Flash

Ngjashmëria me Shqiprinë/ Në Serbi hapen letrat për projektin e familjes Trump

Financial Times tregon se si Aleksandar Vuçiç shkoi deri aty sa të ushtronte presion mbi zyrtarët për të siguruar realizimin e projektit të mbështetur nga Jared Kushner, ai e nxori me ligj objektin ku dhëndri i Trump do nhrite hotelin nga lista e monumenteve te mbrojtura

Lapsi.al 22 November 2026

Ngjashmëria me Shqiprinë/ Në Serbi hapen letrat për

Marton Dunai – Financial Times, 22 nëntor 2026

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ushtroi personalisht presion mbi zyrtarët shtetërorë për t'i hapur rrugën ndërtimit të një hoteli Trump në qendër të Beogradit. Këtë e dëshmojnë dokumentet dhe deklaratat e dëshmitarëve të siguruara nga Financial Times, të cilat zbulojnë deri në ç'përmasa shkoi ish-lideri serb për të garantuar një marrëveshje pronësie të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan.

Plani për të shembur dhe rindërtuar ish-selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, të dëmtuar rëndë nga bombardimet – e njohur si ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm (General Staff) – u kthye në një pikë të nxehtë të protestave të udhëhequra nga studentët, të cilat sfiduan qeverisjen gjithnjë e më autoritare të Vuçiçit dhe kontribuuan në rënien e tij në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Kushner pezulloi pjesëmarrjen në projekt në fund të vitit që shkoi, ndërsa sfidat ligjore po shtoheshin. Këtë tetor, Lista Studentore fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare me një rezultat dërrmues dhe u zotua të zbardhë korrupsionin e qeverive të mëparshme.

“Provat që tashmë janë pjesë e dosjes së çështjes së Shtabit të Përgjithshëm duhet të çojnë në nisjen e procedimit penal ndaj Aleksandar Vuçiçit për vepra penale që dënohen me burgim nga një deri në tetë vjet”, deklaroi Lista Studentore.

Seanca e parë gjyqësore pas zgjedhjeve është planifikuar për të hënën, ku do të paraqiten prova dhe dëshmitarë të rinj.

Dokumentet e shqyrtuara nga Financial Times, përfshirë marrëveshjen e plotë të investimit, e cila nuk ishte bërë publike më parë, si dhe deklaratën e një dëshmitari kyç, tregojnë se zyrtarët vepruan nën presionin e drejtpërdrejtë të Vuçiçit për të eliminuar pengesat ligjore ndaj projektit. Mes tyre ishte edhe statusi i mbrojtjes si "trashëgimi kulturore kombëtare" e kompleksit.

Dubravka Gjukanoviç, ish-drejtoreshë e Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, u tha prokurorëve vitin e kaluar se Vuçiçi e kishte qortuar personalisht atë dhe kolegët e saj, duke i quajtur “injorantë” gjatë një takimi në pallatin presidencial. Ai u kishte kërkuar të “merrnin përgjegjësinë” dhe të hapnin rrugën për projektin.

“Nuk është aspak e këndshme kur [...] dikush, edhe nëse është vetë shteti, të vë në një pozitë ku duhet të vendosësh nëse do të shembësh atë që ke për detyrë të mbrosh”, i tha Gjukanoviç Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar, sipas deklaratës së saj të siguruar nga Financial Times.

Presidenti Vuçiç tha atëherë se heqja e statusit të mbrojtjes ishte e domosdoshme.

Gjukanoviç i tha Financial Times se “e gjithë situata ishte e pakëndshme, ashtu si edhe vetëdija se presidenti ose nuk e njihte procedurën ligjore, ose thjesht nuk i interesonte ta respektonte atë. Ai e përfundoi takimin duke thënë se kushdo që nuk ishte i gatshëm ta mbështeste projektin, duhej të jepte dorëheqjen”.

Dëshmia e saj sugjeron se qeveria serbe në largim dhe investitorët amerikanë të mbështetur nga Kushner bashkëpunuan për më shumë se një vit, pavarësisht shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha ligjore rreth projektit.

Të hënën, Serbia e ndërpreu zyrtarisht marrëveshjen e investimit me Atlantic Incubation Partners, investitorin amerikan të mbështetur nga Kushner, i cili ishte tërhequr nga projekti në fund të vitit të kaluar.
Marrëveshja, e nënshkruar në maj 2024, përcaktonte shprehimisht se realizimi i saj ishte “i kushtëzuar nga heqja e statusit të trashëgimisë kulturore për ndërtesat”.
Vuçiçi duhet ta ketë siguruar Kushnerin se “çdo problem ligjor do të zgjidhej përpara nisjes së punimeve”, thotë Nenad Lajbensperger, historian serb që ka studiuar historinë e ndërtesës.

“Qeveria e dinte se ndërtesa ishte e mbrojtur dhe, megjithatë, kishte vendosur ta realizonte projektin Trump në mënyrë të paligjshme.”

Gjukanoviç i tha Financial Times se “nuk ekzistonte asnjë mundësi ligjore për heqjen e statusit të mbrojtjes”, përveç rastit kur ndërtesa të shkatërrohej plotësisht.
Ajo shtoi se që në fillim ishte e qartë se zhvilluesit amerikanë nuk kishin asnjë interes për ruajtjen e ndërtesës.
“Që në kontaktin tim të parë me arkitektin, u bë e qartë se ai nuk kishte asnjë ide se kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm ishte një pasuri e trashëgimisë kulturore.”

Sipas saj, projekti ishte hartuar shumë kohë përpara takimit të tyre dhe nuk u bë asnjë ndryshim pas tij. Ajo e përshkroi atë takim si një “farsë”.
Projektet paraprake të hotelit Trump ishin hartuar nga Brian Vargo, drejtor menaxhues i kompanisë së zhvillimit të pasurive të paluajtshme LIVWRK, me seli në Nju Jork, e cila kishte bashkëpunuar me Kushnerin në të paktën dy projekte në Bruklin. Vargo nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

E përfunduar në vitin 1965, ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm ishte një prej monumenteve të arkitekturës moderniste jugosllave, deri kur avionët amerikanë e shkatërruan pjesërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në Beograd, në vitin 1999. Që prej asaj kohe, rrënojat e saj janë kthyer në një simbol të qëndresës ndaj Perëndimit.

I dërguari i Donald Trumpit, Richard Grenell, zhvilloi diskutimet e para me Vuçiçin për këtë truall në vitin 2020, sipas ish-presidentit serb. Në atë kohë, Vuçiçi kishte theksuar nevojën që projekti të zhvillohej “në përputhje” me statusin e posaçëm të trashëgimisë kulturore të kompleksit.

Grenell nuk pranoi të komentonte.

Projekti mori hov pas një takimi mes Kushnerit dhe Vuçiçit, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në vitin 2023. Takimi ishte bërë publik në faqen zyrtare të presidentit të atëhershëm serb.
Gjatë vitit pasues, Vuçiçi dhe ministri i tij i Financave, Sinisha Mali, zhvilluan disa takime ku u ushtruan presione ndaj zyrtarëve të trashëgimisë kulturore për t'i hequr kompleksit statusin e mbrojtjes, sipas Gjukanoviçit.
“Në takimin u paraqit si zgjedhje: ose të nisni procedurën për heqjen e statusit të mbrojtjes, ose të jepni dorëheqjen”, thuhet në dëshminë e saj.

Çështja nxiti protestat studentore që kishin përfshirë Serbinë që nga fundi i vitit 2024. Pavarësisht kundërshtimeve, partia e Vuçiçit, SNS, miratoi me forcë një ligj të posaçëm në nëntor 2025, i cili i hiqte kompleksit statusin e mbrojtjes. Ky vendim shkaktoi protesta të reja.

Një muaj më vonë, ministri i Kulturës, Nikola Selakoviç, u mor i pandehur për shpërdorim detyre. Prokurorët ngritën gjithashtu akuza ndaj pasuesit të Gjukanoviçit në detyrë, Goran Vasiç, për falsifikim të pretenduar të dokumenteve me qëllim justifikimin e heqjes së statusit të trashëgimisë kombëtare.
Kushner u tërhoq nga projekti pas ngritjes së këtyre dy akuzave.
Një zëdhënës i kompanisë Atlantic i tha Financial Times:

“Vizioni ynë ishte të krijonim një destinacion të klasit botëror, i cili të nderonte historinë e Beogradit, duke kontribuar njëkohësisht në të ardhmen e qytetit. Ne ishim krenarë për projektin dhe ndikimin pozitiv që ai mund të kishte. Por, ndërsa rrethanat ndryshuan, arritëm në përfundimin se projekti nuk mund të përmbushte më qëllimin për të cilin ishte konceptuar dhe vendosëm të tërhiqeshim në nëntor 2025.”
Vasiç dhe Selakoviç i mohojnë akuzat. Ata mbeten të lirë ndërsa gjykohen, në seancën e ardhshme të caktuar për të hënën.
Avokatët e tyre kanë kundërshtuar akuzat, duke iu referuar ligjit të posaçëm të miratuar vitin e kaluar, i cili hoqi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore për ndërtesën. Ata nuk iu përgjigjën kërkesave të mëtejshme për koment.

Megjithatë, në aktakuzën e tyre, prokurorët i akuzojnë Selakoviçin dhe Vasiçin për shkelje të ligjit në korrik 2024, kur ndërtesa vazhdonte të gëzonte statusin e mbrojtjes.
Sipas prokurorëve, atë muaj ministri thirri Vasiçin dhe persona të tjerë në zyrën e tij dhe u kërkoi të paraqisnin brenda së njëjtës ditë një propozim për heqjen e statusit të mbrojtjes së kompleksit.
Selakoviç “e dinte se nuk kishte asnjë autoritet ligjor për të nisur një procedurë të tillë dhe se nuk ishin plotësuar as kushtet e përcaktuara nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore”, përfunduan prokurorët.

Skandali i Shtabit të Përgjithshëm i shtohet vëmendjes dhe hetimeve mbi marrëveshjet e biznesit të personave të afërt me Trumpin në Ballkan, të cilat kanë lidhje me qarqet politike. Bëhet fjalë nga projektet energjetike në Bosnjë deri te zhvillimet e diskutueshme turistike në bregdetin shqiptar.
Por rasti i Serbisë ofron një shembull veçanërisht të qartë të ndërhyrjes politike në favor të investitorëve të lidhur me familjen Trump.
Sipas marrëveshjes së investimit të vitit 2024, të siguruar nga Financial Times, qeveria e Vuçiçit dhe kompania AIP e Kushnerit kishin rënë dakord të krijonin një sipërmarrje të përbashkët në Beograd.

Investitori amerikan do të transferonte më pas pjesën e tij të pronësisë te një kompani e lidhur me të, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të ruante kontrollin operacional dhe financiar mbi projektin.

Sipas marrëveshjes, Atlantic do ta përfitonte projektin pa zhvilluar një tender publik dhe pa qenë e detyruar të respektonte kufizimet që rridhnin nga statusi i trashëgimisë kombëtare të kompleksit. Kjo do të garantonte përfitim maksimal për projektin dhe një rrugë më të lehtë drejt marrjes përfundimtare të pronësisë. Vuçiçi dha dorëheqjen në shtator dhe shpalli zgjedhje të parakohshme, në një përpjekje të dështuar për t'u rikthyer në postin e kryeministrit.
Humbja e tij ka përshpejtuar shpërbërjen e rrjetit të tij politik. Autoritetet kanë mbyllur Alta Bank, të lidhur me regjimin, dhe kanë arrestuar pronarin e saj, si dhe drejtues të policisë besnikë ndaj ish-presidentit.
Vuçiçi nuk e ka mohuar se ka punuar për promovimin e projektit të Shtabit të Përgjithshëm dhe se ka ushtruar presion mbi zyrtarët qeveritarë, duke argumentuar se kjo ishte diçka normale për një president.

“Ata më akuzojnë se jam përpjekur të sjell një investitor... Kushnerin, për projektin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm”,

deklaroi Vuçiçi për median Kurir, një javë përpara zgjedhjeve.
“Unë doja që të bënim diçka për Beogradin, të largonim ato rrënoja, atë pamje të shëmtuar... të ndërtonim marrëdhëniet më të mira të mundshme me amerikanët dhe të krijonim një destinacion të nivelit më të lartë, që do të tërhiqte edhe më shumë turistë.”

Marrë nga FINANCIAL TIMES

Të këshilluara

Kërcënimet ndaj Veliajt/ Pse u xhindos Rama për ca drejtorë bashkie

Arsyeja përse Rama arriti deri te kërcënimet mafioze ndaj Veliajt për shkarkimin e disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës lidhet me rrezikun që, përmes këtyre largimeve, kryebashkiaku i burgosur t’i çmontojë makinerinë elektorale të PS-së në prag të zgjedhjeve lokale.

01:22

ide

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

89.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Kërcënimet ndaj Veliajt/ Pse u xhindos Rama për ca drejtorë bashkie

Arsyeja përse Rama arriti deri te kërcënimet mafioze ndaj Veliajt për shkarkimin e disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës lidhet me rrezikun që, përmes këtyre largimeve, kryebashkiaku i burgosur t’i çmontojë makinerinë elektorale të PS-së në prag të zgjedhjeve lokale.

01:22

Me sytë katër

PAPARAZZI