
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Bolzano, pasi gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e tij u zbuluan afro dy kilogramë lëndë narkotike dhe rreth 13 mijë euro cash. Operacioni u zhvillua pasi efektivët vunë re shqiptarin duke kryer lëvizje të dyshimta në rrugën Verona. Pas ndalimit të automjetit, ai dha deklarata kontradiktore për arsyen e qëndrimit në qytet. Fillimisht pretendoi se kishte ardhur për turizëm me bashkëshorten dhe vajzën, por verifikimet treguan se ato ishin larguar më herët nga Italia. Më pas deklaroi se ndodhej në Bolzano për punë, pa arritur të paraqiste dokumente që mbështesnin pretendimin. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti rreth 20 gramë kokainë të ndarë në doza dhe të fshehur pranë sediljes së shoferit, si dhe 315 euro në portofolin e tij.
Hetimet vijuan me kontrollin e banesës në Appiano, ku u sekuestruan rreth 920 gramë kokainë, 946 gramë marijuanë dhe 57 gramë hashash, të fshehura në mobilie. Autoritetet gjetën gjithashtu pajisje për peshimin dhe paketimin e drogës, si dhe rreth 13 mijë euro në para të gatshme. Sipas Policisë italiane, vlera e lëndëve narkotike në tregun e paligjshëm mund të arrinte të paktën 100 mijë euro.