
Një anije luftarake ruse është fundosur në portin e Bengazit, në Libi, pasi u godit të dielën nga dronë detarë të ngarkuar me eksploziv. Sulmi ka lënë dhjetë persona të plagosur dhe ka ngritur dyshime për përfshirjen e Ukrainës, megjithëse përgjegjësia nuk është marrë zyrtarisht nga asnjë palë. Sipas burimeve libiane të cituara nga mediat ndërkombëtare, anija u përfshi nga flakët pas goditjes dhe u fundos disa orë më vonë. Forcat detare libiane ndërhynë për shpëtimin e ekuipazhit, ndërsa dhjetë shtetas rusë dhe libianë pësuan lëndime të lehta. Një gazetar i Axios, duke iu referuar një burimi të njohur me operacionin, raportoi se pas sulmit mund të qëndrojë Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU).
Në të njëjtën ditë, një tjetër anije tregtare me flamur maltez u godit nga një dron detar pranë Bengazit, sipas burimeve ushtarake libiane të cituara nga Reuters. Autoritetet vendase raportuan gjithashtu se kishin kapur mbi 20 dronë detarë në ujërat përreth qytetit. Ambasadori rus në Libi, Aidar Aganin, akuzoi Kievin se po përpiqet ta zhvendosë konfliktin jashtë Ukrainës dhe paralajmëroi se sulme të tilla nuk do të mbeten pa përgjigje.
Pas incidenteve, qeveria me seli në Libinë lindore kërkoi një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar origjinën e dronëve dhe për të verifikuar pretendimet për praninë e ekspertëve ukrainas në territorin libian. Edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi kërkoi një hetim të pavarur dhe transparent, duke paralajmëruar se vendi nuk duhet të shndërrohet në një arenë për konfliktet e shteteve të tjera. Autorësia e sulmeve mbetet e paqartë, ndërsa incidentet kanë shtuar shqetësimet për shtrirjen e mundshme të konfliktit Rusi-Ukrainë në Mesdhe.