet epoka e shkurtër e "fundit të pandëshkueshmërisë", e cila ishte edhe një nga kollonat kryesore që motivoi reformën drastike në drejtësi.
Më tej, rastësisht ose jo, ai qëlloi në kulmin e fushatës propagandistike të iniciuar nga Edi Rama, i cili për interesa thellësisht personale, u kujtua të citojë raportet ndërkombëtare, që i nxinin rekordet e Shqipërisë si një vend ku kishte më shumë të paraburgosur sesa të dënuar me vendim të formës së prerë. Qoftë për të penguar që një ditë prangat të viheshin mbi kyçet e tij, apo qoftë edhe për të shpëtuar ata pak ushtarë që i kanë mbetur të lirë, kryeministri u angazhua në këtë kryqëzatë duke shndërruar në kryefjalë të sulmeve të tij kundër SPAK-ut dhe gjykatave mentalitetin represiv të trashëguar nga e kaluara, për të të plasur me të parën brenda.
Po ta ndërlidhësh këtë qëndrim politik edhe me faktin se Gjykata e Lartë është treguar kryesisht vasale e pushtetit politik në vendimet e saj të mëdha, dyshimet nuk kanë se si të mos shumfishohen.
E megjithatë, megjithatë, pavarësisht nga këto pandehma ogurzeza, ajo çka kanë vendosur sot Kolegjet e Bashkuara, mbetet një akt që duhet përshëndetur.
Duke marrë shembullin e një fshatari të thjeshtë lezhian, Bektesh Zenelit, që në kotecin e pulave iu gjet hashash, por për të cilin mbajtja si i paraburgosur dukej e ekzagjeruar, GJ.L. ka vendosur se për të shpënë dikë në burg, shkallët më të ulëta të gjykimit duhet të shtojnë filtrat. Këtej e tutje ato nuk duhet të mjaftohen me formulat standart se i pandehuri përbën rrezikshmëri, se mund të prishë provat apo mund të arratiset. Por në të kundërt atyre u shtohet obligimi që të marrin në shqyrtim edhe masat më të lehta madje të shprehen me vendim se përse nuk i kanë aplikuar ato.
I shpjeguar me një gjuhë të thjeshtë vendimi udhëzon që arresti me burg të pushojë së qeni një rregull dhe të shihet si përjashtim. Ai gjithashtu e shton barrën e dyshimit ndaj kërkesave të prokurorisë dhe kërkon një rol më të madh kontrollues të gjykatave ndaj pretendimeve të organit të akuzës që në praktikë merrshin deri më tani si të padiskutueshme.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, ky vendim mund të përkthehet si hapja e një epoke të re, ku burgjet tona duhet të jenë të populluara me shumë më pak banorë që nuk kanë një vendim të formës së prerë. Dhe pikërisht këtu qëndron lajmi i mirë, pasi ky hap është një avancim ndaj standartit të prezumimit të pafajsisë dhe konsolidimit të respektimit të të drejtave të njeriut.
Në këtë kuptim, sado motive politike që ta kenë shtyrë Sokol Sadushin ta iniciojë këtë proces, sado i rrejshëm të ketë qenë meraku për Bektesh Zenelin, sado rrezik që të ketë ajo që dyshon opozita se gjithçka po bëhet për lirimin e mundshëm të Veliajt apo pengimin e arrestimit të Ballukut, shtrirja e efekteve të këtij vendimi prek fatet e aq shumë njerëzve, sa në këtë rast kazuset personale të disa pushtetarëve janë krejtësisht të papërfillshme. Të zvogëlosh kompetencat prokurorëve represivë që të plasin në burg pa fakte, të përkrahur nga pandjeshmëria dhe indiferenca e plotë e gjyqtarëve, përbën realisht një mini- revolucion. Dhe kjo gjë ia vlen edhe kundrejt çmimit të lartë që mund të ketë shpëtimi i Lalit apo Belës.
©Lapsi.al