Flash

Turizmi elitar si kullat e Ramës në Tiranë

Klisheja `turizem elitar` është njësoj si modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike në vitet 1990, i cili u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim

Blendi Kajsiu 10 June 2026

 

Një nga justifikimet kryesore për privatizimin e hapësirës publike si në Sazan edhe në Zvërnec është se Shqipëria ka nevojë për turizmin elitar. Sipas qeverisë sapo të vijnë turistët elitar, pra të pasurit, të gjithë shqiptarët do punësohen, pabarazia dhe varfëria do zhduket dhe vendi do zhvillohet.

Kjo ide është përsëritur aq shumë në televizor nga kryeministri dhe propaganda qeveritare, si dhe nga një segment i industrisë së turizmit, saqë është kthyer pothuajse në klishe. Aq sa nuk ekziston asnjë debat apo diskutim nëse modeli i turizmit elitar është i përshtatëshëm për Shqipërinë, nëse ai redukton apo e thellon pabarazinë dhe përqëndrimin e parasë. 

Jemi njësoj si në vitet 1990, kur modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim. 

Edhe atëherë na u tha se sapo të privatizohej e gjithë prona publike dhe shtetërore në duart e pak individëve ekonomia do zhvillohej për të gjithë. Një nga produktet më ekzemplare të këtij modeli ishte fenomeni Taç i Oil, që e ktheu industrinë e naftës në skrap.

Ndaj sot është e rëndësishme që ta vemë në pikëpyetje këtë mrekullinë e re të “turizmit elitar”. Aq më tepër kur në emër të tij po privatizohet ishulli ynë i vetëm, po betonizohet parku kombëtar i Butrintit, dhe po shkatërrohet laguna e Nartës, një nga perlat e natyrës sonë. 

Përndryshe mos u çuditni nëse nesër do ndërtohet një rezort elitar tek Syri i Kaltër apo tek Uji i Ftohtë në Tepelenë që do ti privatizojë këto mrekulli të natyrës për një grup të ngushtë turistësh me para. 

Apo nëse pasnesër në funksion të turizmit elitar qeveria e kthen edhe Kalanë e Beratit, të Tepelenës apo të Gjirokastrës në një rezort elitar, nga ku miliarderët e botës mund të këqyrin nga lart poshtë qytetarët shqiptar, pa u përzier me ta.

Për të kuptuar efektin që turizmi elitar mund të ketë mbi vendin dhe ekonominë tonë duhet të injorojmë përrallat e qeverisë dhe të miliarderëve të saj dhe duhet të shikojmë efektin që ky model ka pasur në zemër të Shqipërisë, në Tiranë. E kam fjalën për kullat e kryeministri Rama.

Është i njëjti model zhvillimor që synon tërheqjen e elitës botërore duke ndërtuar pasuri të paluajtëshem luksoze dhe super të shtrenjta që do të tërheqin investitorët e mëdhenj dhe turistët e nivelit të lartë. Janë ndërtesa që projektohen nga arkitektët më të famëshëm në botë.

Ndonëse asnjë analogji nuk është perfekte, paralelet mes kullave të Tiranës dhe rezorteve elitare janë impresionuese. Në të dyja rastet bëhet fjalë për vepra luksoze të ndërtuara në pika strategjike nga arkitektë të huaj të famshëm për të tërhequr elitën botërore.

Në të dyja rastet për ndërtimin e tyre është dhuruar, marrë apo sakrifikuar hapësira e përbashkët publike. Nëse në Vlorë po privatizohet Sazani dhe plazhi i Zvërnecit, në Tiranë u privatizua lulishtja pas Teatrit të Operas për të ndërtuar aty një megakullë elitare. E njëjta gjë ka ndodhur në pika të tjera të Tiranës ku hapësira që më parë aksesoheshin nga të gjithë qytetarët tashmë janë terrene ekskluzive të kullave.

Në të dyja rastet justifikimi ekonomik ishte se investime të tilla do tia ndërrojnë faqen Shqipërisë, do ta bëjnë atë tërheqëse për tursitët e nivelit të lartë, dhe do hapin mijëra vende pune. Te kullat do punësoheshin qytetarë pafund për ti ndërtuar dhe shërbyer atyre, ç ka do prodhonte zhvillim për të gjithë Tiranën.

Tashmë që një pjesë e mirë e kullave janë ndërtuar, ndonëse ende nuk kanë hyrë në operim, është e qartë se teoría e kullave si motor zhvillimi për të gjithë ishte mashtrim. Kullat janë një motor zhvillimi dhe pasurimi për një pakicë, ama për shumicën e qytetarëve ato janë një model zhvillimor varfërues dhe përjashtues.

Shumica e fitimit që prodhojnë kullat buron nga spekulimi financiar me ç mimiet e apartamenteve dhe përqëndrohet në pak duar. Në po ato duar që kanë tepricë kapitali dhe mund të blejnë apartamente dhe zyra me çmime që nuk i përballon shumica dërrmuese e qytetarëve. 

E thënë ndryshe kullat e thellojnë përqëndrimin e pasurisë në pak duar, ngrenë çmimet dhe i zhvendosin qytetarët gjithnjë e më shumë drejt periferisë ku ata mund të përballojnë jetesën.

Natyrisht që kullat prodhojnë edhe vende pune, por gjithnjë në nivelet më bazike, si ndërtimi, pastrimi apo siguria fizike. Në nivelet më të larta, siç  janë arkitektura punësohen studiot e huaja. 

Ndaj edhe pse në Tiranë ka një bum ndërtimesh inovatore arkitektura shqiptare nuk ka përfituar fare nga ky bum, ajo është tërësisht e përjashtuar nga ky zhvillim. Është një zhvillim që nuk është aspak i integruar me tregun vendas, si në materiale edhe në shërbime, ndaj impakti në ekonominë lokale është minial dhe negativ.

Punët që ofrojnë kullat elitare janë me një pagesë shumë më të ulët se rritja e çmimeve që ato prodhojnë. Në këtë aspekt kullat pasurojnë një grusht investitorësh strategjik dhe firmash rreth tyre, por varfërojnë shumicën e qytetarëve në Tiranë.

E njëjta llogjikë operon pas të ashtëquajturit “turizëm elitar”. Në impaktin e tyre ekonomik dhe social rezortet e Ivankës dhe Jared Kushner do kenë të njëjtin impakt si kullat e Ramës në Tiranë. 

Ato do ta kthejnë Sazanin dhe Nartën në një kopësht të lulëzuar për të pasurit, ku shqiptarët do reduktohen në rolin e kopështarëve, shërbyesve, pastruesve dhe rojeve.

Ndikimi transformues në ekonominë shqiptare do jetë minimal, jo vetëm sepse nuk do paguajnë taksa si investitor strategjik, por edhe sepse ky turizëm elitar nuk është aspak i integruar me industrine, sektorin e shërbimeve dhe bujqësinë tonë që nuk asnjë kapacitet ti përgjigjen nevojave të tij. 

Ndaj kur qeveria hedh shifra pa teklif, si hapja e 10 mijë vendeve pune, apo transformimi i Vlorës në Monako apo Dubai, mos prisni ndonjë studim ekonomik që ti mbështesë ato. Janë thjesht pallavra që hidhen si hi dhe shpërndahen si era nga mediat pa asnjë verifikim për verbuar qytetarët.

Për ta kuptuar këtë mjafton të bëni këtë pyetje të thjeshtë: nëse në Zvërnec nuk ka ende një projekt, sikurse pohon vetë Rama, atëherë nga dalin 10 mijë vendet e punës të një rezorti që ende nuk i dimë përmasat? Nuk duhet shumë llogjikë për të kuptuar se sa bajate është propaganda rilindase.

Të kuptohemi, nuk po argumentoj se në Shqipëri nuk duhet të ngrihen rezorte luksoze apo elitare. Thjesht po përpiqem të arsyetoj se këto rezorte nuk janë investime çudibërëse që do na nxjerrin në selamet. 

Ndaj ato nuk duhet të jenë prioriteti ynë zhvillimor, dhe aq më pak duhet të justifikojnë dhurimin dhe shkatërrimin e perlave tona natyrore. Ato mund të ndërtohen në  vende ku nuk dëmtojnë dhe nuk gllabërojnë parqet publike, florën dhe faunën tonë.

Për mendimin tim prioriteti ynë duhet të jetë turizmi komunitar dhe jo ai elitar. Turizmi që synon përfshirjen e komunitetit në turizëm. Ku qytetari shqiptar hyn në treg si pronar dhe jo si i punësuar në asetet e tij strategjike. 

E kam fjalë për turizmin familjar që të ardhurat i çon direkt tek familjet shqiptare dhe jo tek miliarderët që blejnë territorin e tyre. Modeli më i qartë këtu do ishte Thethi, por edhe Berati, Gjirokastra apo Kruja që në qendër të zhvillimit vendosin qyetetarin dhe familjen shqiptare vendase dhe jo miliarderin e huaj.

Fatkeqësisht kryeministri ynë dhe qeveria e tij që bëjnë çdo lloj akrobacie për ti lehtësuar investimin Ivankës dhe Kushnerit, që nga ndryshimi dhe deri tek shkelja e ligjit, ende nuk kanë bërë një plan urbanistik për Thethin. 

Banorëve të Thethit u çojnë fadromat për të prishur ndërtime pa leje të bëra në tokën e tyre. Ndërkohë investitorëve miliarder të Zvërnecit i çojnë policinë për të mbrojtur murin me tela pa leje që dëmton ambientin dhe privatizon plazhin publik.

Ky është standarti i dyfishtë që revolton qytetarët sot. Është një model zhvillimi përjashtues ku ligji bie vetëm mbi qytetarin e thjeshtë dhe përthyhet tek interesat e miqëve të pushtetit, sipas llogjikës “për miqtë e mi (miliarder) gjithçka, për qytetarët ligjin”. 

Ndoshtë është shumë ti kërkosh kryeministrit tonë që të trajtojë me të njëjtin respekt, dashuri dhe përkushtim qytetarin e thjeshtë shqiptar si Ivankën apo Jaredin. Vetë ai deklaroi se nuk përulet përballë qytetarëve shqiptar por vetëm përballë Xhorxhia Melonit. Nuk paska qenë shaka!

Shkruar enkas per Lapsi.al nga autori Blendi Kajsiu

  

 

Të këshilluara

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

Një drejtor policie, kokë turku në Zvërnec

Elidon Çela nuk u shkarkua se prodhoi një komunikatë ku manipuloi ngjarjen. As se ndenji indiferent kur dhunoheshin protestuesit. Ai pagoi çmimin e thyerjes së heshtjes për një aferë ku implikohet familja e presidentit Trump. Të cilët Rama me sa duket ka vendosur ti gostisë pa shpërthyer skandale

08:27 Andi Bushati

Ambasadori që e nisi me këmbë të gabuar

Paralelisht me heshtjen e zyrtarëve të NATO-s për një bazë të Aleancës në Porto Romano, Qeverisë Shqiptare i kanë dështuar tri tendera të njëpasnjëshëm për ndërtimin e portit të ri

11:32 Ferdinand Dervishi

Dy ambasadorët që prishën festën e Ramës

Ndërsa Rama po festonte në Bruksel, Gjermania dhe Holanda i kujtuan se kushtet e vendosura nuk kanë rënë, ato thjeshtë janë eksportuar drejt një faze tjetër

22:08 Andi Bushati

ide

Kënga e fundit e Edi Ramës

Gjendja e rënduar e Edi Ramës dhe sjellja e tij e çakërdisur, nuk mund të shpjegohen më me personalitetin e tij, që gjithnj...

17:44 Armand Shkullaku

Turizmi elitar si kullat e Ramës në Tiranë

Klisheja `turizem elitar` është njësoj si modeli neoliberal i privatizmit të aseteve publike në vitet 1990, i cili u kthye në një parrullë që po ta kundërshtoje të cilësonin si komunist, anti-kapitalist dhe anti-zhvillim

08:56 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.05

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI