Flash

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

Blendi Kajsiu 5 June 2026

E kapur gafil nga protesta kundër gllabërimit të një perle kombëtare si Zvërneci, propaganda qeveritare ka ndezur motorët e saj për të delegjitimuar protestën qytetare si anti-nacionaliste, greke, marksiste, dhe antikapitaliste. Por argumenti kryesor i qeverisë dhe autoporlantëve të saj është se në Zvërnec dhe në Sazan do hidhen milliarda dollarë që do pasurojnë të gjithë shqiptarët, do transformojë ekonominë tonë përfundimisht dhe do e nxjerrin Shqipërinë në selamet.

Kjo është ndoshta një nga përrallat më të mëdha të pos-komunizmit shqiptar që nga i famëshmi “çek i bardhë” që Perëndimi do i jepte Shqipërisë pas rënies së komunizmit për ta nxjerrë një herë e mirë në dritë. Të gjithë e dimë si përfundoi historia e çekut të bardhë. Shumica e shqiptarëve doli në dritë, por pa brekë në bythë. 

Ndaj shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda dollarë dhe euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare.

Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof prej kohësh. Në rastin e projektit Marina Durrës u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë (shiko këtu) Qeveria propagandonte se miliardat që do hidheshin në Durrës do ta transformonin në Duabain apo Monakon e Ballkanit.  Për këtë qëllim thjesht i duhej dhuruar pak Alabarit porti më i madh dhe më i vjetër në vend.

Sot është e qartë se projekti i Marinës Durrës ishte thjesht një skemë dhurimi i një mega trualli publik një grupi privatësh, me fasadë Alabarin dhe nga pas ndërtues dhe firma pranë pushtetit. Sipas mediave sot në projektin e Marinës për vitin 2023 dhe 2024 ishin investuar rreth 41 milion euro, nga të cilat vetëm 7.4 milion ishin investim i kompanisë Eagle Hill. Pjesa dërrmuese ishin pagesa që janë bërë për blerje në ajër. (shiko këtu).

Një skemë e ngjashme u zhvillua edhe në rastin e parkut kombëtar të Butrintit ku në emër të zhvillimit dhe investimit elitar turistik filloi betonizmi dhe privatizimi i një nga perlave të natyrës sonë. Është po e njëjta llogjikë që privatizon plazhet publike në duart e investitorëve strategjikë, që marrin plazhe dhe nuk paguajnë as taksa sepse janë elitar.

Cila është garancia që skema që po zbatohet sot në Sazan dhe Zvërnec nuk është e njëjta si në Marinën e Durrësit?  Kush do garantojë që investimi do jetë 4 miliard dhe jo 40 milion dollar, pasi është dhuruar Sazani? Ndonjë inspektor i yni nga Ministria e Financës? Apo shteti ynë do të fitojë përballjen me familjen Kushner-Trump në arbitrazh ndërkombëtar nëse ata e marrin Sazanin por nuk bëjnë investimin e premtuar?

Është e habitëshme se si në mediat tona, majtas e djathtas, çifti Kushner – Trump shihet me adhurim provincial si garanci e investimit.  Ndërkohë këto janë dy familje që njihen për mungesën e etikës dhe për xhambazllëkun në biznes. Trumpi është legjendar jo vetëm për megakorrupsionin që po bën si president, por si një biznesmen i pashpirt dhe mashtrues që shpesh nuk paguante punëtorët dhe nuk përmbushte kontratat. (shiko këtu

Familja Kushner është një histori e ngjashme. Babai i Kushner, Administrator i Kompanive Kushner, është dënuar me dy vite burg në SHBA për manipulim dëshmitarësh, financim të paligjshëm të fushatave elektorale dhe evazión fiskal, vepra që ai i ka pranuar. Ndërkohë që vetë Jared Kushner ishte një nga ideatorët e planit të Trump dhe të Netanjahut për ta kthyer Gazën në rezort turistik, duke hequr qafe palestinezët.

Idea se dhurimi i Sazanit individëve të tillë do garantojnë interesin kombëtar shqiptar, se ata do respektojnë florën dhe faunën tonë apo edhe kontratat me shtetin shqiptar, është përrallë më vete. I vetmi interes që padyshim garanton një investim i tillë është ai politik i kryeministrit Rama. Aq më tepër po të kemi parasysh terrin informativ që e rrethon dhurimin e Sazanit dhe investimin e Zvërnecit. 

Në këtë pikë lexuesi mund të më akuzojë për skepticizëm të tepruar, apo edhe për frymën time anti-Trump, anti-investitor apo anti-kaptial. Ndaj le të supozojmë për një moment se gjithçka do zhvillohet ekzaktësisht ashtu siç thotë qeveria: do investohen katër miliardë dollarë dhe në Sazan dhe Zvërnec do ndërtohen rezortet më luksoze në planet. 

A është e vërtetë se një investim i tillë do rrisi nivelin e jetës dhe ekonominë e shumicës së qytetarëve shqiptar në jug? Padyshim që investime të tilla do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për miliarderët, ama pyetja që shtrohet është sa janë shanset që investime të tilla ta bëjnë Shqipërinë më të jetueshme dhe më të banueshme për shqiptarët e thjeshtë?

Këto shanse janë mjaft të ulëta. Së pari, rezortet elitare si efekt parësor do kenë rritjen e çmimeve rreth e rrotull tyre, duke e spostuar gjithnjë e më tepër qytetarin e varfër shqiptar me turistin e pasur që ata tërheqin. Ky është një proces që ka filluar tashmë, por që do përshpejtohet me turizmin elitar që gllabëron hapësirat publike dhe shkatërron florën dhe faunën.

Së dyti, zhvillimi dhe punësimi që prodhojnë investime të tilla zor se do prodhojnë një mrekulli ekonomike në jug. Në këto rezorte shqiptarët do punësohen si ofrues të shërbimeve bazike, që nga ruajtja, larja dhe shplarja, që ofrojnë paga të ulëta dhe nuk i përgjigjen aspak rritjes marramendëse të çmimeve. 

Ndërkohë integrimi i resorteve të tilla me tregun dhe bujqësinë lokale është akoma më i vështirë se me investimet jo elitare. Këto janë rezorte që kuzhinierin e sjellin nga Argjentina, domaten nga Italia, djathin nga Hollanda dhe recepsionisten dhe inxhinierin e informatikës nga India. 

Ndaj idea se investime të tilla do kenë një efekt të mrekullueshëm në zhvillimin dhe punësimin rajonal është një tjetër fantazi që qeveria po përpiqet ti shesë qytetarëve shqiptar. Ajo dhe zëdhënësit e saj na thonë vazhdimisht se të gjithë do përfitojmë nga këto investime. Se ato janë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve shqiptar në përgjithësi.

Në fakt, krejt e kundërta është e vërtetë. Investime të tilla janë tipike të modelit zhvillimor përjashtues të qeverisë aktuale që u dhuron pasuri publike “investitorëve strategjik” por nuk u merr taksa. Është modeli ku hapësira dhe prona publike privatizohet në duart dhe në përfitimin e atyre që janë pranë pushtetit, duke përjashtuar nga gëzimi i pronës publike qytetarin e thjeshtë.

Ky i fundit, që është shumica dërrmuese e popullsisë, përballet me rritjen astronomike të çmimeve që turizmi elitar e nxit edhe më shumë, me punësim mediokër në rezortet elitare ndërtuar në pronën e tij publike, ku ai mund të hyjnë vetëm si pastrues, roje dhe kamarier, por jo si qytetar dhe aq më pak si bashkëpronar. 

Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu 

Të këshilluara

Një drejtor policie, kokë turku në Zvërnec

Elidon Çela nuk u shkarkua se prodhoi një komunikatë ku manipuloi ngjarjen. As se ndenji indiferent kur dhunoheshin protestuesit. Ai pagoi çmimin e thyerjes së heshtjes për një aferë ku implikohet familja e presidentit Trump. Të cilët Rama me sa duket ka vendosur ti gostisë pa shpërthyer skandale

08:27 Andi Bushati

Ambasadori që e nisi me këmbë të gabuar

Paralelisht me heshtjen e zyrtarëve të NATO-s për një bazë të Aleancës në Porto Romano, Qeverisë Shqiptare i kanë dështuar tri tendera të njëpasnjëshëm për ndërtimin e portit të ri

11:32 Ferdinand Dervishi

Dy ambasadorët që prishën festën e Ramës

Ndërsa Rama po festonte në Bruksel, Gjermania dhe Holanda i kujtuan se kushtet e vendosura nuk kanë rënë, ato thjeshtë janë eksportuar drejt një faze tjetër

22:08 Andi Bushati

Përse një fytyrë e re për Lapsi.al

Ajo që ka ndryshuar me ristitë në formë, të detyrueshme në një treg të dominuar nga diktati i shpejtësisë, por që nuk prekin kredon për një gazetari të thelluar që i bën lexuesit të mendojnë

22:27

Të vërtetat alternative të Ramës

Edi Rama është zhytur në një spirale marramendëse të mohimit të realitetit dhe të krijimit njëkohsisht me të të të vërtetave alternative, që zor se mund t'ia be...

14:45

Çfarë fshihet pas puthjes së Ndrenikës

Pas shfaqjes së fundit të Erion Velisë, ata që vuajtën më shumë emocionalisht nga sulmet kundër Robert Ndrenikës, ishin pak a shumë ata që po vuajnë materialish...

15:04

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI