Flash

Skandal në Francë/ Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Brigitte Macron përballet me akuza për ngacmim seksual

Lapsi.al 23 November 2026

Skandal në Francë/ Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i

Pierre-Olivier Costa, ish-shefi i stafit të Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, është vënë në qendër të një skandali pas akuzave për ngacmim seksual dhe sjellje të papërshtatshme ndaj punonjësve të muzeut që drejton në Marsejë. Costa, 58 vjeç, i cili për pesë vite ishte një nga bashkëpunëtorët më të besuar të Brigitte Macron, akuzohet nga punonjës të institucionit për komente me përmbajtje seksuale, fyerje dhe presion në vendin e punës.

Akuza më e rëndë është ngritur nga një punonjës i departamentit të komunikimit të Muzeut të Qytetërimeve Evropiane dhe Mesdhetare (Mucem), në Marsejë. Sipas dëshmisë së tij për gazetën franceze Libération, gjatë një aktiviteti në gusht të vitit 2025, Costa iu afrua dhe i kërkoi vazhdimisht të kryente seks oral.

"Duhet ta ketë thënë rreth 30 herë", ka deklaruar punonjësi, duke përshkruar edhe mënyrën këmbëngulëse dhe provokuese të sjelljes së tij. "Fytyra e tij ishte shumë pranë fytyrës sime dhe kishte një shprehje të çuditshme", është shprehur ai.

Nga ana tjetër, Costa i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk mban mend të jetë takuar me punonjësin në fjalë gjatë asaj mbrëmjeje. Çështja ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të lidhjeve të ngushta të Costas me çiftin presidencial francez. Nga viti 2017 deri në vitin 2022, ai shërbeu si shef i stafit të Brigitte Macron, duke fituar besimin e saj. Sipas raportimeve, Zonja e Parë e Francës e quante atë "diamanti im".

Në vitin 2022, Costa u emërua në krye të Muzeut të Qytetërimeve Evropiane dhe Mesdhetare (Mucem), në Marsejë, me mbështetjen e presidencës franceze. Megjithatë, drejtimi i tij u shoqërua me tensione të vazhdueshme me stafin, ankesa për mënyrën e menaxhimit dhe, më pas, me nisjen e një hetimi nga autoritetet franceze.

Më 17 mars 2026, Prokuroria e Marsejës nisi një hetim paraprak ndaj Costas, nën dyshimet për ngacmim moral dhe seksual në vendin e punës. Paralelisht, Inspektorati i Përgjithshëm për Çështjet Kulturore zhvilloi një hetim administrativ, gjatë të cilit u evidentuan ankesa për ngacmim seksual, presion ndaj punonjësve dhe favorizim.

Pas këtyre zhvillimeve, Ministria e Kulturës vendosi ta largonte përkohësisht nga detyra për një periudhë katërmujore, në fund të qershorit. Por rikthimi i tij në drejtimin e muzeut, më 1 nëntor, shkaktoi pakënaqësi të reja mes punonjësve. Ata organizuan një grevë në shenjë proteste, duke kundërshtuar rikthimin e tij dhe duke kërkuar zgjidhje për situatën e krijuar brenda institucionit.

Më 5 nëntor, punonjësit dolën në protestë në Marsejë me pankarta ku shkruhej "Mucem është në rrezik", duke kërkuar ndërhyrje për t'i dhënë fund krizës dhe për të garantuar një ambient të sigurt pune. Pavarësisht bujës që ka shkaktuar çështja në Francë, Brigitte Macron nuk ka bërë ende një deklaratë publike lidhur me akuzat ndaj ish-bashkëpunëtorit të saj. Sipas raportimeve mediatike, marrëdhënia mes tyre mbetet e afërt edhe pas largimit të Costas nga Pallati Elize. Ai thuhet se vijon të komunikojë me Zonjën e Parë pothuajse çdo ditë në telefon.

Të këshilluara

Durrësi harron tërmetin, ndërhyrjet pa kontroll në pallate rikthejnë rrezikun

Gati shtatë vjet pas tërmetit që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe miliona euro dëme, ndërhyrjet në apartamente dhe katet e para të pallateve në Durrës vazhdojnë të shqetësojnë ekspertët. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se autoritetet vendore kanë lënë pa zbatuar qindra vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.

17:46

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

89.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI