Flash

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

Andi Bushati 7 June 2026

Nuk ka mënyrë më të mirë për të matur efektin e një proteste qytetare sesa ta shikosh atë përmes reagimit të atij kundër të cilit ajo adresohet. Revolucioni i flamingove e ka hutuar, shfazuar, çorientuar Edi Ramën. 

Në fillim, kur në shesh ishin ende pak njerëz, ai bëri tolerantin duke pyetur nëse duhet ta tërhiqte projektin, apo nëse ndoshta duhej të dorëhiqej edhe vetë, për t’u  mbyllur në Surrel. Pastaj i sfidoi protestuesit duke thënë, se edhe gjysëm milioni po të bëheshin, Sazani dhe Zvërneci i takonte Ivanka Trump-it dhe Jared Kushnerit. Në ditët e para të javës, ai kërkoi një përfaqësi nga manifestuesit me të cilën të dialogonte. Por pasi u refuzua me përbuzje tha se s’kishte ndërmend të negocionte me askënd, pasi ai ishte mandatari i votave të 800 mijë socialistëve, me të cilat bënte ç‘të donte. 

Këto pirueta, lëkundje humori dhe kjo mungesë qetësie shkëlqeu në gjithë mjerimin e saj pasi kryeministri u ul përpara laptopit të vet, për të hartuar një status të gjatë, në të cilin akuzonte CNN, mediat liberale botërore, një sërë TV dhe gazetash të mëdha, se po manipulonin realitetin e asaj që po ndodh në Shqipëri.

Po ti rikthehesh atij teksti të llahtarshëm dallon me lehtësi se shkruesi i tij vuan nga paranoja, se pas shpinës së vet dikush po i organizon një puç. Prandaj Rama bën thirrje se ky konspiracion, që synon të shembë “demokracinë” aktuale, për ta zëvendësuar atë me “demagogë, sharlatanë dhe tregtarë profesionistë të zemërimit”, të cilët bëjnë thirrje për hakmarrje e deri për vdekjen e tij, duhet ndalur sa më shpejt. Nëse kjo nuk ndodh - paralajmëron ai - ky do të ishte shembulli i një shoqërie të mposhtur nga fashizmi.

Po çfarë e detyron një burrë që i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat të përdorë këtë gjuhë kundër një brezi 20 vjeçarësh të cilëve u duket, përveçse i korruptuar edhe demode dhe “i marum”?  Çfarë e ysht atë të fajësojë mediat më prestigjoze të botës, CNN, New York Times, The Guardian, Der Spiegel, Le Monde për "fake news-e” që përmbysin një rend demokratik? A mos vallë u çmend deri në atë pikë sa kazanin e famshëm të Shqipërisë ta eksportojë në Atlanta?

Në fakt, e gjithë trullosja e tij e ka një shpjegim. Ajo vjen nga frika e dështimit të një prej makinacioneve më diabolike që mëndja e tij kishte kalkuluar.

Ky plan filloi të zbatohet kur ai e nuhati që Donald Trump mund të kthehej në shtëpinë e bardhë. Pikërisht në këtë periudhë, kur ai kuptoi se mbështetja e asministratës demokrate për të shkatërruar opozitën dhe për ti lejuar sundimin personal mbi këtë vend mund të ndërpritej, Rama tentoi mundësinë e lidhjes me familjen Trump. Me deklarata zyrtare nga Afinity Partners e Jared Kushnerit, tashmë është konfirmuar se propozimet për të investuar në Beograd dhe jug të Shqipërisë atyre i kanë ardhur nga qeveritë e dy vendeve.

Pra, historia nuk është ajo e treguar në podcastet promovuese të Ivanka Trump-it që notonte në ujrat e kristalta të Jonit dhe ngjiste e zbathur shtigjet e Sazanit. E vërteta qëndron në takimin e stisur në jahtin e një miliarderi hebre që vinte nga Korfuzi, në joshjen e një diplomati që mbante titullin e të dërguarit special në Ballkan, në caktimin e një oligarku shqiptar për ti’u afruar sa më shumë familjes Trump. 

Qëllimi për të pasur një kanal lobimi sa më pranë zyrës ovale e yshti Edi Ramën të ofronte llokma të çmuara Shqipërie, si Sazani dhe Zvërneci. Pikërisht për këtë ai nuk e përfilli planin urbanistik të Vlorës, që nuk parashikonte betonizim të zonës së lagunës së Nartës. Po për të njëjtën arsye, 12 deputetë sharlatanë të tij, kërkuan dhe më pas miratuan, ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimeve aty. Po për të njëjtat qëllime ajo perlë e natyrës u rrethua së fundi me tela me gjemba, u mor në mbrojtje nga badigardë kriminelë dhe u rrafshua nga bultozerët, në bazë të një leje zhvillimi të lëshuar ende pa pasur projekt. 

Pra, broçkullat me zhvillim turizmi elitar, me investime 4 miliardshe që s’figurojnë në asnjë dokument, me sjelljen e markave prestigjoze në bregtet, janë legenllëqe kolonizatorësh që donin ti gënjenin indianët autoktonë me pasqyra.

Qëllimi i vetëm qe blerja e një influence të rëndësishme politike, përmes shkëmbimit me pasuri të paçmueshme të vendit. Dhe pikërisht në momentin kur ky makinacion i komplikuar po kurorëzohej, filluan protestat në Zvërnec dhe vandalët e trimëruar nga pushteti pa kontroll tërhoqën zvarrë një qytetar. 

A ishte vetëm ky episod që i vuri benzinë zjarrit?

Natyrisht që jo. Pa qenë aspak idhtar i teorive kospiracioniste, me grekë që duan të bllokojnë zhvillimin, me rusë që mbajnë anën e Sebisë, apo me iranianë që se durojnë dot servilizmin tonë ndaj SHBA-së një fakt duhet pohuar. Në mënyrën më të habitshme të mundshme ndezja e revolucionit të flamingove ndodhi në një simbiozë perfekte midis energjisë të atyre të rinjve që ndiheshin të vjedhur e të nëpërkëmbur dhe interesit të mediave më të mëdha botërore, e fuqive që qëndrojnë pas tyre, që kanë si qëllim kryesor diskreditimin e presidencës Trump, si një ndërmarrje që përdor politikën për tu pasuruar familjarisht.

Nga ky bashkim u prodhua festa e bukur për “Shqipërinë e re”. E kjo shpjegon edhe faktin se pse kjo protestë me njerëz dinjitozë, me slogane të gjetura dhe me muzikë joshëse u përkrah kaq masivisht nga TV dhe gazetat më të mëdha të botës, ndryshe nga ato në Rijoll, te unaza e re, apo tek 5 maji. Në këtë bashkim nuk ka asnjë konspiracion. Rinia e revoltuar shqiptare e ka me Ramën. Ata që mbështesin lëvizjen e saj kundër futjes së Jaredit dhe Ivankës në Zvërnec, e kanë me Trumpin. 

Por edhe këtu Edi Rama është treguar i paaftë edhe dritëshkurtër. Atë që mund të ndodhte, ai duhet ta kishte parashikuar me kohë, që atëhere kur bëri provën gjenerale të një lobimi të madh, duke dashur ti falë sovranitet shqiptar Italisë, për të përkëdhelur Giorgia Melonin. Ashtu si tani edhe në atë rast ai vërtet fitoi afërsinë dhe mbështetjen e kryeministres italiane, por bashkë me të ai u përball edhe me gjithë furinë e kundërshtarëve të saj. Përkëledhja me Giorgian i kushtoi Ramës një valë kritikash nga e majta e kontinentit, një seri artikujsh e reportazhesh kritike si ato të RAI 3 dhe etiketimin për herë të parë të mbretërimit të tij si narkoregjim.

Pra, kostoja e kësaj tentative për lobim ishte shumë e madhe. Por, Edi Rama e shpërfilli, apo s’deshi ta dëgjojë këtë alarm. Dhe kur ai synoi më lart, për të vajtur deri afër Shtëpisë së Bardhë, pëmes vajzës dhe dhëndrit të Trump, goditja do kishte të njejtin kah, por përmasat do të qenë të tjera. Ekuilibri i forcave në një shoqëri të lirë është pikërisht ky: sa më i madh makinacioni dhe tentativa për manipulim, aq më të vrullshme bëhen forcat që i kundërshtojnë ato. 

Asnjë paranojë, asnjë konspiracion nuk qëndron përtjej kësaj fabule që është e mjaftueshme për të shpjegiar mbështetjen ndërkombëtare që po merr revolucioni i flamingove. Thellë thellë edhe Edi Rama e di këtë. 

Por, sa nga ankthi i dështimit të projektit më të madh të lobingut që ka inxhinjeruar në jetën e tij, po aq dhe nga emocioni se brenda natës u shndërrua nga idhulli i shtypit liberal ndërkombëtar, ne delen e zezë të mediave botërore, ai nuk po e merr dot veten.

Prandaj, në statusin e tij të stërgjatë kundër CNN dhe të tjerëve pyeste i çmerritur se si ka mundësi që “një protestë lokale të shndërrohej në spektakël global”. Ndoshta kur të qetësohet, kur krizat e azmës ti kthejnë frymëmarrjen, kur arsyeja ti’a mpshtë ankthin do ta kuptojë se gjithçka po ndodh është lehtësisht e kuptueshme. Se në gjenezë është ai që vuri bast për të luajtur pa rregulla në tryezën e të mëdhenjve dhe tani po i kthehen pas kundërgoditjet. Kaq e thjeshtë është dhe këtu duhet kërkuar arsyeja e vetme që mediat e mëdha e gjetën veten në të nëjtën anë të barikadës me ata të rinj të panjohur që bërtasin rrugëve të Shqipërisë: “Edi Rama ka maru, ka maru, ka maru”. 

LAPSI.AL

 

Të këshilluara

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

Një drejtor policie, kokë turku në Zvërnec

Elidon Çela nuk u shkarkua se prodhoi një komunikatë ku manipuloi ngjarjen. As se ndenji indiferent kur dhunoheshin protestuesit. Ai pagoi çmimin e thyerjes së heshtjes për një aferë ku implikohet familja e presidentit Trump. Të cilët Rama me sa duket ka vendosur ti gostisë pa shpërthyer skandale

08:27 Andi Bushati

Ambasadori që e nisi me këmbë të gabuar

Paralelisht me heshtjen e zyrtarëve të NATO-s për një bazë të Aleancës në Porto Romano, Qeverisë Shqiptare i kanë dështuar tri tendera të njëpasnjëshëm për ndërtimin e portit të ri

11:32 Ferdinand Dervishi

Dy ambasadorët që prishën festën e Ramës

Ndërsa Rama po festonte në Bruksel, Gjermania dhe Holanda i kujtuan se kushtet e vendosura nuk kanë rënë, ato thjeshtë janë eksportuar drejt një faze tjetër

22:08 Andi Bushati

Përse një fytyrë e re për Lapsi.al

Ajo që ka ndryshuar me ristitë në formë, të detyrueshme në një treg të dominuar nga diktati i shpejtësisë, por që nuk prekin kredon për një gazetari të thelluar që i bën lexuesit të mendojnë

22:27

Të vërtetat alternative të Ramës

Edi Rama është zhytur në një spirale marramendëse të mohimit të realitetit dhe të krijimit njëkohsisht me të të të vërtetave alternative, që zor se mund t'ia be...

14:45

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

93.28

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI