
Rrëshqitja e një masivi gurësh dhe dherash ka bllokuar prej tri ditësh rrugën Arrën–Surroj–Kukës, duke lënë të izoluar banorët e zonës. Deri më tani, sipas Partisë Demokratike, nuk është ndërhyrë për pastrimin dhe rikthimin e qarkullimit në këtë aks.
Denoncimi është bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Dega Kukës, Rrahman Demaj, i cili ka akuzuar Bashkinë Kukës dhe institucionin e Qarkut për mungesë reagimi ndaj situatës.
Sipas Demajt, institucionet po shmangin përgjegjësinë duke pretenduar se segmenti rrugor nuk është në kompetencën e Bashkisë, por të Qarkut Kukës.
Përfaqësuesi i PD-së e cilëson këtë situatë si papërgjegjshmëri institucionale dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për largimin e inerteve dhe hapjen e rrugës. Ndërkohë, banorët vijojnë të përballen me izolimin, ndërsa mbetet e domosdoshme ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për të garantuar qarkullimin dhe lidhjen e zonës me pjesën tjetër të territorit.