Nga kjo e dielë e 24 majit Lapsi.al po i drejtohet publikut me një fytyrë të re, e cila nuk është vetëm një përçapje për tu përshtatur me zhvillimet e pandalshme të teknologjisë, por mbi të gjitha një shqetësim për t’i qëndruar sa më pranë lexuesve që na ndjekin, për më shumë se një dekadë.
Shpesh gjatë këtyre viteve kemi marrë reagime, vërejtje dhe sugjerime prej tyre, sidomos në një pikë. “Po, ju pëlqejmë për mënyrën se si i bëni analizat dhe si i shprehni qëndrimet editoriale tek rubrika “Ide”, por ama mbetemi të pangopur me vendin që i jepni, lajmit të fundit dhe asaj që ndodh në kohë reale.
Në fakt, ky dyzim ka qenë një torturë e vërtetë edhe për ne në redaksi. Por kemi marrë bashkarisht një vendim, për ti dhënë një hapsirë më të madhe në kreun e faqes më shumë thellimit, sesa asaj çka ka ndodhur pak minuta më parë. Me tepër përpjekjes për të kuptuar, sesa scoop-it apo dëshirës për klikime të aty për atyshme.
-
Ndryshimi i katërt i madh në historinë e Lapsi.al
24 Maj, 07:55
Si pasojë e kësaj zgjedhjeje editoriale të ndërgjegjshme ndodh që artikujt kryesorë, që kërkojnë kohë, investigim, përqasje faktesh e mbi të gjitha një sforco më të madhe financiare sesa marrja “copy paste” e diçkaje që e ka prodhuar një koleg tjetër, të qëndrojnë për një kohë më të gjatë në ballinë. Ky është çmimi që kemi qenë të gatshëm për të paguar duke dashur mbi të gjitha të promovojmë gazetarinë cilësore, atë që dhe të informon dhe të bën të mendosh, atë që nuk të trajton si konsumator, por si qytetar të ndërgjegjshëm, të shqetësuar për gjërat që ndodhin përreth tij.
Kjo zgjedhje e vullnetshme, ky haraç i domosdoshëm për tu paguar në një treg që rend pas lajmit të shpejtë me një burim, ka pasur edhe koston e saj që përmblidhej shpesh tek kërkesa e lexuesve për më shumë dinamizëm.
Me formën e re me të cilën po shfaqemi përpara publikut sot jemi rekur, me aq sa mundemi ta korigjojmë këtë mangësi. Dy rubrika të reja i shërbejnë këtij qëllimi. Lajmet “flash” janë ngritur fare lart, duke parakaluar njëri pas tjetrit, sipas kronologjisë kohore. Edhe në “Aktuale”, që gjendet si një kollonë e tretë mes shkrimeve të thelluara dhe editoraleve, do të zerë vend tema e ditës sipas zhvillimeve të fundit me të cilat përditësohet ajo.
Por këto “risi” që i mundëson teknologjia dhe që na japin shansin ti afrohemi sa më pranë oreksit të lexuesit, nuk do të prekin apo reduktojnë atë që mbetet ADN-ja e ekzistencës sonë: një vend parësor për artikujt analitikë, shpjegues e dekriptues që bëjnë diferencën në këtë treg të dominuar nga diktati i momentit. Duke bërë këtë zgjedhje në formë, pa hequr dorë nga bindjet për përmbajtjen, nuk na mbetet vetëm të shpresojmë se e kemi arritur qëllimin, për tu modernizuar, pa u tjetrësuar. Koha dhe përshtatja me faqen e re e atyre që na ndjekin, do të tregojë se sa ia kemi dalë.
